20 Shkurt, 2022 - 10:55 am
Artpolis do të prezantojë në Beograd performancën skenike “Gjuetaret e Artemidës” në kuadër të edicionit të Festivalit “Arts & Human Rights”, që organizohet nga Teatri DAH, më 24-27 shkurt 2022 që bën bashkë artistë/e dhe aktivistë/e nga mbarë bota.
Me regji të Zana Hoxhës kjo performancë do të prezantohet para publikut në Serbi më 25 shkurt nga ora 20:00 në Dorcol Platz. Inspiruar nga natyra dhe bukuritë e fshatit Kukaj, aty ku hapësira dhe çdo gjë që e rrethon këtë ambient është në harmoni me tokën dhe qiellin, nisi një tregim i jashtëzakonshëm i performancës “Gjuetaret e Artemidës”. Ky proces krijues filloi nga një vizitë në natyrën e qetë, që ishte shërim për trupin dhe shpirtin, e që e frymëzoi regjisoren Zana Hoxha, të krijojë një vepër që është në përputhje me natyrën si perëndeshë shëruese, burim i jetës dhe energji e pashtershme. Koreografia, muzika, kostumet dhe performanca e aktoreve ndërthuren për të vënë në pah fuqinë, dashurinë dhe solidaritetin natyror të gruas.
“Gjuetarët e Artemidës” ishte dhënë premierë pikërisht në Kukaj, më 25.09.2020, në edicionin e dhjetë të Etno-Festit, duke rrëmbyer edhe dy çmime: Shfaqja më e mirë, dhe Performanca më e mirë. Njëherësh kjo i kishte paraprirë edicionit të tetë të Festivalit FemArt.
Aktoret Aurita Agushi, Kaltrinë Zeneli, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qendresa Kajtazi, Hajat Toçilla dhe Fitore Jashari sjellin këtë performancë me koreografi të Robert Nuhës, muzikë të Arbër Salihut e kostumografi të Arbnor Brahimit.
Festivali “Arts & Human Rights”, është një platformë për të prezantuar ide dhe koncepte që vënë në pah dhe ndërlidhin artin me të drejtat e njeriut, duke avokuar për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky edicion vjen nën moton “Arti në veprim”, me synimin për të inkurajuar dhe fuqizuar qytetarët për të luajtur rol aktiv për ndryshim në komunitet, për t’i bërë bashkë artistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut me një komunitet sa më të gjerë. Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit janë individë dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën Artpolis nga Kosova, përmes së cilave synohet rigjallërimi i komuniteteve dhe ndërlidhja e dallimeve.
Artistë/e dhe aktivistë/e nga Spanja, Izraeli, Mali i Zi, Kosova, Irlanda, Irani Belgjika e Brazili do të diskutojnë, prezantojnë e performojnë përmes veprave të tyre artistike. /KultPlus.com