15 Mars, 2022 - 1:24 pm
Albanika Ymeri
Përgjatë zhvillimit historik të letërsisë është dëshmuar se ajo nuk mundet të jetojë përbrenda kufizimeve metodologjike. Megjithatë, për shkak të karakterit shumëdimensional që letërsia posedon në vetvete, atë e kanë studiuar një varg disiplinash të ndryshme teorike, të cilat gjatë kohës kur zbatoheshin sillnin një frymë të re, një mënyrë të re të qasjes në studimet letrare.
Andaj, vërejmë se në vazhdimësi ka pasur orvatje nga studiues të ndryshëm që të krijohet një poetikë për letërsinë, e cila do të shërbente si një hartë udhëzuese për krijimin e teksteve letrare.
Mirëpo, letërsia, si art i fjalës, që përdorë një ligjërim të veçantë, i cili shkrihet brenda një strukture komplekse tekstuale, ia doli të tejkalon kufijtë e çdolloj metode, të cilët ia merrnin frymën.
Letërsia arriti që të mbijetojë, përtej këtyre kufizimeve të shumëfishta, falë shkrimtarëve gjenial, që me veprat e tyre artistike shkonin përtej kohës dhe metodave, përtej çdo censurë teorike. Kësisoj, ata treguan se qenia e letërsisë nuk mund të përcaktohet e aq më pak të kufizohet.
Nën këto suaza, autori me veprën e tij letrare, jo vetëm që ka thyer rregullat teorike, por ai është bërë edhe model përfaqësues i një shkrimi të ri të letërsisë.
Një figurë e shquar e letërsisë shqipe është dhe do të mbetet Rexhep Qosja. I lindur më 1936, në Vuthaj të Malit të Zi, personaliteti i tij do të fillojë të formohet fillimisht nga mësimet që i mori në vendlindje, e pastaj nga studimet e përfunduara në Prishtinë e Beograd.
Më 1960, i filloi studimet në Universitetin e Prishtinës, në departamentin e “Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe” të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, për t’i vazhduar ato në Fakultetin Filologjik të Beogradit gjatë viteve 1967/68, kurse më 1971 doktoroi me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”.
Pas specializimeve në fushën e letërsisë, u emërua këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, për t’u bërë më pas drejtor i këtij instituti, gjatë viteve 1972- 1981.
Gjithashtu, Qosja, dha kontribut të madh në shkollimin e të rinjve shqiptar, duke shpalosur dijen e tij para një numri të madh të studentëve. Ai ishte profesor, e më pas shef i degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik, kurse gjatë viteve 1974 – 1975, merr detyrën e kryeredaktorit në revistën letrare “Jeta e Re”.
Mirëpo, Qosja, nuk mbetet vetëm një studiues i letërsisë, ai me veprat e tij letrare do të bëhet një shkrimtar i papërsëritshëm i letrave shqipe.
Këtë gjenialitet krijues të tij do ta vërejmë që nga botimi i romanit të parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), e pastaj te dramat e botuara, 4 vite pas veprës, me titullin e përbashkët “Mite të zhveshura” (1978), vepër që mund të lexohet si tërësi e pandarë ose edhe si pjesë të pavarura dramatike, pasi në të përfshihen dramat: “Sfinga e gjallë”, “Beselam, pse më flijojnë” dhe “Vdekja e një mbretëreshe”. Kurse monodrama “Bardha”, sipas studiuesit Ag Apolloni, është më shumë deklamacion se sa dramë.
Veçantia artistike e Qosjes, e që është origjinaliteti krijues, shpaloset edhe në veprat e tjera prozaike, siç janë “Një dashuri dhe shtatë faje” (2003), “Nata është dita jonë” (2007), “Bijtë e askujt”, e botuar në dy vëllime (2010), dhe “Të fshehtat e treguara” (2020).
Duhet theksuar se proza letrare e Qosjes, jeton ndërmjet figurës së ironisë, si figurë qendrore dhe ndërthurjeve të diskurseve të ndryshme letrare dhe joletrare, e cila solli poetiken postmoderniste si risi në letërsinë shqipe, për ta vënë atë krah për krah me letërsinë botërore.
Pra, emri i Qosjes sjellë me vete një poetikë të re në letërsinë shqipe. Sepse që me botimin e romanit të parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), Qosja, solli risitë e para të postmodernizmit.
Duke u bërë themeluesi i saj në letërsinë shqipe, e tërë krijimtaria e tij në prozë do t’i përmbahet kësaj poetike.
Nga e gjithë kjo krijimtari postmoderniste, kryevepra që shpërfaqin hapa të një mësuesi gjenial, jemi ndalur tek vepra Bijtë e askujt e Qosjes.
Përmes këtij shkrimi, romani Bijtë e askujt, është i mbikëqyrur nën llupën e postmodernizmit, me ç’rast do t’i hetojmë konceptet, terminologjitë dhe poetikën e kësaj metode, e në mënyrë më të veçantë do të ndalemi tek ironia dhe brikolazhi.
Kjo sprovë studimi, për t’u bërë më e lehtë, do të ndahet në kapituj dhe nënkapituj, por sigurisht, që një rëndësi më e madhe do t’i kushtohet ironisë dhe stilit brikolar, pjesa kryesore e këtij shkrimi!
Fillimisht do të shtjellojmë termin dhe përkufizimet e ndryshme rreth postmodrnizmit, kohën e shfaqjes, e pastaj në vija të holla, do t’i përmendim disa nga elementet kryesore të kësaj poetike, siç janë: metafiksioni historiografik, intertekstualiteti dhe intermedialiteti, pastishi, ironia, ars combinatoria, fenomenin e njohur si poioumenon, etj.
Pastaj, do të flasim për strukturën e veprës, me ç’rast, fillimisht do të hetojmë kompozicionin formal e pastaj kompleksivitetin poetik. Një gërshetim i tillë strukturor, pashmangshëm do të na shpie te një strukturë arkitektonike postmoderniste, që si themel ka Double Coding-un. Përmes këtij shkrimi dë të mundohemi ta trajtojmë origjinalitetin krijues të Qosjes, i cili zhvillohet mes premisave realiste dhe postmoderniste, një origjinalitet që nuk imponon jetën, por imponon shkrimin.
Ky origjinalitet do të zbërthehet duke analizuar personazhet dhe funksionet e tyre, të ndarë në protagonist dhe antagonist.
Personazhe të cilave autori asnjëherë nuk i idealizon, por krijon rrethana origjinale dhe të veçanta, të përshtatura gjithherë me karakterin që atyre iu është dhënë që në fillim.
Ndërsa, në pjesën vijuese do të flasim për ironinë dhe brikolazhin, kësisoj, do të shpalosim shtresimet e shumëfishta ironike, duke filluar që nga titulli i veprës, i cili është sa ironik aq edhe paradoksal.
Kurse përmes pjesës së brikolazhit do të hetojmë ndërthurjen e motiveve, fragmenteve dhe stileve të ndryshme, ndërthurje e cila shpërfaq një artileri të madhe referencash nga tekste të ndryshme letrare dhe joletrare.
Mirëpo, Rexhep Qosja nuk i është ndarë asnjëherë letërsisë edhe atëherë kur është marrë me kritikë apo vepra publicistike, në të cilat ka trajtuar çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi.
Kurse si studiues i historisë së letërsisë shqipe, Qosja do të lë gjurmë të mëdha me studimin e periudhës së Rilindjes, të botuar në tri vëllime Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi, 1, 2, 3.
Duke ditur rëndësinë dhe veçantinë krijuese të Rexhep Qosjes, në kohën e fundit është botuar krijimtaria e tij letrare e shkencore, në 29 vëllime, botim që është strukturuar në pesë cikle:
1. Veprat historiko-letrare:
“Panteoni i rralluar”, “Asdreni – jeta dhe vepra”, “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”, “Anatomia e kulturës”, “Nocione të reja albanologjike”, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi”, botuar në tri vëllime, “Porosia e madhe”, “Tri mënyra të shkrimit shqip” dhe “Semantika e ndryshimeve historiko-letrare”.
2. Veprat letrare:
Tregimi satirik “I ringjalluri i penduar”, dramat “Mite të zhveshura” dhe romanet “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “ Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë”, “Bijtë e askujt”, botuar në dy vëllime.
3. Veprat historike dhe historiko-dokumentare:
“Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit”, botuar në dy vëllime, dhe “Rilindja e dytë”.
4. Veprat publicistike:
“Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Ligjërime paravajtëse”, “Fjalor demokratik”, “Demokracia e shpërdorur” dhe “Intelektualët, etika dhepolitika”.
5. Veprat polemizuese:
“Morfologjia e një fushate”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur” dhe “Të vërtetat e vonuara”
Ndonëse veprimtaria e tij, përfshinë shumë aspekte të jetës kulturore shqiptare, Qosja, prehjen shpirtërore e ka gjetur vetëm te letërsia, te vepra fiksionle. Siç e pohon edhe ai vetë, në një intervistë dhënë revistës “Symbol”:
“Kritika letrare, në përgjithësi studimet letrare, më pak a më shumë janë kufizuese, dua të them se ta kufizojnë lirinë e mendimit e të shprehjes, lirinë e imagjinatës. Krijimi i veprës gjuhësore artistike, i veprës letrare, ta sjell, ta dhuron këtë liri. Duke e krijuar veprën letrare je i gjithi, je i plotë, i tërësishëm me mendje, me imagjinatë, me gjykim dhe me ndjenja. Krijimi i veprës letrare të bën ta shijosh thelbësisht vlerën e lirisë në jetën e njeriut: të lirisë së pakufizuar”.
Kësisoj, Rexhep Qosja, është njëri nga personalitetet më meritor për emancipimin dhe përparimin e letërsisë shqipe.
Si historian dhe kritik i letërsisë, si publicist e eseist, romancier dhe dramaturg arriti që të bëhet një veprimtar, i cili për qëllim ka ngritjen e vetëdijes historike, kulturore e artistike të popullit të tij.
Modernizmi / Postmodernizm
Nëse luajmë një lojë postmoderne, atëherë rikthimi në të kaluarën, në modernizëm, është i domosdoshëm. Ky rikthim vë përballë dy nocione, modernizëm dhe postmodernizëm, me ç’rast hyjmë në një diskutim të madh, i cili ka ngjallur pyetje të shumta në letërsi dhe në fusha të ndryshme.
Moderniteti si epokë letrare, lidhet me shekullin XVIII, e në veçanti me shekujt XIX dhe XX, ku shfaqen shkrimtarët modernë, siç ishin Poe, Flauber, Çehov, Kafka, Joyce, Borges etj. Ndërsa, letërsia moderne shqipe fillon me agun e shek XX, periudhë letrare që vjen pas letërsisë së Rilindjes, e cila kurorëzohet me letërsinë e Naimit. Letërsia moderne nis me emrat e shquar siç janë të Konicës, Migjenit, Nolit, Asdrenit, Koliqit dhe Lasgush Poradecit.
