25 Dhjetor, 2021 - 8:00 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku është takuar me komunitetin artistik në Kosovë për të diskutuar për reformën në ardhje të politikës kulturore, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Çeku thotë se nga janari do të vijojnë të takohen me komunitetet e librit, trashëgimisë kulturore, vallëzimit, skenës alternative të muzikës, arkitekturës, dizajnit, modës, artizanatet dhe grupeve të tjera në gjithë vendin.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij.
Diskutimet me komunitetin artistik për reformën në ardhje të politikës kulturore
Javëve të fundit kemi dinamizuar diskutimet e hapura me komunitetin artistik. Në ciklin e takimeve të rregullta kemi bashkëbiseduar me komunitetet e arteve pamore, kinematografisë, muzikës klasike, ansambleve folklorike dhe teatrit. Nga janari e tutje vijojmë me librin, trashëgiminë kulturore, vallëzimin, skenën alternative të muzikës, arkitekturën, dizajnin, modën, artizanatet dhe grupet e tjera në gjithë vendin.
Synimi ynë i përbashkët është reformimi i sektorit të kulturës. Kemi nevojë për institucione publike të kulturës që kanë pavarësi financiare, qeverisje të qëndrueshme, program cilësor, prezantim ndërkombëtar dhe audiencë të zhvilluar. Poaq i rëndësishëm është edhe rregullimi i bashkëpunimit strategjik të shtetit me skenën e pavarur kulturore, zgjidhja e statusit të artistit të pavarur dhe nxitja e krijimtarisë artistike në gjithë territorin e shtetit.
Shpreh mirënjohjen time për secilin e secilën për pjesëmarrje dhe kontribut. I inkurajoj të tjerët të na bashkohen në diskutimet e radhës. Çdo mendim, kritikë e propozim ka vlerë të madhe në hartimin e dokumenteve të reformës. Koncept dokumenti për kulturën do ta trasojë rrugën tonë drejt ndryshimeve të shumëkërkuara në sferën e kulturës. Bashkëbisedimi me komunitetin artistik është element qenësor i këtij procesi. Duhet ta ndërtojmë bashkë atë që më pastaj do ta zbatojmë bashkë./KultPlus.com