2 Dhjetor, 2021 - 8:31 pm
Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912)”, me autorë Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra, botim i Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë në “Facebook” se studime të tilla kanë vlerë të madhe për kulturën, trashëgiminë, arsimin dhe historinë e popullit shqiptar.
“Kjo vepër është dëshmi e punës së dijetarëve shqiptarë në shoqërinë e asaj kohe. Besoj shumë që ky publikim do të shërbejë që të njohim më mirë të kaluarën, institucionet dhe pararendësit tanë, në mënyrë që t’u japim vendin e merituar në historinë e popullit tonë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Çekut.
Në këtë promovim ishin të pranishëm shumë njerëz, gjithashtu edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) Naim Tërnava. /KultPlus.com