5 Mars, 2022 - 12:45 pm
Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së, shkruan KultPlus.
Fjalimi i plotë i presidentës Vjosa Osmani në këtë seancë.
“Sot jemi mbledhur në këtë seancë të veçantë për të përkujtuar sakrificën e familjes Jashari, peshën historike të ngjarjeve 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 por dhe ndikimin e të gjithë atyre grave, burrave dhe të rejave dhe të rinjëve pati në historinë tonë më të re.Marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri.Në këtë ditë, fryma e lirisë që nisi në Prekaz në familjen Jashari u bart gjithandej nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, që është vetëm njëra prej disave të tilla, por do të mbesë në historinë tonë edhe për shekuj të tërë, Familja Jashari në Prekaz u ndodh nën rrethimin e forcave të regjimit gjenocidal serb”.
Rrethime të tilla kjo familje kishte përjetuar edhe më 30 dhjetor 1991, më 22 janar 1998 dhe së fundi edhe më 5, 6 e 7 mars 1998.Në të tri rrethimet, rezistenca e familjes Jashari në krye me bacën Shaban, Hamzën dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, nuk ishte përpjekje thjesht për mbrojtjen e pragut të shtëpisë së tyre.Ata, bashkë u vunë në mbrojtje të pragut të Kosovës, shtëpisë sonë të përbashkët për të cilën u flijuan. Në tri ditët e Epopesë, ata u heroizuan dhe të tillë, pra si heronj të kombit do të mbeten për sa të jetë Kosova.Ata u vunë në mbrojtje të dinjitetit, të lirisë dhe të së drejtës për shtet, prandaj sot në këtë ditë, përulemi para veprës së tyre heroike. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 98, rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim të të gjithë popullit për t`i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar mesazhin se liria nuk ka çmim.
Duke refuzuar nënshtrimin, Komandanti Legjendar, Adem Jashari bashkë me shumë anëtarë të familjes e bashkëfshatarë ranë heroikisht, në mbrojtje të atdheut. Ky sakrifikim epik i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë u bë guri themeltar i lirisë dhe shtetit tonë. Kjo familje është portreti i lirisë sonë, e cila ishte e zorshme për t’u arritur, për të cilën u desh shumë mund, për të cilën ranë edhe 3 mijë dëshmorë të UÇK-së, 13 mijë civilë, u dhunuan afro 20 mijë gra e burra, dhe të zhdukur me dhunë janë ende mbi 1600 persona. Por, ende nuk ka drejtësi për asnjërin nga ta.
Prandaj, duhet të vendoset drejtësia edhe për të pasur kuptim liria jonë, edhe për të nxjerrë mësime nga historia. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi, sepse këtë e kemi obligim për një të ardhme më të mirë. Rezistenca dhe sakrifica sublime e familjes Jashari ishin dhe janë idealet për ta mbrojtur lirinë dhe të drejtën për të jetuar në shtet sovran. Këtë e bëri familja Jashari nën guximin, jo vetëm të familjarit, por edhe të komandantit të ushtrisë sonë, legjendarit Adem Jashari. Faleminderit komandant! Faleminderit familje Jashari! Faleminderit Ushtrisë sonë çlirimtare, të cilët vulosën fatin tonë si popull dhe si shtet. Sot jemi këtu në këtë ditë përkujtimore, në kazermën që me krenari mbanë emrin e komandantit legjendar, prandaj si krenaria ashtu edhe përgjegjësia jonë janë bërë bashkë.
Përveç frymëzimit që jep ky emër për secilin ushtar të Republikës së Kosovës, i ngarkon ata edhe me përgjegjësi për atdheun në kohën kur paqja po bëhet gjithnjë e më sfiduese. Sikurse dikur ne, bota sot është në përpjekje për mbrojtjen e lirisë si një e drejtë universale. Sot, mbi ushtarët tanë bie barra e sigurisë për popullin dhe për shtetin tonë. Unë besoj fuqishëm se ju jeni gardianët tanë dhe gardianët e çdo cepi të territorit të Kosovës. Lufta jonë çlirimtare bashkë me aleatët tanë e bëri lirinë tonë, e ju të nderuar ushtarë do ta mirëmbani lirinë tonë. Kërcënimet ndaj lirisë, tashmë janë realitet, të cilin ne akoma po e përjetojmë. Hegjemonia po shihet akoma në kontinentin tonë, pra në Evropë. Ne i njohim edhe sot vuajtjet e tyre dhe i njohim gjithnjë e më shumë ata që synojnë hegjemoninë.
Kjo situatë e bën të domosdoshme nevojën për unitet dhe për vigjilencë, sepse siç nuk ka luftë të përhershme, nuk ka as paqe të përhershme! Ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga përpjekja jonë që shtetin ta mbajmë stabil, e t`i dalim zot kudo, e kurdo. Si komandante supreme e ushtrisë sonë, jam e bindur se ju të dhashur ushtar do ta bëni këtë dhe jeni të gatshëm për secilën situatë. Megjithëse ushtria jonë është në fazën e transformimit, ju tashmë keni dhënë prova të mjaftueshme se krahas partnerëve ndërkombëtarë mund të shërbeni në çdo mision, të jeni jo vetëm garantues te paqes në shtetin tonë, por edhe importues të saj, kudo ku e kërkon nevoja.
Sot, sikurse asnjëherë më parë, ne duhet ta rrisim përkushtimin për ushtrinë tonë. Prandaj, themelimi i Fondit të Sigurisë nga ana e Qeverisë është dëshmi se ne duam ta forcojmë ushtrinë tonë në të gjitha mënyrat dhe me kontributin e gjithsecilit. Kjo është ushtria jonë e ndërtuar me shumë sakrifica, ndaj të gjithë ne duhet ta ndjejmë përkatësinë ndaj saj, jo vetëm nga shërbimet që i ofron ajo, por edhe duke e mbështetur konkretisht, sepse sa më shumë e mbështesim ushtrinë tonë, më të sigurt e kemi të ardhmen tonë. Prandaj, besoj fuqishëm se do ta arrijmë këtë me përkushtimin, kurajën dhe guximin e vajzave dhe djemve të Forcës, e cila po rritet çdo ditë e më shumë së bashku me kapacitet tona.
Ushtria jonë në këtë proces po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, e them sërish siç e kemi thënë në këto 14 vite, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, ndaj anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike tani është më i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqe në rajon. Prandaj, të nderuar ushtarë të Forcës, të nderuar pjesëmarrës, shumë e nderuar familje Jashari, luftëtarë të lirisë, aleatë tanë, heronjtë që ranë për lirinë tonë së bashku me viktimat civile e bën lirinë të mundshme, ne na mbetet që ta mirëmbajmë atë, ta forcojmë shtetin dhe ta sigurojmë atë duke e bërë pjesë të NATO-s, duke e bërë pjesë të Bashkimit Evropian, e të Kombeve të Bashkuara
Ky është mesazhi të cilin, ne përfaqësuesit e republikës së lirë të cilët e kanë përjetuar dhunën hegjemonike, duhet që edhe sot në këto ditë të errta të hegjemonisë së Evropës, të ua dërgojmë të gjithë njerëzve e popujve liri-dashës. Ne sonte na ka mbledhur në këtë seanca krenaria për heroin tonë”, thotë mes tjerash presidentja Osmani. /KultPlus.com