10 Nëntor, 2021 - 1:15 pm
Prej 11 deri më 26 nëntor do të shpaloset edicioni i gjashtëmbëdhjetë i DAM Festival, shkruan KultPlus.
Organizatorët kanë njoftuar se ky edicion do të nisë me orkestrën kamertale “New Born”, koncert që do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
“Orkestra kamerale “New Born” do të hap këtë edicion me një program i cili kryesisht sjell disa prej kryeveprave të literaturës shqiptare. Me soliste Zana Abazi – Ramadanin (soprano) dhe në dirigjimin e Edon ramadanit, Orkestra kamerale “Neë Born” njëherësh do të ketë prezantimin debutues në Prishtinë pas koncerteve të suksesshme në Kroaci dhe Shqipëri”, thuhet nga organizatorët rreth kësaj mbrëmje.
Ndërkohë, bëhet e ditur se në ciklin e parë të serisë së koncerteve të këtij edicioni i cili do përmbyllet më 26 nëntor, me recital do prezantohet flautistja e re Zanë Abazi e shoqëruar nga pianisti Melos Buza (12.11.2021 / 19:00 / Salla e Kuqe) ndërsa mysafire e mbrëmjes së tretë është Orkestra kamerale “Gryphon” me dirigjent Angel Spiroski (13.11.2021 / 19:00 / Salla e Kuqe). Ky i fundit është fitues i çmimit të Filharmonisë së Kosovës në Garën e 1-rë të Kompozitorëve të Ballkanit 2019 – BCCP, e organizuar në Prishtinë. Edicionit të 16-të të DAM-it deri tani i kanë paraprirë programet “Zë DAM” – platformë e cila ka për qëllim mbështetjen e zërave të rinj lirik, Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit – BCCP 2021 dhe Gala koncerti i organizuar me dy emra të dalluar të skenë botërore violinistit Fedor Rudin (Koncert-mjeshtër i Filharmonisë së Vjenës 2019-2021) dhe pianistit Boris Kusnezow.
Hyrja në koncerte është lirë derisa të gjithë të interesuarit obligohen të kenë me vete certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 ose një test PRC jo më të vjetër së 72 orë./ KultPlus.com