Termi modernus, fillimisht nuk shënonte diçka të re, por atë që ishte aktuale, e tashme apo bashkëkohore. Mirëpo, i vënë përballë traditës krijuese, që kishte qëndrim mohues ndaj saj, moderniteti filloi të përcaktonte një poetikë të re, e cila solli risi në stile, forma dhe struktura të shkrimit.
Dominantja e modernitetit, ishte epistemologjia apo teoria e njohjes, ku autori i kthehet vetes, gjendjes së tij shpirtërore, duke shfaqur kështu një individualitet të theksuar emocional dhe psikologjik. Kësisoj, teknikat krijuese mbizotërohen nga monologu i brendshëm, filozofit mbi lirinë dhe jetën e njeriut. Sepse, tanimë ishte fituar besimi se autori, ikonë autoritare, mund të përballet me traditën, për të sjellë premisa origjinale krijuese. Andaj, nuk kishte nevojë për një ligjësi universale apo fuqi të mbinatyrshme, siç ishte Zoti, sepse qendrën e kishte pushtuar njeriu, idealet e lirisë, barazisë, drejtësisë, racionalizmit, kurse rregullat dogmatike kishin mbetur në periferi.
Mirëpo, sot, nuk ballafaqohemi më me debatin traditë – modernizëm, por me debatin traditë – modernizëm – postmodernizëm.
Nuk janë të paktë teoricienët që postmodernizmin e shohin thjesht si një variant të modernizmit apo e përkufizojnë si modernizëm të vonshëm.
Sipas Lyoardit, një teoricien i famshëm postmodernist, postmodernizmi është pjesë e modernitetit: ai nuk është një modernizëm që ka përfunduar, por është modernizëm në gjendje të lindur.
Kurse, për Habermasin, ndonëse sipas tij, që nga fillimet postmodernizmi është antimodern, ai përsëri përbrenda poetikës së vet inkorporon disa koncepte që janë prezent edhe në paradigmën moderne.
Mirëpo, parashtresa Post-modernizëm sikur na bën me e kuptuar rolin dhe rëndësinë e saj, për të shënjuar periudhën përtej modernes, apo mbi modernen.
Nëse vazhdojmë lojën e nisur që nga fillimi, atëherë rikthimi në historikun e këtij termi është i pashmangshëm, po aq dhe i domosdoshëm.
Bagazhi i postmodernes është i mbushur me plot qëndrime të ndryshme dhe kundërthënëse, kjo ndoshta për vetë shkakun se ende nuk është qartësuar përfundimisht domethënia e termit.
Si term postmodernizmi, për herë të parë shfaqet në vitin 1870, në definicionin që J. W. Chapman ia bëri impresionizmit frëng si “stil postmodern i pikturës”, por si letërsi postmoderne konsiderohet letërsia që shkruhet pas Luftës së Dytë Botërore, që do të thotë se që atëherë filloi të shkruhet një letërsi joraciste, kombinatorike, e hapur ndaj të gjitha fushave dhe kulturave.1
Ndërsa, sa i përket postmodernes në letërsinë tonë, edhe ky formacion letrar, do të vijë me vonesë, sikurse çdo drejtim tjetër. Postmodernizmi do të shfaqet tek autorët e Kosovës në vitet ‘80-ta, ndërsa në Shqipëri vetëm pas viteve të ‘90-ta. Modeli më përfaqësues i kësaj poetike në letërsinë tonë konsiderohet Rexhep Qosja, kurse shkrimtarë të tjerë si postmodernë, do të mund të përmendim Vath Koreshin, Zija Çelën, Ridvan Dibrën, Agron Tufën, Bashkim Shehun dhe Ag Apollonin.
Pra, postmodernizmi në letërsi dhe në arte në përgjithësi, është burim i risive krijuese artistike, duke sjell llojllojshmëri në konstruksionet letrare, muzikore, arkitekturale, pikturale e kinematografike.
Mirëpo, filozofia e postmodernizmit në letërsi solli në qendër zbulimin e botës së artit, jo të jetës, sepse vetëdija postmoderne interesohet për gjithçka që është thënë e shkruar para
saj. Si rezultat i kësaj vetëdije postmoderne tekstet e reja duhet ushqyer nga tekstet e vjetra dhe jo nga realiteti jetësor.
Dhe ja, ku jemi futur në konceptet postmoderniste.
Arti letrar postmodernë favorizon diskursin e pluralitetit, fragmentaritetin dhe ambiguitetin. Gjithashtu, postmodernzimi përkrah mininarracionet, histori të margjinalizuara gjatë modernitetit, sepse kundërshton metanarracionet (komunizmin, iluminizmin, psikanalitikën), të cilat kishin karakter gjithëpërfshirës dhe kodifikues.
Studiues të ndryshëm kanë mendime të ndryshme për karakteristikat e postmodernizmit. Megjithatë, në vijim, po i paraqesim disa prej tyre, duke përjashtuar ironinë, brikolazhin dhe double coding-un, për të cilët do të flasim në pjesët vijuese.
Disa nga elementet kryesore të kësaj poetike janë: metafiksioni historiografik, intertekstualiteti dhe intermedialiteti, manuskripti, fenomeni i poioumenon-it etj.
Në vazhdim, po i përmendim kuptimet e tyre:
· Metafiksioni historiografik, term i krijuar nga Linda Hutcheon, përcakton rrëfimin postmodernist si fiksion i dyfishtë, pasi që letërsia nga fiksioni është kthyer në Metafiksion. Pra, paraqet shkrim në stadin META, që merr kuptimin e rrëfimeve të mëdha (sipas termit të Lyotardit).
Ndërsa, termi historiografik aludon rikthimin prapa në histori, por jo si nostalgji e së shkuarës, por si rivizitim kritik i saj. Term i cili shpreh qëndrimet e autorit ndaj të kaluarës, dhe jo qëndrime historike.
Metafiksione historiografike konsiderohen romanet postmoderne, pasi kjo metodë, romanin e shpall si formë dominante dhe përfaqësuese të veten. Përmes tyre, postmodernizmi rishqyrton ‘të kaluarën historike’, dhe nuk mban asnjë qëndrim mohues as ndaj traditës, as ndaj historisë, por ai rivizaton këtë të kaluar me tone ironike, parodizuese dhe assesi me tone nostalgjike.
Sepse postmodernizmin e karakterizon kthimi në histori dhe vërtet ai e problematizon tërë konceptin mbi dijen historike.2
· Intertekstualiteti, term i krijuar nga J. Kristeva kah fundi i viteve të ’60-ta, ndonëse është një fenomen i hershëm letrar, ka qarkulluar me emërtime të ndryshme. Intertekstualiteti paraqet një marrëdhënie më aktive në mes dy a më shumë teksteve, qofshin këto tekste letrare ose jo. Pra, është jehonë e teksteve të vjetra në të reja. Mirëpo, në krijimet letrare postmoderne hasim edhe bashkëveprime me artet e tjera e me fusha të ndryshme komunikative, dukuri e cila emërtohet si intermedialitet.
· Manuskripti shpërfaq një praktikë të shpeshtë të autorëve postmodernist, me ç’rast ata luajnë lojën e dorëshkrimit. Vepra paraqitet si një dorëshkrim i gjetur, dhe tani, ata po e sjellin tek lexuesi i sotshëm. Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një term tjetër postmodernist, siç është pastishi, i cili është imitim i qëllimshëm i stilit, të cilin autori ka vendosur ta fusë në veprën e vet letrare. Një zbërthim praktik i këtyre termave është vepra “Emri i trëndafilit” nga Umberto Eko.
· Poioumenon, term i krijuar nga A. Fowler, është parim krijues, përmes të cilit bëhet shpjegimi nga ana e autorit rreth procesit krijues të një vepre letrare. Duke rrëfyer që nga ngjizja e frymëzimit e deri tek dilemat e përfundimit të veprës.
Nga gjithë kjo përmbledhje e shkurtër, shohim se postmodernizmi arriti të sjellë një ndjeshmëri të re artistike, e cila bën thirrje për t’i rishqyrtuar konceptet tona mbi historinë e mbi krijimet letrare.
Gjithashtu, postmodernizmi hapi horizonte të reja, jo vetëm për autorin, por edhe për lexuesin. Ai shpalli vdekjen e autorit, porse ringjalli jetën e lexuesit, pasi ky i fundit fiton status të ri duke marrë rolin e një bashkautori në një vepër letrare.
Mirëpo, sot për postmodernizmin flitet si për një epokë që ka përfunduar, epokë e cila nuk ka datë të saktë të lindjes, por ka datë të vdekjes: më 11 shtator 2001. Datë që lidhet me rrëzimin e Kullave Binjake në Amerikë, por që shënon edhe rrëzimin e legjitimitetit të demokracisë amerikane, e cila deri në atë kohë ishte një busullë e ndritshme e zhvillimit dhe drejtësisë. Kësisoj, u bë shembja e një iluzioni të madh, shembja e një metanarracioni tjetër, i cili bëri të mundur që të risjellë përsëri, në qendër të jetëve tona, konfliktet dhe kontradiktat.
Në këtë mënyrë, postmodernizmi jep shenjat e fundit të jetës së tij por letërsia vazhdon të jetojë si metafiksion.s
Duke u konsideruar si një projekt i përfunduar, postmodernizmi i lë hapësirë shfaqjes së një periudhe të re, për të cilën vetëm sa kanë filluar sugjerimet, si: performatizëm, post-postmodernizëm, trans-postmodernizëm, metamodernizëm, rimodernizëm etj.
Por, sido që të jetë, edhe modernizmi edhe postmodernizmi duhen shikuar dhe vlerësuar pikërisht në bazë të risive që këto dy formacione letrare sollën me vete.
Postmodernizmi nuk duron përkufizime dhe kjo përmbledhje konsiderohet jopostmoderniste, sepse ai jeton në botën e kaosit dhe nuk duron rregullimin e kësaj bote!
Struktura e romanit
Që nga teoritë antike i kemi të trashëguara konceptet logos – përmbajtje dhe lexis – formë, dhe harmonizimi i tyre, veprën letrare e paraqiste si një tërësi të pandashme. Nga këndej, përmbajtja dhe forma, bëhen dy nocione të rëndësishme për teorinë letrare. Ato konsiderohen të pandashme nga njëra-tjera, sepse kushtëzohen ndërsjellëshmërisht ndërmjet vete gjatë gjithë procesit të krijimtarisë artistike. Në këtë proces forma përcaktohet nga përmbajtja, por edhe vetë ajo, pra forma, ka ndikim të fuqishëm dhe aktiv ndaj përmbajtës.
Ngjarjet që mbarështrohen brenda veprës janë pjesë të përmbajtjes, kurse mënyrat se si ato janë organizuar brenda saj, i përkasin çështjes së formës letrare.
