19 Dhjetor, 2021 - 9:00 am
Kosova përmes sportit në xhudo është ngritur në pediestalet më të larta në vendet, lojërat e kampionatet botërore, shkruan KultPlus.
Së fundmi, xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi është shpallur xhudistja më e mirë në sportin e xhudos për vitin 2021.
Përpos saj, edhe trajneri Driton Kuka është shpallur si trajneri më i sukesshëm për këtë vit në sportin ku ai tani ka veçse tri medalje të arta.
Rreth këtyre ngjarjeve historike kanë reaguar edhe krerët shtetror të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Një tjetër arritje e jashtëzakonshme e ekipit të xhudos të Kosovës. Urime Driton Kukës për fitimin e çmimit të arritjeve të trajnerit 2021, dhe Distria Krasniqit që u shpall xhudistja e vitit”.
“Kënaqem kur shoh ekipin tonë t’i sjellë më shumë lavdi vendit. Të gjithë e festojmë suksesin tuaj”, ka shkruar Kurti në ‘Twitter’.
Në anën tjetër, Osmani ka shtuar se këto dy rezultate janë historike për sportin e Kosovës.
“Edhe dy rezultate historike për sportin në Kosovë. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos si xhudistja më e mirë në botë”.
“Ndërsa, Driton Kuka, mjeshtri i xhudos, u zgjodh trajneri më i mirë në botë në këtë sport”.
“Krenari dhe emocione të jashtëzakonshme. Kosova e artë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Ministri Çeku përmes një postiomi në “Facebook”, uroi të dy për çmimet e merituara, derisa falënderoi ata për krejt çfarë po bëjnë për shtetin e Kosovës.
“Toni, trajner Kosove, më i miri në botë! Urime mjeshtër, faleminderit për krejt çfarë po bën për shtetin tonë. Kampionja jonë olimpike Distria Krasniqi shpallet xhudistja më e mirë e vitit në botë. Urime kampione, plotësisht e merituar”, ka shkruar ai.
Federata Kombëtare e Xhudos ka bërë shpërndarjen e këtyre çmimeve përmes një ceremonie virutale. /KultPlus.com