22 Janar, 2022 - 9:50 pm
Poezi nga Binak Kelmendi
Djalin e kishte marrë malli për Prishtinën
Ardi erdhi në Kosovë dhe ndenji vetëm katër ditë
E mirë qenka liria tha
Këtu çdokush bëka çfarë duaka
Edhe rryma po u ndalka pa e prek butonin
Edhe uji po u ndalka pa e shtypur rubinetin
Kontejnerët e bërllokut qenkan nëpër shkallë
Fiks liri
Nuk di a është kështu te “Hasan Prishtina”
Në kohën time shkonim kokulur në shkollë
Nëpër derën e gjerë hynin serbët e serbet duke u kakarisur
Mësuesit i prisnin me revole në brez dhe me dorën në revole
Ne ulnim kokën
Mezi përbiroheshim nëpër derën e vogël
Mësuesja na merrte përdore:
Mos shikoni andej nga porta e madhe
Andej janë ata
Po duan të zënë në thua në ne
Kanë për të rënë në kokërr të shpinës
kanë për ta thyer kokën…
e thefshin.
Qenka e mirë liria,
Nxënësit në shkollë po kaluakan nëpër derën e madhe me këngë tha dhe iku me lirinë tjetër të vet.
(tetor, ’21)./ KultPlus.com