Përmes këtyre dy koncepteve, vepra letrare është analizuar dhe trajtuar edhe nga vetë Aristoteli, në Poetikën e tij. Aristoteli me nocionin formë, kuptonte mënyrat e imitimit, me ç’rast diferenconte format:
narrativë e lartë: epika, narrativë e ulët: parodia,
dramatikë e lartë: tragjedia dhe dramatikë e ulët: komedia.
Përcaktimi i tillë ndaj formave poetike, do të ketë ndikim të madh në zhvillimin e poetikave dhe teorive të ndryshme letrare.
Gjatë zhvillimit teorik të letërsisë do të shohim, që herë përmbajtja e herë forma, kanë dashur të marrin primatin absolut për krijimin e një vepre letrare.
Mirëpo, ky debat sikur ka marrë fund, atëherë kur vepra letrare ka filluar të trajtohet si strukturë letrare: struktura, është një koncept që përfshin edhe përmbajtjen edhe formën për aq sa ato janë të organizuara për qëllime estetike. (R. Welek, O. Voren, “Teoria e letërsisë”). Ndërsa, struktura, sipas Claude Levi-Strauss-it, është një sistem që mbahet nga një kohezion i brendshëm, kohezion i pakapshëm gjatë vëzhgimit të një sistemi të veçuar, dhe që zbulohet gjatë studimit të transformimeve, falë të cilave gjenden veçori të ngjashme në sisteme në dukje të ndryshme.3
Pra, struktura dhe qasja ndaj saj, kanë pësuar transformime përgjatë zhvillimeve teorike letrare, por megjithatë vërehet ende një kohezioni i brendshëm, i pjesëve ndaj tërësisë, që krijon unitetin e veprës letrare.
Nga këndej, rezulton se më nuk është e rëndësishme çka tregohet, por si tregohet:
“… në këtë fazë të kompozicionit ai (shkrimtari), provon tërë potencialin e tij për ta strukturuar tekstin në mënyrë unike. Këtu kalohet nga fabula në thurje (syzhet). Më nuk është e rëndësishme çka tregohet, por si tregohet. Kompozicioni është, në të vërtetë, dëshmi e talentit të autorit. Tema – jo.”4
Në postmodernizëm, struktura sikur merr karakter jo të qëndrueshëm, sepse vetë natyra postmoderniste është kundër çdo përkufizimi e klasifikimi, e cila shkon drejt një formë apo poetikë të hapur, siç do të thoshte Linda Hutcheon.
Për një poetikë të tillë, siç duket është edhe Rexhep Qosja, sepse ajo ia ka dhënë hapësirën e duhur, për të treguar gjithë gjenialitetin e tij krijues. Tiparet postmoderniste vërehen që nga romani i parë i Qosjes, e pastaj ato shtrihen në tërë krijimtarinë e tij.
Edhe romani Bijtë e askujt harmonizohet me elemente të poetikës postmoderniste, për të vazhduar kështu korpusin eksperimental postmodernist në letërsinë tonë.
Bijtë e askujt, një roman voluminoz që shkruhet nga viti 2006, botohet në vitin 2010, fillimisht i ndarë në dy vëllime, pastaj si një libër i vetëm, mund të themi, qëndron në piedestal të krijimtarisë të Qosjes.
Një roman që me pothuajse 700 faqe, të fton që nga titulli paradoksal që të hysh në botën postmoderniste qosjane!
Strukturimi i kësaj bote dhe zbërthimi i saj, padyshim është një çelës, që hap shumë porta për interpretimin e qenësisë së këtij romani. Tiparet postmoderniste mbarështrohen në tërë strukturimin e kësaj vepre. Struktura formale e romanit ndahet në dy pjesë, të cilave iu paraprijnë tri tregime, prej faqes 7 deri në faqen 44.
Pjesët e romanit, të emërtuara si Libri i Parë dhe Libri i Dytë, ndahen në kapituj, duke numëruar kështu 54 kapituj në tërësi. Emërtimi i kapitujve shpjegon temën që ai do të trajtojë. Mirëpo, para Librit të parë dhe të dytë, qëndrojnë disa vargje, të cilat nuk ndryshojnë për
asnjërin prej tyre. Kjo, sepse ato qëndrojnë si shenja paratekstuale, të cilat funksionalizohen dhe marrin kuptimin e duhur, vetëm pas përfundimit të leximit.
Mbarështrimi strukturor postmodernist vërehet edhe në strukturën e brendshme të veprës. Andaj thyhen normat fiktive të romanit tradicional, dhe tashmë nuk kemi raport nostalgjik me të kaluarën, por raport ironik.
Ashtu siç e preferon metafiksioni historiografik, pasi këto elemente dëshmojnë për një implikim tjetër fare në rishikimin e historisë.5
Pastaj, nuk kemi as strukturë të thjeshtë: fillim, mes, mbarim, por strukturë komplekse. Strukturë që përpunohet përmes shtresimit të dyfishtë: kemi dy protagonistë kryesor, dy linja rrëfimesh, dy kohë dhe dy vende të ndryshme.
Kësisoj, përbrenda romanit polifonik të Qosjes, me të cilin na prezanton që në faqet e para të veprës së tij dhe në çdo faqe tjetër, kemi edhe romanin e Miran Bushatit për Tarik Saraçin!
Romani Bijtë e askujt, hapet me pjesën: Në Muzeun e Historisë së Natyrës, pjesë e cila na prezanton me protagonistin e Qosjes, Miran Buashtin, i cili edhe ky është shkrimtar (me vetëdije postmoderne, njësoj sikur shkrimtari ynë), sado që ka studiuar për shkencë:
“Në Muzeun e Historisë së Natyrës unë mund të kërkoj, në qoftë se shkoj për të kërkuar gjë, frymëzime për letërsi e jo për shkencë.”6
Mirani, një djalë i ri, i cili jeton dhe fiton me frytet e imagjinatës, është shqiptar i lindur në Amerikë, pasi familja e tij ishte shpërngulur nga Shqipëria. Në kohën kur po mendonte rreth romanit të ri, e papritura, një paradigmë filozofike, me të cilën fillon vepra, ia ofron në tavolinë materien letrare.
Thirrja e Gjinush Saraçit, Nushit, i biri i Tarik Saraçit, një tjetër shqiptar që jeton në Amerikë, i ikur nga pushteti komunist, ia ofron Miranit, një botë të re fiksionale, një udhë aspak të lehtë, për të arrirë te romani i ri. Kjo pasi, Nushi, do t’i kërkojë Miranit, që të shkruajë për babanë e tij, për Tarik Saraçin. Tariku, një shqiptar që jetoi e veproi në atdhe, një patriot e intelektual i rrallë i kohës së tij, ishte i përndjekur politikisht nga regjimi komunist.
Pas burgimit dhe internimit, Tariku, në mënyrë të fshehur arrin që të ikte në Kosovë. Nga këtu e tutje, familjarët e tij nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur.
Andaj, Nushi, kërkonte nga Mirani, që ta zbardhet jetën dhe vdekjen e babait të tij, ose të paktën të mësonte se ku e kishte varrin:
“Babai im nuk jeton që më tepër se dyzet vjet, thotë.
Jemi pajtuar, thotë, pse nuk jeton qe aq kohë, por nuk jemi pajtuar pse nuk dimë çka do të duhej të dinim për jetën e tij, thotë, dhe, sidomos, nuk mund të pajtohemi pse as sot e gjithë ditën nuk e dimë varrin e tij, thotë.
Ai që nuk i dihet varri, thotë, ai është dy herë i vdekur, thotë”.7
Pra, romani i romanit, do të trajtojë jetën e Tarik Saraçit, një intelektuali shqiptar, tashmë të vdekur. Ndërsa për Miranin, kjo do të thotë se e vërteta historike kishte përfunduar, për t’i hapur shtigjet e të së vërtetës fiksionale, me të cilën do të merret personalisht ai.
Prandaj në përsiatjet e tij, nëse ai do të shkruajë histori apo letërsi, Mirani, zgjedh t’i gërshetojë që të dyja, duke lënë të kuptohet, se vepra e tij do t’i përmbahet procedeut postmodernist.
Pa humbur kohë, Mirani, udhëton drejt Shqipërisë, drejt atdheut të babait të tij, për ta vizituar për të parën herë. Në truallin shqiptar, ai do t’i hulumtojë të dhënat jetësore rreth biografisë së Tarik Saraçit. Në këtë rrugë të gjatë hulumtuese dhe përshkruese për jetën e personazhit të tij, Miranin, do ta ndihmojë Delina Derti. Një vajzë e re dhe e bukur, e cila studionte për letërsi, dhe ishte në prag të doktoratës për poezinë e Sharl Bodlerit. Që të dy së bashku, do të nisin udhëpërshkrimin për jetën e Tarik Saraçit, duke u bërë kështu bashkautorë të një romani, i cili trajton jetën dhe vdekjen nën pushtimin komunist.
Punën hulumtuese, ata, do e nisin në Kurrnajë, me ç’rast Mirani dhe Delina, do të merren me grumbullimin e të dhënave për veprimtarinë intelektuale të Traik Saraçit.
Ata do të takohen me shumë njerëz, të cilët e kanë njohur nga afër ose jo Tarikun, do të intervistojnë shokë e kolegë, shërbyes të pushtetit, gjyqtarë e gardianë, do t’i rishqyrtojnë
deklaratat e vetë Tarikut para hetuesisë, e të dëshmitarëve të tjerë në rastin e gjykimit të tij, të cilët ishin edhe dëshmitarë të jetës nën regjimin komunist.
Kjo dyshe, nuk do të ndalet vetëm në Shqipëri, pasi Tariku, për t’i shpëtuar dhunës komuniste, do të jetë i detyruar të arratiset nga burgu i Burrelit e të strehohet në Kosovë, apo siç njihej atëherë si Republika Federative Popullore e Jugosllavisë.
Përpiluesit e romanit, siç e quajnë Mirani dhe Delina vetën e tyre, do të vazhdojnë të kërkojnë të dhëna faktike për jetën e protagonistit të tyre.
Ata do të gjurmojnë pareshtur në shkrime e dokumente të ndryshme, nëpër biblioteka e arkiva të shtetit, në revista e gazeta të ndryshme, në të gjitha ato, ku kryefjala e tyre ishte figura e Tarik Saraçit, e para së gjithash do të merren në konsideratë veprat e Tarikut, shkrimet, botimet, esetë, deklaratat dhe ditarin e tij personal.
Nga këto dokumente do të kuptojmë se Tarik Saraç kishte lindur më 1921, ishte shkolluar për histori në Universitetin e Padovës, por merrej me letërsi dhe punonte si mësues.
Ndërkohë vjen pushteti komunist, me udhëheqësin Enver Hoxha, i cili do të kontrollojë çdo veprimtari shoqërore, e në veçanti aktivitet e intelektualëve, sepse ata përbënin rrezikun më të madh për sistemin socialist.
Fillimisht fshehurazi e pastaj haptazi dhe me guxim, Tarik Saraçi do ta kundërshtojë këtë sistem, atëherë kur ai sheh, se e keqja, çdo ditë e më shumë po i kanoset vendit të tij.
