Franca, Italia dhe Greqia thyejnë sërish rekorde

29 Dhjetor, 2021 - 11:20 pm

Evropa vijon të shënojë shifra të larta infektimesh me Covid-19, teksa humbjet e jetëve duken të qëndrueshme.

Franca ka thyer sërish rekordin e një ditë më parë, teksa këtë të mërkurë raportoi mbi 208 mijë infektime ditore. Në vend çdo sekonda dy persona rezultojnë pozitiv me virusin vdekjeprurës. Shtrimet mbeten të larta dhe autoritetet i frikësohen një kolapsi spitalor.

Në këtë 24 orësh në Itali kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 mbi 98 mijë qytetarë, duke vendosur kështu një rekord absolut që prej fillimit të pandemisë. Humbjet e jetës kanë shënuar një ulje të ndjeshme në 148 nga 202 që ishin një ditë më parë. 

Situata duket jashtë kontrollit edhe në Greqi, e cila gjithashtu ka thyer rekordin e një dite më parë. Autoritetet shëndetësore greke bën të ditur se janë konfirmuar afro 28 mijë raste, nga 21 mijë që ishin një ditë më parë.

Këtë të mërkurë Autoritetet Shëndetësore në Gjermani raportuan mbi 40 mijë raste të reja infektimesh. Ministri i Shëndetësisë gjermane u shpreh se shkalla e infektimeve ka gjasë të jetë dy ose tri herë më e lartë se ajo çfarë raportohet duke bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë festave.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britaninë e Madhe është shprehur se mbi 90 % e infektimeve të reja në vend janë të variantit Omicron. Në vend janë konfirmuar më shumë se 200 mijë raste nga ky variant./Tv Klan /KultPlus.com

Të ngjajshme