Shqipëri e Kosovë me qendra të përbashkëta kulturore në diasporë

5 Shkurt, 2018 - 3:38 pm

Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të komunitetit shqiptar në ‘Troy Community Center’ në Detroit, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko foli për hapat e ndërmarrë deri më tani dhe gjithashtu për projektet që synojnë mbështetjen dhe krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës, transmeton atsh.

Të dielën ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, udhëtoi në New York, ku i shoqëruar nga homologu kosovar, Dardan Gashi, zhvilloi një takim me drejtorët dhe mësuesit e shkollave shqipe.

Në takimin e zhvilluar në Konsullatën e Republikës së Kosovës ishin të pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, dhe konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatçija.

Me këtë rast u diskutua mbi aktivitete të ndryshme arsimore në New York, të tilla si Festivali i Shkollave Shqipe. Ky aktivitet, që zhvillohet në muajin maj, u vlerësua si moment i favorshëm për organizimin e një takimi me përfaqësues të lartë të arsimit nga Shqipëria dhe Kosova, ku do të diskutohet më gjerësisht mbi shqetësimet kryesore e mbi mënyrat për t’i dhënë zgjidhje atyre.

Drejtorët dhe mësuesit e shkollave të gjuhës shqipe i njohën ata me kushtet dhe problematikat kryesore me të cilat përballen. Një prej shqetësimeve kryesore të tyre ishte sigurimi i librave të gjuhës shqipe dhe të dy ministrat u shprehën të gatshëm për të ndihmuar.

Mësuesit sugjeruan të ofrojnë mbështetjen në hartimin e një teksti për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe përmirësimin e kurrikulave për t’u përshtatur më mirë fëmijëve të diasporës.

Ministri Majko deklaroi se arsimi është një prej prioriteteve kryesore të tij, duke informuar të pranishmit mbi marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës lidhur me krijimin e qendrave të përbashkëta kulturore, të cilat kanë për qëllim eksportimin e kulturës dhe ruajtjen e forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen.

Ministri Majko propozoi ngritjen e një këshilli koordinativ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ndalur gjithashtu tek çështja e certifikimit të mësuesve të gjuhës shqipe. Ndërsa i përgëzoi për punën e deritanishme, ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi angazhim të përbashkët për përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në klasat e gjuhës shqipe./ KultPlus.com

Të ngjajshme