Këndej e tutje, do të fillojnë vuajtjet e Tarikut, nga pamundësia për të mbrojtur atdheun e pastaj veten dhe familjen e tij.
Duhet theksuar që i gjithë ky përshkrim i plotë dhe i thellë i përndjekjes së Tarik Saraçit, nga Qosja, nuk bëhet vetëm për të arritur efektet letrare e artistike, apo vetëm për të zbërthyer misteret e jetës së tij, por ato janë edhe përshkrime që hapin dimensione të reja sociale dhe psikologjike, e të të kuptuarit të jetës nën thembrën komuniste.
Kësisoj, nga dromcat historike, plotësohet tërësia prozaike e formohet romani përbrenda romanit. Prandaj, siç do të thoshte narratori ekstradiegjetik, njëri roman i jashtëm, me autor Qosjen dhe protagonist Miran Bushatin, dhe tjetri i brendshëm, me autor Miran Bushatin, kurse me protagonist Tarik Saraçin.
Por, njëkohësisht, dalëngadalë formohet edhe figura e Tarik Saraçit :
“Figura e Tarik Saraçit bëhet simbol i njeriut, fati i të cilit është si një gur që rrokulliset. Për të, jeta në diktaturë është vdekje për së gjalli, ndërsa për lexuesin vdekja e tij është simbolike: ai vdes duke kaluar kufirin Shqipëri – Kosovë, pas një aksioni diversant në atdheun e tij, çka do të thotë se ai nuk himnizohet, sepse koha ishte kundër heronjve.
Tariku burgoset dhe arratiset si disident, ndërsa vdes si diversant. Ai bie në një minë ruse, e cila ia ndan trupin përgjysmë: gjysma bie në Kosovë, ndërsa gjysma tjetër në Shqipëri.” 8
Nëse flasim me gjuhën e postmodernizmit, qendra “komunizmi” është margjinalizuar, kurse ekscentrikja, apo periferikja “individualja”, “pakica që ka qenë e detyruar të heshtte për shumë kohë” është qendërzuar!
Kështu, ekscentrikja, Tarik Saraçi, bëhet qendër që lufton komunizmin. Prandaj, si i tillë, Tariku nuk mund të himnizohet, sepse këtë nuk e lejojnë paradokset postmoderne:
“Eks-centrikja, jashtë-centrikja: pashmangësisht është identifikuar me qendrën të cilën e gjakon, por edhe e mohon.”9
Në këtë këndvështrim, Tarik Saraçi, është personazh postmodernist, i cili shënon fundin e çdo metanarracioni dhe të çdo heroizmi në letërsi. Por, në të njëjtën kohë dëshmon ndryshueshmërinë dhe shumëformësinë e karakterit postmodernist.
Me vdekjen e mistershme të Tarik Saraçit, merr trajtë përfundimtare edhe romani jetëshkrimor i Miran Bushatit dhe Delina Dertit. Mirëpo, çfarë ndodh me këto dy personazhe?
Mirani dhe Delina, përveç dashurisë që kishin ndaj letrave, ata ishin të dashuruar me njëri-tjetrin. Megjithëse, Qosja, nuk na e shpërfaqë botën erotike të të dy të rinjve, prapëseprapë ndjehet ai vrulli dashuror, të cilin lexuesi do ta plotësojë me imagjinatën e vet.
Në faqet e fundit, na shfaqet përsëri e papritura, kjo paradigmë filozofike që e fillojë veprën edhe do ta përfundojë! Delina, papritur vritet nga ish-burri i saj!
Me këtë akt vritet shpresa e Miranit, që një ditë në Shqipëri do të jetohet qetë!
Kësisoj, dy protagonistët tanë, unifikohen dhe bëhen një, nën titullin e veprës: Bijtë e askujt! Njëri demitizon atdheun, kurse tjetri demitizon mërgimtarin:
“Të gjithë e dinë ku do të shkojnë.
E di edhe unë.
Do të shkoj atje prej nga erdha
I shpërngulur për herë të dytë
Si të isha edhe unë biri i mallkuar! Dhe, biri i askujt! Tariku dhe Mirani – bijtë e askujt!
Si gjithmonë edhe tani: shpëtimet i gjejmë në shpërnguljet!
Kuku nënë!”10
Mirëpo, përtej emrave të përveçëm, Tarik Saraçi e Miran Bushati, përfaqësojnë shumësi emrash të të përndjekurve, njëri nga sistemi komunist dhe tjetri nga ai demokratik.
Kështu që përmes tyre, fillimisht funksionalizohen e pastaj konteksttualizohen dy linja narrative paralele, që përfshijnë mendësinë e udhëheqjes në dy kohë të ndryshme. Njëra linjë rrëfen të shkuarën historike, komunizmin, kurse tjetra rrëfen të sotshmen, e cila shpërfaq jetën në sistemin demokratik.
Gërshetimi i këtyre dy linjave, në narracion bëhet për të theksuar se asnjë ideologji nuk është e ndryshme nga tjetra, ndonëse në dukje të parë shihen si të tilla:
“Atëherë ushtronin dhunë me emrin e Enverit në gojë. Dhe, të socializmit.
Tani ushtrojnë shfrytëzim me emrin e Bashkimit Evropian në gojë. Dhe të demokracisë!”11
Strukturimi i tillë i kontekstit socio-politik, zbërthen edhe më tutje strukturën e përbërë të romanit, të organizuar në dy kohë dhe në dy vende. Kohë dhe vende të ndryshme, por ekuivalente me njëra-tjetrën.
Pasi, për postmodernistët e tashmja është si pasojë e së kaluarës, ata për ta kritikuar të tashmen, rivizitojnë të kaluarën:
“Kur nuk gjen çka dëshiron në të Tashmen i kthehesh së Kaluarës”12
Pra, koha ka një rol të rëndësishëm strukturor, në kuadër të së cilës zhvillohen ngjarjet. Dimensioni i dyfishtë kohor i romanit trajton periudhën e socializmit në Shqipëri dhe Kosovë, në të kaluarën jo të largët dhe të tashmen, kohën postkomuniste, apo periudhën e demokracisë shqiptare.
E sotmja demokratike, që nuk dallon edhe aq shumë nga e djeshmja komuniste. Sepse edhe atëherë sikurse sot, kemi puthadorësit dhe puthakëmbësit, servilizëm deri në mohim të krenarisë vetjake e nënshtrim ndaj çdokujt që është në pushtet. Sepse, kështu e ka jeta: mbas kufizimeve të mëdha vijnë çlirime, desha të them shfrenime, të mëdha. Komunizmi të bënte impotent me varfërinë e tij, kurse demokracia të bën impotent me bollëkun e saj.13
Mirëpo, krahas aspektit kohor shpaloset edhe mjedisi social shqiptar në dy vende, që përveçse gjeografikisht të afërta, ato përbashkohen edhe në shumë aspekte tjera.
Kurrnaja, emër fiksional që përputhet me kryeqytetin real të Shqipërisë, pra Tiranën, sado që autori insiston, që ky emërtim simbolizon një tjetër jetë dhe kryeqytet.
Një toponim i tillë, i cili si morfemë të fjalës, ka fjalën Kurrë, asocion me shterjen e mundësive për jetë, për një jetë të dinjitetshme. Prandaj, Kurrnaja i përshtatet aq mirë Shqipërisë, si një vend që nuk e gjeti asnjëherë qetësinë.
Një emër tjetër ekuivalent, por fiksional, që zbulon jetën shqiptare, është edhe Vajazani, toponim i krijuar nga tri fjalë: dy emra (vaji dhe zani ) dhe një lidhëz (a-apo).14
Ndonëse loja e emërtimeve vazhdon nga ana e autorit, edhe Vajazani sikurse Kurrnaja, simbolizon një kryeqytet real, por në këtë rast bëhet fjalë për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Madje nuk do ta tepronim, nëse do të pohojmë se gjithçka që e hasim në shoqërinë e Kurrnajës, e hasim dhe i takon edhe shoqërisë së Vajazanit:
“Meqenëse nxitja krijuese, tani, pas luftës më vinte jo vetëm prej Vajazanit, jo vetëm prej Kosovës, por edhe prej Vajazanit më të gjerë, të përgjithshëm, më vinte edhe prej Shqipërisë, është e kuptueshme, se do ta zgjeroja atë, si e quajtët mirë ju, “gjeografinë e
rrëfimit”. Duke e zgjeruar ashtu gjeografinë e rrëfimit do të kem mundësi të rrëfej për demokracinë tonë, që në çaste dëshpërimi mund ta quajmë demokraci skllavopronare”15
Sepse, në sfondin e zymtë demokratik, të të dyja vendeve, pashmangshëm kanë dikuar pasojat e së kaluarës, andaj, për autorin, më nuk është i rëndësishëm vetëm fati i individit, por edhe fati i kombit, i cili çdo ditë e më shumë po lind bastard të rinj, sepse si gjithmonë edhe tani: shpëtimet i gjejmë në shpërnguljet!
– Kodimi i dyfishtë
Një organizim të tillë strukturor, çfarë e hasim brendapërbrenda romanit Bijtë e askujt, padyshim që të shpie në njërën prej praktikave më të shpeshta të autorëve postmodern e që është shkrimi i veprës përmes kodimit të dyfishtë.
Prandaj, sintagma strukturë e dyfishtë , nënkupton edhe kodimin e dyfishtë apo Double Coding-un. Term ky i sjellë nga arkitektura në letërsi, nga Umberto Eco, që shfaq para nesh njërin nga parimet e poetikes postmoderniste.
Sipas Eko-s, letërsia postmoderne, apo çdo tekst postmodern prezanton dy nivele leximi. Këto dy nivele nënkuptojnë edhe dy tipa të lexuesve: lexuesin semantik dhe lexuesin semiotik.
Në këtë këndvështrim, shkrimtari postmodern e shkruan veprën e tij, edhe për masën, edhe për elitën, gërshetim të cilin e mundëson pikërisht kodimi i dyfishtë i teksteve. Thënë ndryshe, shkrimtarët postmodernistë preferojnë lexuesin semiotik, por argëtojnë lexuesin semantik, apo naiv.
Rexhep Qosaj, këtë strategji krijuese, filloi ta zbatonte që nga romani i tij i parë, Vdekja më vjen prej syve të tillë, të cilës nuk iu nda as në romanin Bijtë e askujt.
Padyshim, që në këtë strukturë komplekse, e cila vazhdimisht ndryshon brenda romanit, gjejnë hapësirë edhe lexuesi naiv, por edhe ai profesional, i cili lexon shenjat e tekstit dhe nxitet për përsiatje, për të zbuluar kështu shtigjet e panjohura të artistikes.
