27 Janar, 2022 - 12:17 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit.
Data 27 janar është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vitin 2005 , si “Dita Ndërkombëtare e Holokaustit”, në përkujtim të viktimave të gjenocidit nazist.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore qindra hebrenj u strehuan në Shqipëri për një periudhë të gjatë, edhe përgjatë kohës së pushtimit të Shqipërisë nga forcat naziste. Pushtuesit gjermanë kërkuan regjistrimin dhe raportimin e tyre, por shteti shqiptar i asaj kohe veproi ndryshe nga vendet e tjera, si Polonia apo Greqia, duke mos marrë masa shtrënguese kundrejt tyre, por duke i mbrojtur ata.
Gjatë periudhës së komunizmit, pati disa përpjekje nga UNRRA për riatdhesimin e hebrenjve të cilët ende jetonin në vendin tonë, dhe ndonëse disa prej tyre u riatdhesuan, ky proces u ndal përfundimisht në vitin 1946. Dokumentet arkivore tregojnë se deri në vitin 1954 në Shqipëri gjendeshin 237 hebrenj, më së shumti në Tiranë dhe në qytetin e Vlorës, numër ky, i cili u reduktua në 92 hebrenj, në vitin 1961. Pjesa e mbetur e tyre provoi të njëjtat vuajtje sikurse dhe populli shqiptar dhe u mbajtën nën një kontroll të rreptë e rigoroz, siç cilësohet dhe në direktivat agjenturore të vitit 1953.
Dëshmi e këtij regjimi të rreptë është dhe rasti i Emil Blast. Hebreu i lindur në Berlin në 1886-ën, i cili erdhi në Shqipëri, në vitin 1937, por që 8 vite më vonë, më 27 janar 1945, u arrestua si “armik i popullit” dhe u cilësua“agjent progjerman”.
U arrestua në një moshë të thyer dhe në gjendje shëndetësore të rënduar dhe për këtë arsye pjesën më të madhe të dënimit ai e kaloi në spitalin e burgut, ku ndërroi dhe jetë më 13 maj 1948./atsh/ KultPlus.com