Regjisorja Elmaze Nura dështon në tentimin për tu bërë deputete

27 Korrik, 2017 - 6:57 pm

Këtë vit listat zgjedhore të disa partive politike brenda tyre patën emra edhe të artistëve.

Një numër artistësh menduan se duke u futur në politikë do të mund të ndihmonin në jetën e qytetarëve të Kosovës, e ndoshta edhe në futjen e kulturës më shumë në agjendën e jetës politike.

Një prej emrave që dështoi të bëhej deputete në Parlamentin e Kosovës është regjisorja Elmaze Nura. Pjesë e listës në koalicionin PDK-AAK-NISMA, Nura nuk morri votat e nevojshme për të qenë në mesin e 39 deputetëve të këtij koalicioni në Parlamentin e Kosovës.

Ky ka qenë edhe tentimi i parë i Elmazes drejt një karriere e cila duket se, si për fillim, nuk i ka dalë suksesshëm. Nura njihet si regjisore e shfaqjeve “Lisistrata” dhe “Ku..Çka” ndërsa ka qenë e infiltruar në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Nura ka mbajtur numrin 42 në listën e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, ndërsa në listën përfundimtare të rezultateve nuk figuron emri i saj.

Profesoresha e ka siguruar komunitetin artistik se do të jetë përfaqësuese e vendosur e interesave të tyre.
“Besoj se një zë artisti në Kuvendin e Kosovës, do të jetë një mundësi më shumë, për të zhvilluar artin e kulturën, për të ndarë në mënyrë të drejtë dhe të merituar, më tepër fonde për krijuesit tanë. Nëse fitoj besimin e votuesve, arti dhe kultura, do të jenë prioritet kryesor i aktivitetit tim politik. Ka ardhë koha, për t’i kthyer sytë te vlerat e vërteta artistike”, është shprehur kandidatja në rrjetin e saj social Facebook kohë më parë, para zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë tre individët që kanë marrë më së shumti vota nga ky koalicion. / KultPlus.com

Të ngjajshme