Në romanin Bijtë e askujt, lexuesi semantik, do të mjaftohet me ngjarjet e romanit, me zhvillimin dhe përfundimin e tyre. Ai do të interesohej për historinë e Miranit, se si një djalë i
ri që është shkrimtar, falë nënshtetësisë amerikane ka arritur të hapte shumë dyer dhe të takonte shumë njerëz, të cilët do t’i ofronin informacione të shumta rreth Tarik Saraçit. Se si një djalë i bukur shqiptar-amerikan, u dashurua në një vajzë të mençur shqiptare, siç ishte Delina Derti.
Por, që fatkeqësisht, dashuria e tyre nuk arrin të kurorëzohet. Delina vritet kurse Mirani, kthehet nga kishte ardhur!
Kureshtja e lexuesit semantik do të mjaftohej edhe me historinë e Tarik Saraçit, protagonistit tjetër që përfaqësonte jetën nën diktaturë. Ai me sy mbyllur, do ta ndiqte historinë sentimentale të Tarikut, përndjekjet dhe padrejtësitë që pushteti komunist ia legjitimoi. Por, mbi të gjitha nuk do të mund ta vërente simbolikën e vdekjes së Tarik Saraçit. Prandaj, edhe zhgënjimi i tij nga vdekja e heroit e të rolit kryesor, do të ishte më se prezent, pas përfundimit të leximit të romanit.
Derisa lexuesi semantik do të lëkundet mes kënaqësisë së leximit dhe zhgënjimit se si heronjtë e tij, nuk jetuan të lumtur në përfundim të veprës, lexuesi semiotik do të lëkundet në mesin e risive artistike.
Ky lexues, pra, lexuesi profesional, do ta shikojë arkitekturën strukturore të romanit Bijtë e askujt, me ç’rast do të vihet në kërkim të lojës autoriale. Sepse, ai është i vetëdijshëm se detyra e letërsisë e njëkohësisht edhe e shkrimtarëve është që të sjellin vepra më ndryshe nga të tjerat.
Romani Bijtë e askujt, është vepër, e cila përmbush në çdo aspekt botën eksperimentuese të lexuesit semiotik. Lexuesi i tillë do të vëren se vepra është ndërtuar në stilin e një strukture arkitektonike, ku vendosja e pjesëve dhe shumësia e elementeve ndaj tërësisë, janë në marrëdhënie të ndërsjella ndërmjet tyre.
Ngase për Qosjen, sikurse edhe për çdo postmodernist, krijimi i romanit është proces në masë të madhe i bashkimit të elementeve të llojllojshme.
Andaj, lexuesi semiotik do të hetojë, përveç tjerash, teknikën e palimpsestit, fenomenin e poioumenon-it dhe rolin aktiv të lexuesit.
Lexuesi semiotik do të vëren se protagonisti i protagonistit, Miran Bushati, do të përdorë teknikën e palimpsestit, për ta shkruar romanin për Tarik Saraçin. Kjo teknikë mbështet në parimin e ndërtimit të
Miran Buashti, është i vetëdijshëm se romani nuk do të shkruhet, por do të përpilohet, varësisht të dhënave:
“… që do të gjej në arkiva, në bibloteka dhe të dhënat që do ti dëgjoj prej bashkëbiseduesve do ta vendosin llojin e romanit që do të shkruaj.”16
Në anën tjetër, përmes fenomenit të poioumenon-it, (term i krijuar nga A. Fowler), lexuesi semiotik, do ta hetojë njërin nga parimet postmoderne, përmes të cilit bëhet shpjegimi nga ana e autorit rreth procesit krijues të një vepre letrare.
Me këtë rast, ai do të zbulojë një temë të re, që shtjellohet deri në faqet e fundit të romanit e që është proza, përkatësisht procesi i krijimit prozaik.
Edhe Rexhep Qosja, përfshinë në romanin e tij këtë parim krijues, duke rrëfyer kështu për frymëzimet letrare, për ndërtimin e veprës e deri tek dilemat e përfundimit të saj.
Duhet theksuar se këshillat e Qosjes, që i ka futur brenda romanit të tij i takojnë procedimit postmodern:
“…ashtu bëhet romani postmodern: duke renditur lëndën, duke dhënë sqarime për dokumentet e vërteta dhe imagjinare e jo duke rrëfyer për protagonistin dhe personazhet, duke i treguar përjetimet e tyre dhe psikologjinë e tyre.”17
“Romani i sotëm edhe është një thes i jevgës në të cilin mund të futet gjithçka: prozë, poezi, dramë, sprovë, ditar, shkencë, filozofi, parashikime, mitologji, astrologji.”18
Ky udhërrëfyes nuk ka se si t’i ikën lexuesit semiotik, i cili e sheh veten brenda kurthit të magjisë artistike. Një lexues të tillë, të rafinuar, Qosja, e bën bashkautor, apo më mirë të themi bashkëpërpilues të veprës së vet. Sepse, tashmë lexuesi nuk është një marrës pasiv i domethënieve, por është bashkëpërpilues i tyre.
Kësisoj, roli i lexuesit fuqizohet edhe më, në periudhën postmoderne, sepse një vepër bëhet e përjetshme, jo sepse i imponohet një kuptim njerëzve të ndryshëm, por sepse, një njeriu, një lexuesi i sugjeron kuptime të ndryshme.
Personazhet dhe funksionet
Letërsia në partneritet me jetën krijon referencë vetore, e cila na flet mbi unin si tërësi e tipareve që e përbëjnë qenien e njeriut dhe e përcaktojnë atë si personalitet unik në shoqërinë që e rrethon. Kjo simbiozë jetësh, në mes faksionit e fiksionit prodhon në njërën anë, karakterin si koncept real të jetës reale, pasi ai është veti thelbësore e individit që e bën atë të dallueshëm nga të tjerë.
Në tjetrën anë, prodhohet bota personae – trajta e vjetër e latinizuar e personazhit letrar. Bashkimi i këtyre koncepteve na kthejnë sytë tek individi, i cili sprovohet nëpër situata të ndryshme për të dëshmuar avantazhin e tij kundrejt kolektivitetit. Nën tiparet veçuese të karakterit personazh, që përmblidhen dhe zbërthehen në këtë pjesë kuptojmë sjelljen e protagonistëve dhe antagonistëve në rrethana tipike.
Dhe, tashmë zyrtarisht jemi futur në botën e personazheve!
Romani postmodern, i cilësuar si metafiksion historiografik, i përmbahet vetëm “ideologjisë” postmoderne, edhe atëherë kur krijon apo përzgjedhë tipologjinë e personazheve të tij. Kjo besnikëri ndaj poetikës që e krijon karakterin postmodern, mundëson përmbysjen e konceptit aristotelian, sipas të cilit personazhet në çdo kontekst duhej të ishin heronj. Koncept që bie në kundërshtim me poetikën postmoderne, sepse ajo është kundër çdo idealizimi.
Personazhet postmoderne ndryshojnë nga personazhet dhe botëkuptimet paraprake të tyre, të cilat ishin të mbyllura brenda konvencës kombëtare e ideale dhe brenda psikes individuale.
Një konstatim i tillë, pashmangshëm të shpie te postulata postmoderne, e cila fillimisht i përzgjedhë personazhet duke i cilësuar ata si të veçantë nga të tjerët, e pastaj shemb autoritetin e tyre, sepse personazhi model nuk ka më funksion, pasi ai përmbyset nga diskursi ironik.
Nëse kohë më parë është pohuar vdekja e autorit si demiurg, tani mund të themi se është shpallur edhe vdekja e personazhit-përfaqësues. Vdekja e të cilit ka ngjallur personazhin deheroik që të vetmin funksion e ka rrënimin e çdo figure në mënyrë ironike.
Në këtë kontekst, personazhet humbasin identitetin e integritetin e tyre, sepse diskursi postmodern sugjeron një botë të re të personazheve, e cila kapërcen principet heroike / ideale
të krijimit të karaktereve. Kështu, personazhi apo heroi postmodern duhet të jetë tip, sintezë e së përgjithshmes dhe e së veçantës, “e të gjitha determinanteve themelore njerëzore dhe shoqërore.”19
Kjo përbrendësi postmoderne ka sjell variante të shumta, që janë të dallueshme jo vetëm nga personazhet që “luajnë” bashkë brena një romani, por edhe nga premisat universale të poetikave të mëparshme.
Nga këtu hapet rruga e dysisë hero-antihero, përmes së cilës ndërtohen portretet e personazheve brenda kornizave postmoderne. Mirëpo, padyshim që edhe heroi postmodern kryen një sërë veprimesh heroike në të mirë të shoqërisë, popullit, atdheut. Por, ai njëherësh është edhe antihero, apo thënë më mirë i mveshen nuanca antiheroike. Një epitet i tillë nuk duhet kuptuar në kuptimin klasik të fjalës, sepse një hero postmodern është antiheroik, pasi ai zhvlerëson çdo kuptim të vjetër rreth heroizmit, kurse krijon kuptime të reja rreth jetës e karakterit njerëzor.
Sikurse letërsia postmoderne, ashtu edhe personazhi i saj frymon brenda kaosit, i cili nuk duron as një formë / figurë unifikuese totalitare. Pasi në thelbin e lojës postmoderne që përfshinë edhe personazhet, qëndron karakteri kundërthënës dhe lëvizja drejt antitotalizmit.
Prandaj, për t’i ikur këtij glorifikimi, poetika postmoderne e sjell personazhin si të tjetërsuar në minipersonalitete.
Pra, karakteret e letërsisë postmoderne janë të fragmentuar e të copëzuar në jetën e tyre (të jashtme e të brendshme), në marrëdhënie me të tjerët (që, gjithashtu, janë të fragmentuar), me realitetin, i cili edhe ai është i fragmentuar në realitete të shumtë e të larmishëm.20
Nën këtë sensibilitet të ri letrar e teorik, romani postmodern shënjon dhe dallon diskursin e tij, edhe sa i përket mënyrës krijuese të personazheve. Me veprën Bijtë e askujt, Qosja solli një mënyrë të re krijues,e sa u përket perzonazheve, mënyrë që parodizon personazhin tradicional, por edhe atë postmodern!
Tri personazhet bosht, tashmë të përmendura e të njohura, të këtij romani janë Tarik Saraçi, Miran Bushati e Delina Derti. Protagonistët e romanit, të cilët sjellin me vete parabolën
jetësore që luhatet mes vizionit e kritikës, arsyes e dashurisë, dhunës e lirisë, harrimit e mallkimit.
Përmes përvojës së tyre jetësore shtrohet ideja për vetëdijesim mbarë popullor, për një kulturë e model të ri të karakterit shqiptar, i cili do të ndryshonte mentalitetin e kohës së vjetër, duke përfshirë, dhe pikërisht ata, sferën akademike, politike e artistike të vendeve tona.
Pasi romani lidh ndodhitë e dy kohëve, lidhen edhe jetët e personazheve, të cilët i përcjell fati i njëjtë. Kësisoj theksohet se nëse harrohet e kaluara, ngjarjet përsëriten në të ardhmen, andaj bëhet e mundshme që të përsëritet edhe fati tragjik i individit, që realisht përcakton fatin e shoqërisë.
