Armëpushimi më i veçantë në botë

26 Dhjetor, 2021 - 7:00 pm

Gjithçka do të niste më 28 korrik 1914, për të përfunduar më 11 nëntor 1918. Një konflikt si ky, nuk ishte parë kurrë më parë në histori. Rreth 65 milionë vetë morën armët dhe u përfshinë në luftë.

Ishte me të vërtetë një konflikt global, nga brigjet e Amerikës deri në territoret e Azisë. Një luftë që ndryshoi natyrën e vetë luftës. Por megjithatë, kishte ende humanizëm në gjithë atë errësirë.

Ishte Krishtlindja në frontin perëndimor, në Francën veriore, ku përballë ishin gjermanët me britanikët, kur diçka e çuditshme ndodhi. Në orët e vona të vigjiljes së Krishtlindjeve, ushtarët britanikë dëgjuan gjermanët në llogoret përballë, duke kënduar këngë patriotike dhe panë fenerë të ndezur.

Britanikët, fillimisht ngurrues, iu bashkuan atyre. Ishte fillimi i një armëpushimi jozyrtar në frontin perëndimor, që u njoh si “Armëpushimi i Krishtlindjes”.

Të nesërmen, më 25 dhjetor, gjermanët i ftuan britanikët të takoheshin në territor neutral. Fillimisht ishullorët dyshuan se gjermanët do të përpiqeshin t’i vrisnin, por kur shkuan i gjetën ata të çarmatosur.

Të dyja palët shtrënguan duart, shkëmbyen dhurata, kënduan, bënë fotografi, ndanë ushqime dhe suvenire. Së bashku, ata varrosën viktimat e luftës dhe riparuan disa llogore të dëmtuara.

Por gjëja më e çuditshme është se ranë dakord, për një ndeshje futbolli Britani-Gjermani. Ishte 1 janari i vitit 1915, kur një major britanik, anonim, i shkroi gazetës “The Times”, se një regjiment anglez kishte luajtur një ndeshje futbolli me gjermanët, të cilët i kishin mundur 3-2.

Kjo ishte ndeshja e vetme e futbollit e luajtur në “tokë asnjanëse” gjatë luftës. Ishte një situatë e paparë më parë në fushë betejë. Në nder të kësaj ndeshjeje është ngritur dhe një memorial i njohur si “Armëpushimi i Krishtlindjes”, në Frelinghien të Francës.

Duhet shtuar këtu se, asokohe, me të marrë vesh ç’kishte ndodhur, komandantët e ushtrive të përfshira në luftë morën masa të rrepta që armëpushime të tilla, të mos përsëriteshin më. / KultPlus.com

Të ngjajshme