Studentët duhet të paguajnë nëse bien nga provimet ose i refuzojnë ato

1 Dhjetor, 2021 - 2:52 pm

Në fund të shtatorit, Qeveria mori vendim që arsimi i lartë në Kosovë të jetë pa pagesë, studentët e nivelit Bachelor dhe Master në universitetet publike në Kosovë, duhet të paguajnë për paraqitjen e provimeve për herë të dytë. Sipas MAShT-it, këto pagesa janë përcaktuar me qëllim të ngritjes së përgjegjësisë tek studentët, për të kryer obligimet e tyre në kohë

Ndonëse në fund të shtatorit, Qeveria e Kosovës njoftoi studentët se do të lirohen nga pagesa për semestër, provim pranues dhe për provime diferenciale, tash është shtuar një pagesë tjetër. Bëhet fjalë për pagesën prej 1 euro për provimet që paraqiten për herë të dytë në nivelin Bachelor dhe Master në universitetet publike në Kosovë. 

Përmes një udhëzimi administrativ, të nënshkruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, janë përcaktuar pagesat për studentët në institucionet e Arsimit të Lartë.

Edhe pse deri më tani për studentët e nivelit Bachelor ishin të liruar nga pagesat për paraqitje të provimeve, ata tani duhet të paguajnë për t’i paraqitur ato. Përndryshe, pa paguar paraqitja e provimeve nuk figuron në SEMS.  Një gjë e tillë vlen edhe për studentët e nivelit Master. Viteve të kaluara këta studentë kanë paguar 2.5 euro për paraqitje të provimit, teksa tani në rast se të njëjtit nuk e kalojnë provimin në herën e parë, apo nëse e refuzojnë atë duhet të paguajnë 2.5 euro për paraqitjen e provimit për herë të dytë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka konfirmuar se paraqitja e semestrit dhe pagesa e provimeve për herë të parë është falas, por nëse i njëjti semestër regjistrohet për herë të dytë dhe provimi paraqitet për herë të dytë, atëherë duhet paguar.

Pupovci tha se ky Udhëzim Administrativ është përgatitur me qëllim të stimulimit të studentëve për t’i kryer me kohë obligimet e tyre.

“Me Udhëzimin Administrativ Nr.  9/2021 është falas regjistrimi i semestrit në nivelin Bachelor dhe Master për herë të parë, por jo edhe përsëritja e semestrit. Me analogji, është falas edhe paraqitja e provimit për herë të parë, por jo edhe paraqitja e përsëritur e provimit të njëjtë. Përndryshe, tarifat për paraqitje të përsëritur të provimit janë 1 EUR për Bachelor dhe 2.50 EUR për Master. Sipas Udhëzimit paraprak, të gjithë studentët e nivelit Master kanë paguar 2.50 euro për paraqitjen e secilit provim, qoftë për herë të parë ose të përsëritur, ndërsa për nivelin Bachelor ka qenë falas. Tani, kemi arritur një balans – hera e parë është falas për të gjithë dhe kjo do të duhej të ishte stimuluese për studentët që obligimet e tyre t’i kryejnë me kohë dhe me cilësinë e duhur”, ka thënë Pupovci për Express.

Ndërkohë, kryetari i Organizatës Studentore “Reforma”, Oktaj Hasani ka thënë se janë të pakënaqur me nën shkrimin e udhëzimit administrativ që përcakton pagesat nga ministrja Nagavci.

Ai tha se tani për çdo provim të refuzuar dhe të paraqitur për herë të dytë, studentët duhet të paguajnë nga një euro.

“Ne si Organizatë Studentore që jemi të përfaqësuar në Parlamentin Studentor me 5 deputetë e kemi mirëpritur faktin se jemi liruar nga pagesa për semestër dhe provime diferenciale sipas vendimit të Qeverisë, sepse për këtë çështje kemi avokuar dhe kemi pasur takime edhe me Qeverinë e kaluar edhe tash me këtë Qeveri. Ky vendim për ne ka qenë i mirëpritur, mirëpo publikimi i udhëzimit administrativ ku studentët janë detyruar për të paguar për semestër, sa ka qenë i papritur ka qenë edhe i çuditshëm”, ka thënë ai.

Hasani tha se studentët nuk e kanë pritur këtë vendim të Qeverisë, teksa shtoi se për disa studentë këto pagesa mund të ju kushtojnë më shtrenjtë sesa ato semestrale.

“Se kemi pritur se nga lirimi i pagesave semestrale do të ngarkohemi me pagesa të tjera. Realisht nëse e analizojmë për disa studentë kjo mundet me qenë më e shtrenjtë se pagesa semestrale që ka qenë deri më tani. Sipas këtij udhëzimi , tani nëse unë e refuzojë një provim, paraqitjen për herë të parë e kam pa pagesë provimin. Nëse e refuzoj apo nuk e kalojë provimin dhe e paraqesë për herë të dytë atëherë duhet që të paguajë 1 euro, ose përndryshe paraqitja e provimit nuk figuron në SEMS”, ka thënë më tutje ai.

Më 17 shtator të këtij viti, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ishin zotuar se nga 1 tetori i 2021-ës, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet Bachelor dhe Master, ndërsa për studentët e doktoratës do të ketë lehtësi të veçantë.

Kurti asokohe tha se ne beson që me këtë formë nxisin interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë.

Ndërsa, ministrja Nagavci thoshte se me këtë Udhëzim, studentët e nivelit Bachelor dhe Master do të lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë, përfshirë këtu edhe pagesat për provimin pranues dhe provimet diferenciale./KultPlus.com

Të ngjajshme