Në këtë kontekst, protagonistët shndërrohen në simbole kohore, kurse përmes nocionit të kohës bëhet ndarja e periudhave historik dhe në këtë mënyrë jetët e tyre përcaktohen pikërisht nga koha dhe vendi ku ata jetojnë.
Kësisoj, Tarik Saraçi, është simbol i kohës komuniste i intelektualit dhe atdhetarit të mirëfilltë, i cili nuk ka çmim:
“Tarik Saraçi nuk ishte njeri që çmonte shumë pronën, pasurinë, paranë, postet.
Tarik Saraçi ishte njeri që mbi çdo gjë tjetër çmonte artin dhe shkencën.
Tarik Saraçi në artin e shkencën e gjente kuptimin e jetës së tij.”21
Por, në të njëjtën kohë ai është simbol i veçantisë, në aspektin e dallueshmërisë nga karakteret nënshtruese të komunizmit, veçanti e cila na shpaloset në fundin e veprës të përpiluar nga Mirani e Delina, në pjesën që ata e quajnë testamenti i Tarik Saraçit, i cili përbëhet nga tri pjesë të shkurtra.
Ja, disa rreshta nga këto pjesë, që shpalosin karakterin e personazhit kryesor të Miran Bushatit, i cili i kishte shkruar në kohën sa ishte i burgosur në Burrel:
“…jam me të akuzuarit që ngrenë zërin kundër padrejtësive; jam me të përndjekurit që kërkojnë liri për vetën dhe për ata që durojnë; jam me të arratisurit që nuk pajtohen me burgosjen e mendjes; jam me ata që dinë të thonë JO kur kjo jo është e vetmja fjalë që shpëton nderin dhe dinjitetin tonë; jam me të përulurit”
“Sundimtarë!
Mandatet tuaja, edhe në qoftë se do të përsëriten sa të jeni gjallë, prapë do të jenë të përkohshme. Por, e përkohshme do të jetë edhe lavdia e atyre të cilët u shërbejnë me mendimet e tyre të shkruara dhe të folura.
Mandatin e Tarik Saraçit e bën të përjetshëm kundërshtimi i vendosur me mendimin e shkruar dhe të folur ndaj sundimit tuaj dhe ndaj atyre të cilët u shërbejnë ashtu përulshëm.”
“E di çka më pret!
Librat që botoj, shkrimet që shkruaj, fjalimet që mbajë, bisedimet që nuk iu shmangem – të gjitha këto do të bëjnë që të mbetem ngadalë, ndodhë edhe për njëherë, pa shumëçka e pa shumëkënd:
Pa gëzimet që të sjellin pajtimet dhe përkrahjet e të fuqishmëve; pa shpjegimet dhe vlerësimet e ndershme të punës sime; pa buzëqeshjet bëjnë të gëzueshme mëngjeset, mesditat dhe mbrëmjet.”22
Ndërsa Miran Bushati, autori i veprës rreth Tarik Saraçit, është simbol i kohës demokratike, i intelektualit shqiptaro-amerikan, i cili më shumë nga kureshtja sesa nga dashuria viziton vendin e të parëve:
“Kam studiuar në Universitetin elitor të Jelit, në Nju-Jork, dhe kam diplomuar etnologjinë dhe antropologjinë, por, tani, nuk merrem as me njërën, as me tjetrën, sepse i jam kushtuar letërsisë prej së cilës kam shumë më pak dobi se ç’do të kisha prej tyre. Unë nuk e gjej kuptimin e jetës në para, por në krijimtari imagjinare.”23
Kurse Delina Derti është nyja simbolike që qëndron në mes këtyre dy kohëve. Ajo jeton në kohën demokratike, por është e vetëdijshme se kjo kohë ka trashëguar kulturën e vjetër: që të tjerët të vendosin për jetën, vdekjen e tjetrit. Mentaliteti që përcillet nga koha e vjetër brez pas brezi, në kohën e re:
“E shoh Delinën: të qeshur, shkëlqyese.
Në fytyrën e saj asnjë shenjë e ati pikëllimi që e pushtoi mbasi i cingëroi celulari. Në çastin kur po e shikoja ashtu të qeshur, ashtu shkëlqyese, në anën e saj të majtë shtrihet një dorë – një dorë me revole. Të zezë. Si nata të zezë.”24
Pra, ajo është simbol i vendosmërisë, nën të cilin fshihet këmbëngulësia që gruaja shqiptare të jetojë e pavarur, e lirë për t’u shkolluar e zgjedhur.
Nëpër këtë rrugëtim njohjeje, që funksionon si metodë dekonstruktive përballë botëkuptimeve të këtyre tri karaktereve protagoniste, bëhet shembja e çdo ideologjie dhe braktiset kuptimi madhështor i atdhedashurisë.
Andaj, tipologjia e Tarikut, Miranit e Delinës kanë si pikë të përbashkët vetëdijen e lartë kritikuese ndaj fenomeneve, situatave e dukurive negative, por, gjithashtu edhe ndaj njerëzve që paraqesin rrezik ndaj shoqërisë.
Ndërgjegjësimi i tyre si esencë karakterit të tyre dhe atributi kritik si shenjë identifikuese shpalosin mungesën e këtyre veçorive në ambientin e kulturës shqiptare: “Personazhi i romanit, që do të duhej të shkruhej në letërsinë shqipe, do të ishte njeriu që ka humbur veçoritë duke folur vazhdimisht rrejshëm për veçoritë, që ka humbur identitetin duke folur vazhdimisht rrejshëm për identiteti.”
Prandaj, “mungesa e veçorive, e identitetit, personazhin tonë pa veçori e bën posaçërisht të egër ndaj njerëzve me veçori, me identitet, siç ishte protagonisti i romanit që po lexoni, Tarik Saraçi.” 25
Pra, e vërteta e realitetit zbërthehet përmes syve të këtyre tre protagonistëve, që janë shëmbëlltyre e së drejtës, të cilët kërkojnë ndryshimin rrënjësor jetës shqiptare. Herë duke qenë kryengritës si Tarik Saraçi, herë duke përsiatur e shpresuar që përmes artit mund të ndryshohet diçka si Miran Bushati, e herë duke vepruar në heshtje, porse e vendosur për të çarë dallgët e primitivitetit si Delina Derti.
Duke u nisur nga këto premisa, vërejmë se origjinaliteti, si intencë autoriale, përveç në veprimet e personazheve shfaqe edhe në emërtimin e tyre, pasi emrat personalë janë “shënjuesit më striktë” të realitetit.
Ndonëse, emrat e protagonistëve tanë nuk vijnë nga diskursi historik, ata prapëseprapë bartin një histori të fshehur prapa emrave e mbiemrave që kanë. Të fillojmë t’i shpalosim këto histori që nga Tarik Saraçi, protagonistit të komunizmit.
Ashtu siç e tregon emri, po ashtu edhe mënyra se si kuptohet vdekja e tij, përmes spirtualitetit, që është ironi e materializmit. Tariku, është një yll që shndritë në botën tjetër. Komunikimi i tij, nga bota e përtejme tregon se drita e këtij ylli ishte shumë e madhe për errësirën e komunizmit e të servilëve të tij.
Ndërsa mbiemri Saraçi, mbiemër turk që do të thotë mjeshtër, ndonëse Tariku nuk e zotëroi zanatin e përpunimit të lëkurës, ai e zotëroi, me mjeshtëri të madhe atë të dijes.
Ndërsa, emri Miran, lë të nënkuptohet mirësi e personit. Pikërisht nga mirësia, Mirani, pranon sprovën e rënd për të shkruar romanin rreth Tarik Saraçit të propozuar nga Nushi.
Madje, emri Miran, është një anagram i emrit Marin, Marin Barletit, me të cilin përveç vendlindjes i bashkon edhe gërshetimi i historisë me fiksionin brenda një vepre. Kurse mbiemri Bushati të sjell ndërmend familjen e famshme të Bushatllinjve të Shkodrës.
Ndërkaq, emri dhe mbiemri i Delina Dertit, i një vajzës shqiptare, shënon tërësish realitetin shqiptar. Emir Delina, që përkon me butësinë dhe qeshjen e saj, kurse mbiemri Derti lidhet me brengën e saj të heshtur, që kishte të bëjë me kërcënimet që i vinin nga ish-burri i saj xheloz.
Prandaj, një kryqëzim i tillë i historive personale të personazheve, tek të cilët mbisundon fuqia e intelektit, risjellin nga eks-centrikja në qendër vlerën e racionalitetit, me këtë rast shembet qendra imagologjike e shekullit tonë.
Në anën tjetër, një botë e tillë e personazheve, që si gjenetikë e ka intelektin, shpalos para lexuesit, përveç tjerash, aventurën e kërkimit, formimit të karakterit individual. Padyshim, që kjo sprovë për njohjen e vetës shpërfaqë një llojshmëri kuptimesh e pikëpamjesh.
Mirëpo, kuptimi i këtyre karaktereve i krijuar si domethënie e jo referencë, duhet kërkuar brenda botës fiktive, sepse sado që ai është i lidhur me kontekstin nuk ekziston jashtë tekstit letrarë. Botë fiktive postmoderne e cila rrënon çdo orvatje të tyre jetësore e intelektuale, për t‘u bërë personazhe me ideale. Sepse poetika postmoderne nuk duron autoritetin e asnjë konstruksioni njerëzor, prandaj në këtë meslojë postmoderne hyjnë edhe personazhet e Qosjes. Për këtë arsye, që të tre çmitizohen dhe përmbysin kultin e glorifikimit, heroit e atdheut.
Kësisoj, Tariku, Mirani e Delina, arrijnë të unifikohen nën petkun e deheroizmit. Deheroizëm i cili është i vendosur që në krye të veprës fillon të rrëshqet, pastaj nëpër ngjarje e karaktere nga pjesa në pjesë, për të arritur kështu deri tek përfundimi që zbulon lakuriqësinë e dashurisë së rrejshme të një populli që çalon me të dyja këmbët në patriotizëm, por që gjithmonë besatohet për atdhedashuri.
Bijtë e askujt janë Tarik Saraçi, intelektuali që në fillim është rebelues, pastaj dyshues, i cili e shpie në dëshpërim, për të arritur kështu deri tek çmitizmi i vetvetes duke marrë rrugën e diversantit.
Edhe Miran Bushati, mbetet bir i askujt, intelektuali i kohës demokratike në fillim është kureshtar për vendin e paraardhësve, pastaj mbetet i zhgënjyer nga terri i kohës e vdekja e Delinës ia humb shpresën përfundimisht për pak dritë në trojet shqiptare.
Ai largohet nga Shqipëria, rikthehet në Amerikë, me asnjë dëshirë për ta vizituar, qoftë edhe njëherë vendlindjen e babit të tij. Kështu, çmitizohet figura dhe dashuria e mërgimtarit për atdheun, sepse atë e ndjek fati i personazhit të tij.
