5 Janar, 2022 - 6:00 pm
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja është shprehur i çuditur se pse të rinjtë kosovarë që flasin dhe shkruajnë në mënyrë perfekte anglisht, nuk dinë ta shkruajnë po aq mirë edhe shqipen.
Duke folur për përdorimin e gjuhës, Kraja tha se shpëtimi i vetëm në këtë situatë është që njerëzit të lexojnë më shumë.
“Nëse ka shumë djem dhe vajza në Kosovë, të rinj kryesisht, që e flasin perfekt anglishten, çuditem pse për tërë jetën e tyre nuk arrijnë ta mësojnë shkrimin. Nëse e shkruajnë mirë anglishten, pse nuk e shkruajnë mirë shqipen? Është një gjë që duhet ta tejkalojmë. Këtë nivel shkrimi duhet ta tejkalojmë njëherë e mirë”, tha Kraja.
Gjuhët e huaja duhet të vazhdojnë të mësohen e të fliten, por Kraja thotë se nevojitet përkushtim për ta mësuar edhe shqipen.
“Sepse nuk ka mendim pa gjuhë. Nëse jemi sakat nga gjuha, e kemi sakat edhe mendimin. Këtu është telashja. Është një telashe shumë e madhe puna e gjuhës. Nuk mund të ketë zhvillim, as mendor, as të komunikimit, as të artit, as institucional, pa zhvillim gjuhësor”, tha ai në një intervistë për RTK-në.
Kryeakademiku megjithatë vëren se përdorimi i gjuhës në Kosovë ka avancuar, ndërsa thekson se këtë “matje” nuk e bën duke parë se çfarë shkruhet në Facebook.
“Kemi një shkrim më të stabilizuar, standardin e përdorim më mirë, dhe natyrisht jemi pak më të lirë, në kuptimin që trajtat dialektore i fusim me një liri më të madhe”, tha Kraja.
Ajo që duhet të ndryshojë në Kosovë rreth gjuhës është shkolla, sipas tij.
“Ajo (shkolla) duhet të kultivojë dhe të insistojë që me gjuhën të punohet më shumë, që nga klasa e parë dhe deri në fund”, tha Kraja. / KultPlus.com