Si iu duk studentëve nga Kosova Korça në vitin 1973

21 Nëntor, 2021 - 10:30 am

Koleksionisti nga Korça, Mirgen Shamblli, ka hasur në përshtypjet e një grupi të studentëve nga Kosova, në një libër kujtimesh, pas vizitës që ata ia kishin bërë një muzeu të Korçës.

Vizita është bërë më 11 qershor 1973. Sipas Shambllit, lë përshtypje fakti se secili student ka nënshkruar me lapsin e vet kimik (stilolaps). Për të ky lloj lapsi nuk ishte gjë e rëndomtë për të gjithë studentët – e asaj kohe – të Shqipërisë. “Ishte si luks, për shumicën”, thotë ai.

“Historia, treguesja më e mirë e fateve të popujve, ka ngjyrën e kuqe, marrë nga gjaku i derdhur. Mbi këtë gjak lind liria, lulja më e kuqe. Populli ynë rrugën e historisë e shtroi me gjak dhe të tillë na e ka lënë, që të mësojmë nga ajo”, është porosia e lënë në libër kujtimesh, të nënshkruar ndër të tjera nga Emin Kabashi, Ukë Bashota,  Ahmet Qeriqi, Sadete Emërllahu etj.

Vlen të ceket se shkëmbimet kulturore mes Shqipërisë e Kosovës, me vizita të ndërsjella të studentëve, pedagogëve e krijuesve, ndërpriten pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë./KultPlus.com

Të ngjajshme