Kurse, Delina Dertin, bijë të askujt e bën dora e ish-burrit, i cili në shenjë hakmarrjeje për mosdashurinë ndaj tij, ai e vret. Kështu, iniciohet edhe më tutje tradita e hakmarrjes edhe në kohën e demokracisë. E në anën tjetër, çmitizohet figura dhe liria e gruas shqiptare, kurse himnizohet gruaja e dëgjueshme dhe e nënshtruar.
Mirëpo, përballë kësaj bote simbolike e deheroike, frymon edhe një botë tjetër e karaktereve, e cila përbën natyrën episodike të personazheve. Të tillët kanë rolin e dëshmitarit që sjellin përvojën jetësore në komunizëm e në demokraci, por edhe rrëfejnë mbi personin e Tarik Saraçit, që e kishin takuar në situata të ndryshme.
Personazhet më të rëndësishme episodike janë Moisi Molori, Tol Ymer Ashiku, Premt Dukagjini, Zahir Zeka, Zefjan Anton Zadrimja dhe Tefik Alush Talkini.
Kurse personazhet e tjera që i përshtaten diskursit ironik të romanit shpërfaqin dyfytyrësinë si virtyt të shoqërisë shqiptare. Këtu bëjnë pjesë të gjitha ato personazhet episodike, të cilët i gjejmë edhe në jetën reale, që kanë dëshmuar kundër Tarik Saraçit, në komunizëm, ndërkaq ishin pro tij në demokraci, për të theksuar se ne, si popull jetojmë gjithmonë nën një thundër ideologjike:
“Nuk është kjo kohë e këpucëve me taka po me patkonj. Patkonj dje e patkonj sot!”26
Por, nën diskursin ironik shfaqen edhe karaktere të huaja, përmes të të cilëve rifunksionalizohet tema e pushtimit, por me metodë të re, pasi pushtimi ka ndërruar formë, tani në globalizëm pushtohet përmes teknoligjisë dhe bizneseve. Sepse, gjithmonë shqiptarët dhe italianët (lexo: edhe pushtuesit e tjerë) kështu janë takuar në shkallët e jetës dhe në shkallët e historisë: shqiptarët duke zbritur e italianët duke u ngjitur!27
Mirëpo, karakteret e vërteta që i hasim në jetën e përditshme, kur futen brenda kufijve letrar i përkasin botës fiktive. Nën këto rrethana, tashmë nuk zbërthen vetëm individin por edhe shoqërinë. Kjo, botë e vërtetë brenda tekstit letrar motivon ironinë e cila zhbiron karakteret përfaqësuese të shoqërisë, siç janë artistët, akademikët e politikanët, që si tërësi shpalosin vetëdijen kolektive.
Kjo makrostrukturë karakteresh, në kuptimin e përqendrimit tek kolektivja dhe jo te individi, ka si protagonistë Sulltanin e kohës komuniste Enver Hoxhën e gjithashtu, Sulltanin e kohës demokratike. Protagonistë gjatë pushtimit të tyre, por që brenda romanit janë antagonistë të së mirës shoqërore, që bashkë me pjesën e të nënshtruarve bëhen të zëshëm vetëm për interesat e tyre personale.
Të tillët nuk janë të rëndësishëm për autorin, ata nuk meritojnë një portretizim tipik të karakterit, ata nuk meritojnë t’ju krijohet një vend në një vepër që është aureolë e intelektualizmit.
Por, përkundrazi, të këtillët e meritojnë vetëm përqeshjen dhe talljen e Qosjes. Prandaj, në roman mbisundojnë protagonistët e tjerë, që dallojnë nga karakteri i kolektivitetit, të cilët orvaten që me karakteret e tyre të bëhen modele për të tjerët.
Kësisoj, romani Bijtë e askujt, edhe për nga mënyra krijuese e personazheve solli një vepër udhëzuese e udhërrëfyese për shkrimtarët e rinj postmodern.
Figurë dhe diskurs
Veçantia e këtij romani fillon që nga emërtimi i tij Bijtë e askujt. Një titull oksimoron, që përbëhet nga dy nocione, të cilat përjashtojnë njëra-tjetrën, krijojnë një antitezë të fuqishme dhe paradoksale: bijë pa prindër!
Emri bir i vënë në numrin shumës, nënkupton të gjithë ata “fëmijë” që prindërit i kanë braktisur, ia kanë mohuar dashurinë e tyre, kështu i kanë damkosur për të mos qenë kurrë të lumtur! Mirëpo, në këtë roman këta fëmijë, bijë të askujt, të braktisur dhe të mallkuar, janë të tillë, sepse i ka braktisur edhe Atdheu edhe Mëmëdheu!
Pra, vërejmë se emërtimi i tillë (nga sa u tha në pjesën paraprake), është bartës i kuptimit të përmbajtjes, ndërtimit të temës dhe veprimeve të protagonistëve të romanit. Një titull paradoksal, i cili që në krye të veprës, mëton të përligjë ironinë, si figurën kryesore të rrëfimit.
Pasi Qosja, sikurse postmodernistët botërorë, është i vetëdijshëm që ironia, është forma e vetme ku mund të jemi serioz.
Andaj, ironia është nyja që ndërlidhë faqet e këtij romani voluminoz, e cila përveç që mundëson kthimin në të kaluarën, ngjallë edhe shume pyetje drejt së ardhmes. Sepse, për të kuptuar postmodernizmin nevojitet edhe dija mbi të ardhmen.
Meqë modusi ironik është polishtresor dhe merr pjesë në unifikimin e të kundërtave, si vlerës dhe antivlerës, dijes dhe padijes, burgosjes dhe lirisë, lindjes dhe perëndimit, varësisë dhe jovarësisë, dhe në fund, të diktaturës dhe demokracisë. Rrethana këto që shpalosen përmes ironisë, herë të shfaqura shumë haptas, e herë të fshehura mes rreshtave.
Mirëpo, ky unifikim, sigurisht që ka të bëjë jo vetëm me jetën shoqërore, por edhe me atë politike shqiptare. Sepse, Bijtë e askujt, është referencë e angazhimit politik, ashtu siç edhe pohon Linda Hutcheon, se duhen të jenë romanet postmoderne.
Prandaj, autori, ndonëse, si pikëreference ka jetën empirike, një mjedis dhe periudhë historikisht të përcaktuar, ai tashmë, përveç që kërkon njohjen e kësaj bote, kërkon ballafaqimin e
Mirëpo, përkthimi i këtyre gjurmëve në një botë fiksionale, bën që realiteti të humbasë vlerën e tij si pikënisje dhe bën që procesi i deshifrimit, rrjedhimisht i kuptimit të jetë më i vështirë.
Në këtë vështirësi, gjithsesi që ndikon edhe poetika e postmodernizmit, e cila dallohet për tema serioze, të cilat përpunohen në struktura komplekse dhe filtrohen nëpër diskurse ironike.28
Në anën tjetër, përveç ironisë, Bijtë e askujt, dekorohet edhe me brikolazhin, një tjetër element i rëndësishëm dhe i domosdoshëm postmodern.
Pikërisht, prania e këtij elementi, pra e brikolazhit, bëri që trazimi për gjetjen e frymëzimit të marrë fund. Tashmë letërsia në postmodernizëm kalon nga dehja hyjnore, ashtu siç quhej akti i frymëzimit në antikitet, në kombinim të zhanreve. Kjo do të thotë se letërsia postmoderne ndërtohet mbi principin e kombinimit, si teknikë e njohur “ars combinatoria”.
Kjo ndikoi që romani postmodern, si formë përfaqësuese e kësaj metode, të shkel kufijtë klasik dhe të thyej ligjet e zhanreve të mëparshëm.
Këta kufij bëhen fluidë mes zhanreve letrare dhe tashmë ne nuk flasim për një klasifikim të letërsisë në tri gjini: epikë, lirikë, dramatikë, të cilat u vendosën si rezultat i teorive filozofike dhe letrare të romantizmit gjerman.
Pra, romani postmodern brenda vetes pranon të gjitha format e tjera letrare dhe jo vetëm. Sepse anames këtyre shpërfilljeve rri brikolazhi, i cili ndikon, që brenda formës së romanit të gërshetohen diskursi shkencor, diskursi gazetaresk, diskursi politik, diskursi poetik dhe një grumbull diskursesh të tjerë, të cilët formojnë një pluralizëm diskursiv dhe funksional në sajë të ars combinatoria-s, si teknikë e domosdoshme e fiksionit letrar postmodern që mund të quhet ndryshe edhe teknikë e montazhit. Kombinohen idetë, motivet, temat, diskurset, herë-herë edhe gjuhët.29
Mbi këtë amalgamë diskursesh ndërtohet edhe ky romani i Qosjes. Autori, me vetëdije të plotë, ikën nga ligjërimi i virgjër, siç do të thoshte R. Barti, dhe i përshtatet stilit brikolar,
duke iu afruar kështu një forme të hapur të shkrimit, e cila përmbys përpjekjet për t’i klasifikuar zhanret.
Për këtë shumësi diskursive brenda veprës postmoderne flet edhe Julia Kristeva, e cila pohonte se teksti përbëhet nga dy aspekte. Aspekti horizontal që e lidh autorin me lexuesin dhe aspekti vertikal që lidh tekstin me tekste të tjera. Sipas saj, çdo tekst, e në veçanti teksti postmodern, është nën ndikimin e shumë diskurseve në të njëjtën kohë.
Këto marrëdhënie diskursesh shpalosen para nesh që në faqet e para të veprës. Fillimisht na paraqitet relacion i ndërliqshëm diskursiv me filozofinë, historinë, pastaj ndërlidhen edhe dijet nga gjeografia, psikologjia, nga zhanri gazetaresk, nga fusha e jurisprudencës, diskursit të medias, filmit dhe muzikës etj.
Gjithashtu, vepra gërsheton edhe forma të ndryshme letrare të cilat motivohen, varësisht ngjarjeve që rrëfehen. Ndër këto forma mund të përmendim monologun, dialogun, përshkrimin, rrëfenjën, ditarin dhe formën epistolare, etj. Duke mos anashkaluar këtu edhe gërshetimin e poezisë e dramës, por edhe praninë e teorisë së shkrimit prozaik.
Në këtë simbiozë diskursesh nuk mungojnë as ndikimet e shumë autorëve të mëdhenj botëror, duke filluar që nga Homeri, për të vazhduar pastaj me Kafkën, Proustin, Joycein, Marquezin dhe Vonnegun, etj.
Andaj, kjo mënyrë e organizimit e të vendosjes së pjesëve brenda një tërësie, të cilat janë në lidhje e marrëdhënie të caktuara ndërmjet tyre, kërkon një lexues profesional, i cili aktin e të lexuarit e konsideron si akt të dekonstruktimit. Sepse për autorin, krijimi i romanit nuk është proces i thjeshtë, por është një proces i ndërlikuar, i cili në masë të madhe bën bashkimin e elementeve të llojllojshme. Pra, nëpërmjet ironisë, që është përdhesja e veprës, ngrihet godina strukturore e saj e shoqëruar gjithnjë me stilin brikolar.
