30 Janar, 2018 - 6:00 pm
Ajo ishte një konferencë shkencore dyditore dhe padyshim shumë e rëndësishme jo vetëm nga pjesëmarrja e lektorëve, por mbi të gjitha për atë se çfarë solli fryma e kumtesave. Gjithçka u organizua në kuadër të çeljes së vitit kulturor Austri -Shqipëri 2018.
Ndaj dhe në datat 26-27 janar 2018 pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u organizua një konferencë dhe një ekspozitë me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, shkruan Gazeta Shqiptare.
Në konferencën për shtyp të mbajtura me rastin e çeljes së vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e vlerësoi si një rastësi të bukur e ndoshta të parastësishme përkimin e këtij viti kulturor të Austrisë në Shqipëri, me vitin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kremtimet e të cilit nisën veç disa ditë më parë.
Nga ana e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi vlerësoi se aktivitetet për vitin kulturor shqiptaro-austriak u çelën me ekspozitën dhe konferencën shkencore, që u organizua në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar, Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë.
Konferenca shkencore solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918, periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë. Akademikë nga Austria dhe Shqipëria kujtuan ngjarjet e asaj kohe, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe influencimin e marrëdhënieve mes dy vendeve prej Luftës së Parë Botërore e deri në ditët e sotme. Konferenca shkencore trajtoi gjithashtu tema të tilla si: “Aneksim ose protektorat” dhe ndikimin austriak në infrastrukturë, politikë, administratë, ekonomi, kulturë dhe arsim. Thelluan këndveshtrimin historik me kumtesat e tyre: Prof. Dr. Paskal Milo, Dr. Tamara Scheer, Dr. Dorian Koçi, Dr. Marenglen Kasmi, Prof. Dr. Valentina Duka, Dr. Kurt Gostentschnigg, Prof. Dr. Proletar Hasani, Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. As. Dr. Ledia Dushku, Dr. Erwin Schmidl, Dr. Gentiana Kera, Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa), Prof. Dr. Anila Omari, Prof. Dr. Aljula Jubani Prof. As. Dr. Bendis Kraja, Prof. As. Dr. Izer Maksuti, Dr. Rovena Vata, Prof. Dr. Luan Përzhita dhe Dr. Skënder Bushi.
Padyshim, arti dhe kultura kanë treguar se shërbejnë si ura komunikimi mes popujve dhe njerëzve dhe si instrumentet më të mirë për t´i bërë bashkë ata. Bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një ndër pjesët më të rëndësishme të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.
E veç kësaj dokumentet historike dhe imazhet fotografike të Shqipërisë dhe monarkisë austro-hungareze gjatë viteve 1916-1918, u prezantuan në një ekspozite fotografike. Ekspozita në fjalë përmban foto të Shqipërisë së asaj kohe realizuar nga ushtarët dhe regjentët austriakë në vendin tonë. Në ekspozitë bëhen të njohura për publikun imazhe të ndryshme, të cilat të rikujtojnë një marrëdhënie, e cila ka lënë gjurmë në kujtesën e atij brezi që e ka përjetuar, por dhe brezi i ri, i cili me anë të këtij organizimi, mëson shumë nga ajo periudhë. Ndër fotot më interesante të ekspozuara ishin fotografitë e grave dhe burrave shqiptarë me veshjet karakteristike popullore, në të cilat ndërthuret tradita dhe folklori. Gjithashtu e veçanta tjetër në këtë ekspozitë mbeten dhe imazhet e disa prej qyteteve si Tirana, Durrësi, Elbasan etj, gjatë ndikimit të monarkisë Austro-Hungareze në periudhën mes viteve 1916-1918.
Ndërkohë mes seancave të konferencës shkencore u shfaqën dhe pamje filmike austriake, të marra nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Pamjet filmike përmbanin: Mbërritjen e Princ Vidit në Durrës; Shqipëria gjatë vitit 1914; Pamje nga jeta në Durrës; Pamje nga Shqipëria e viteve 1920 -1928./ KultPlus.com