23 Nëntor, 2021 - 11:00 pm
Era Berisha
Një ndjenjë paqësore e krejtësisht mbizotëruese e cila erdhi në një formë komplekse u pasua pikërisht nga ngjyrimet e guximshme të zërit të veçantë së sopranos Kaltrina Miftari, në një ndërlidhje unike me instrumentin e klaviçembalit nën interpretimin e Lirika Pulës, me ç’rast sot atmosfera në DAM Festival vallëzoi mes melodive të qeta por plot pasion e të cilat u shoqëruan me elemente diversive që gjatë tërë kohës përçonin një ndjenjë drame e tensioni, shkruan KultPlus.
Nata e katërt e Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinsë dhe Sportit ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të muzikës klasike. Sot, skena që tashmë është e njohur për publikun, u shfaq po njëlloj por e njëjta çdo herë vë në pah lojën mjeshtërore të instrumentistëve e edhe lëvizjet e ndryshme të performuesve. Pesë drita të ngrohta të vendosura lart mbi kokën e skenës, katër reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza e të lëshuara deri në platformë, ishin elementet kyçe që përcollën magjinë muzikore prej fillimit deri në fund.
Ndërsa, duartrokitjet e të pranishmëve që mirëpritën interpretueset në skenë dhe qetësia pasuese, ishin shenjat e fundit që nisën këtë mbrëmje të mbushur deri në kupë me stilin barok.
Hijeshia e sopranos Kaltrina Miftari dhe eleganca e instrumentistes Lirika Pula, u dallua që në momentin kur ato shkelën skenën me prezencën e tyre për të thumbuar kështu jo vetëm me dukjen e tyre delikate por edhe me gërshetimin e interpretimit të tyre. Atmosfera e ngrohtë brenda sallës u gjallërua butësisht me veprat e kompozitorëve të njohur botërorë si: John Dowland, Thomas Campion, Geroge Frederic Handel, Antonio Cesti, Jean-Philippe Rameau dhe Henry Purcell, duke sjell kështu melodi e tinguj të cilat burimin e kishin të zhytur në një fuqi të jashtëzakonshme.
Në ndërkohë, ishin veprat si: “E pur cosi in un giorno… Piangero la sorte mia” dhe “Thy hand Belinda … When I’m laid”, të cilat magjepsën të pranishmit me ndjeshmërinë e tingujve plot lezet, delikatesën e melodive të lehta klasike si dhe bukurinë e të interpretuarit të pakrahasueshëm, duke depërtuar kështu deri në misterin e fshehur brenda qenies njerëzore e çelur atë ndjenjën e mbyllur me çelës.
Pastaj veprat solo të instrumentistes Lirika Pula, si: “Sarabanda nga suita në d-mol HWV 437” dhe “Les Sauvages”, e dërguan publikun brenda portës pianistike, aty ku dominonin lëvizjet e luhatjet e vogla të tërë trupit, dinamika e shtypjes së tasteve si dhe meloditë e tingujt që ndryshonin varësisht vijës melodike që herë vendosej mbi një urtësi e herë tjera derdhej në një përdëllim të pamëshirshëm pa ndalesë.
Përgjatë pothuajse një ore, veprat si: “If my complains could passions move”, “Fine knacks for ladies”, “My love hath vowed”, “Never weather beating sail”, “Intorno all’idol moi”, “If music be the Food of Love”, dhe “Music for a while”, ishin ato të cilat po shënonin kryevepër pas kryevepre për të dëshmuar se një ndërlidhje e muzikës instrumentale dhe asaj vokale, krijon një natë madhështore e krejtësisht të shkëlqyer porsi një diamant, shkëlqimi i së cilës kaplon vëmendjen e dëshirën e çdo kujt.
E këtë e dëshmoi edhe publiku i cili me duartrokitjet e shumta dhe buqetat me lule, solli edhe një herë në skenë të dy këto interpretuese të mrekullueshme.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe emocioneve pas tij, për KultPlus foli pianistja Lirika Pula.
“Mbrëmja e sotme ishte rezultati i një pune intenzive së bashku me Kaltrinën, një knaqësi e madhe të luash në klaviçembalo e të interpretosh vepra të një repertori të tillë, të zgjedhura mjeshtërisht nga Kaltrina”, thotë Pula.
Sipas saj, klaviçembalo si instrument është pak më i veçantë dhe pianistët e Kosovës nuk e kanë pasur fatin të njohin e të punojnë me të deri në vitet e fundit, andaj edhe koncerti është konsideruar si një eksperiencë unike.
“Përshtypjet ishin nga më të mirat si nga ana jonë e poashtu edhe nga ana e publikut, të cilit iu dhurua një program më ndryshe nga e zakonshmja. Ishte një program i këndshëm me vepra kryesisht nga epoka baroke dhe renesanse, përcjelljet e të cilave zakonisht luhen në piano, ndërkaq për këtë koncert janë përshtatur për klaviçembalo”, përfundon Pula.
Po ashtu, sopranoja Kaltrina Miftari për koncertin i cili ishte i paraparë të mbahet në muajin shtator por për çka është dëshiruar prezenca e publikut, tregoi përshtypjet e saj për KultPlus.
“Me pianisten Lirika Kasapolli, kemi një bashkëpunim shumë të mirë tash e disa vjet. Koncerti ishte tërësisht me vepra të kohës së renesancea; barok. Mendoj se përcjellja me çembalo e ka bërë edhe më të veçantë dhe autentik”, thotë Miftari.
Sipas saj, për koncerte të tilla ata mundohen që sa ma shpesh të sjellin tek publiku i Prishtinës, bashkë me kontratenorin Safet Berisha, i cili është konsideruar i profilizuar në këtë stil shume të ndjeshëm dhe të veçantë.
“Muzika dhe arti në përgjithësi ka nevojë të shfaqet dhe të vlerësohet. Mendoj se edhe publiku është pjesë integrale e koncertit”, përfundon Miftari.
Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com