Stil ky, që me të drejtë, ia dhuron kësaj vepre, epitetin e romanit erudit dhe polifonik!
– E kaluara, dëshmitare e së tashmes
Romani Bijtë e askujt është metafiksion historiografik, sepse riviziton të kaluarën duke pasur qëndrim ironik ndaj saj dhe jo nostalgjik. Një roman i tillë i cili rikthehet në retrospektiv,
duke e rihistorizuar një kohë e pastaj duke i destabilizuar strukturat kuptimore për të, me doemos përshkohet tejendanë nga diskursi ironik.
Përmes këtij diskursi autori konkretizon karakterin kritik të tij. Ai zbulon dhe shpjegon dukuri të shoqërisë e të individit, e pastaj i problematizon ato. Sepse ironia e postmodernes edhe merr pjesë, edhe kritikon.
Mirëpo, kjo lojë ironike jo vetëm që shpalos qëndrimet autoriale, por është edhe në funksion të temës, sepse një autor serioz, doemos sjell edhe temë serioze!
Pra, ironia bëhet figura përfaqësuese e romanit, sepse ajo konsiderohet antifrazë ngaqë është kuptimi i përmbysur i frazës: tjetër gjë thuhet (fraza) e tjetër gjë mendohet (kuptimi).30
Në këtë mënyrë edhe konteksti semantik i romanit merr rol të dyfishtë, jo vetëm pse pranon të kundërtën e asaj që thuhet, por sepse përqesh e vë në lojë realitetin shqiptar, i cili gërsheton dy jeta, të Tarik Saraçit e Miran Bushatit, dhe dy kohë të ndryshme: të kaluarën e të sotmen, apo komunizmin me demokracinë.
Meqë hijet e së kaluarës bëhen dëshmitare në një kohë të tashme, kuptojmë se e kaluara ende nuk ka përfunduar, ajo vetëm se ka ndërruar fytyrë!
Mirëpo, në qendër të kësaj lidhjeje të së shkuarës me të përjetuarën (pra, me të sotmen) është kujtesa. 31 Përmes nocionit të kujtesës, ne rikthehemi në të kaluarën, kurse e përjetuara e sotmja, përballet me harresën.
Ky relacion kujtesë – harresë vë në pah se ne kemi harruar të kaluarën, andaj dhe nuk mund të përmirësohemi në të tashmen, kurse e ardhmja nuk është aspak premtuese. Prandaj edhe na ndjekin gjurmët e së kaluarës, prania e të cilave kërkon themelimin e një vetëdije historike.
Në anën tjetër kjo dysi kohore, e tashmja përballë së kaluarës, kushtëzon dy figurat kryesore të rrëfimit: Ironia për të kaluarën, kurse Satira për të tashmen.
Pra, këto janë armët artistike të Qosjes, të cilat ai, sado që i rrokë për të sulmuar, aq i përdorë edhe për t’u mbrojtur! Në këtë mënyrë arrihet baraspesha edhe e rrëfimit ironik, duke
i dhënë atij karakterin eliptik, por shpërfaq edhe virtytin e autorit për të qenë i drejtë e neutral përballë çdo situate.
Së këndejmi, vëzhgimi ironik del si një etnitet letrar që përfshinë tejendanë veprën, pasi ajo përfshinë çdo fushë të shoqërisë shqiptare. Kësisoj, ironia është një shkundje e fortë e moralit shqiptar, e të kaluarës dhe të tashmes, e cila bën thirrje për ndryshimin e gjendjes dhe përparimin e saj.
Prania e ironisë, jo vetëm që të bën të drejtosh gishtin kah vetja, kah individualja, për t’u kthyer pastaj tek kolektivja, por bën që të rikthehesh edhe në histori. Sepse ironia funksionalizohet përballë çmitizimit të çdo koncepti, ideologjie, figure, institucioni, feje, bindjeje, vlere, kurse krejtësisht në fund, përballet edhe me çmitizimin e vet mitit.
Kështu, paradigma ironike, ia ka mundësuar autorit që perceptimin e realitetit shqiptar, ta vështroj nga pozicioni kritik dhe të ngre mbulesën e pluhurit mbi damkat e zeza, mbi jonjerëzoren, mbi sëmundjet që kanë mbërthyer popullin tonë, përgjatë viteve. Sepse rrëfehet autori, përmes personazhit të tij:
“Siç e dëshmon krijimtaria shpirtërore e njerëzimit, arti i madh frymëzohet prej së keqes: prej së keqes trupore, prej së keqes shoqërore, prej së keqes metafizike.”32 Andaj, për Qosjen, Letërsia është Lule e së Keqes.33
Dhe, padyshim një damkë e madhe në këtë tërësi të të ligave, që iu është kanosur popullit tonë është edhe komunizmi. Rishikimi i së shkuarës që ka fund aperativ për postmodernistët, bëhet nga perspektiva e Miran Bushatit dhe Delina Dertit, të cilët përpilojnë romanin për Tarik Saraçin. Ndërsa e sotmja, që është e hapur ndaj së kaluarës, bëhet nga perspektiva e autorit, që përpilon romanin për Miran Bushatin në demokraci.
Pra, diskursi ironik përmban copëza të paradoksalitetit, sepse vetë realiteti shqiptar është i tillë! Realitet që bën alternimin e dhunës dhe lirisë, kurse që të dyja këto keqpërdoren nga ata që janë në pushtet, nga të madhërishmit, të cilat ndiqen nga të nënshtruarit. Përmes ironisë, autori pohon se nuk janë të rrezikshëm diktatorët, por janë servilët e tyre!
Kemi të madhërishëm, sepse kemi eunukë, kemi të pushtetshëm sepse kemi të nënshtruar, gjithandej puthadorës dhe puthakëmbës!
Në këtë mënyrë, autori godet një nga veset më të këqija të shqiptarëve e që është nënshtrimi, servilizmi ndaj çdokujt që vjen në pushtet, pasi leverdia është ajo që përcakton sjelljen! Madje kjo është shtresa, të cilën autori ia vesh fajin kryesor, për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Shqipërisë, por edhe Kosovës përgjatë shekujve.
Mirëpo, pohimi i kësaj të keqe që ishte e pranishme në kohë të hershme brenda popullit tonë, e trashëguar pastaj në komunizëm dhe demokraci nuk i sjellë kënaqësi autorit. Por, përkundrazi, ai, do ta ndërronte këtë tipar shekullor të shqiptarëve, me çdo kusht, ndaj të cilit ndien vetëm neveri dhe përbuzje:
“Dhe, mos të kishte përulje, lajka, lavdërime të eunukëve nuk do të kishte dhunë të të madhërishmëve, sepse nuk do të kishte të madhërishëm. Të gjithë do të ishin të barabartë: njerëz që më në fund vdesin.
Si të shpëtojmë prej të madhërishmëve?
Do të shpëtojmë prej tyre, në qoftë se më parë shpëtojmë prej eunukëve.”34
Pra, shqiptarët janë eunukët më të mirë, përkulësit më të mirë, gjë për të cilën kanë dëshmuar pushtimet historike që kanë zgjatur me vite. Ata i janë nënshtruar pushteti, fjalë e dykuptimshme: prijësve të shtetit dhe në anën tjetër, lakmisë për pushtet, për të pasur fuqi. Ata i janë nënshtruar çdo pushtuesi dhe ideologjie, edhe atëherë kur është punuar kundër atdheut, sepse vetë qenia e tyre është e nënshtruar ndaj leverdisë e lakmisë. Në këtë pikë, bëhet gërshetimi edhe më i madh i dy kohëve të ndryshme në roman, nëse dikur kemi pasur kohën e komunizmit, tash kemi kohën e ish-komunistëve.
Kështu proklamohet ideja se tek ne asgjë s’ka ndryshuar, dhe as që pritet të ndryshohet ndonjëherë:
“Si u themi poltronëve shqip?
Ndoshta pudhadorës.
Është më saktë: puthakëmbës.
Mbas Titos – Tito!
Mbas Enverit – Enver!”35
Këtë njëjtësim të kohëve, për të treguar haptazi, se e keqja vetëm ka ndërruar fytyrë dhe se ajo gjendet ende mes nesh, tregon edhe pjesa e Kumtesave. Inkuadrimi i tyre në roman shpalos ironinë e mprehtë kundrejt shqiptarëve që deri dje ishin të përbetuar ndaj komunizmit, kurse sot, shtiren si demokratë të mirëfilltë! Krahasimi i ligjërimit të këtyre kumtimeve, në kohën e komunizmit e demokracisë, tregon se ende vazhdon lufta për pushtet, se ende vazhdojnë thirrjet histerike dhe kërcënuese, qoftë edhe me jetë, ndaj atij që guxon të thyej ligjin e sundimtarit:
“Qytetarë dhe qytetare!
Dëgjomëni mirë ju mua!
Mos harroni çka po ju them unë juve!
Unë!
Sundimtari!
Ata që nuk besojnë çka ju them unë atyre, ata do t’i pësojnë fort pasojat e mosbesimit. Me darët e ligjit do t’u nxirren dhëmbët e dhëmballët! Dhe, jo vetëm aq!”36
Pra, përmes këtyre kumtesave ironike autori sulmon frymën e politikës shqiptare, frymën e sundimtarit dhe të qenit Njëshi. Ironia që vazhdon edhe në faqet e tjera të romanit, nuk kursen asnjërën palë të politikbërjes, as të Majtën dhe as të Djathtën.
Madje, në këtë rast autori nuk vëren ndonjë ndryshim mes këtyre palëve, por shkon aq larg në sarkazëm sa i ngjason ato me dy duart gjatë aktit të masturbimit!
Në këtë mënyrë, risillet përsëri në qendër të vëmendjes, tema e hapjes së dosjeve të sigurimit shtetëror gjatë komunizmit. Sepse kjo, do t’ia pamundësonte kriminalëve dhe vrasësve të ndryshojnë të dhënat personale të jetëshkrimit të tyre:
“…. në Shqipëri, e bën jetëshkrimin tënd dhe të miqve tu sipas qejfit, si të duash: jetëshkrim viktime edhe në qoftë se ke qenë denoncues i të tjerëve; jetëshkrim heroi edhe në qoftë se ke qenë horr me nëntë vula; jetëshkrim bamirësie edhe në qoftë se ke qenë vrasës!”37
Prandaj, kjo gjendje e mjerueshme e kolektives, por edhe e individuales, ambicia për të qenë kryesori i cili mbizotëron mbi të tjerët, fshehja e identitetit, shoqërohet me pasthirrmën
Kuku nënë!, e cila aq sa të rikujton këngët e qyqes dhe të vajtimeve, aq edhe të ndërgjegjëson për errësirën edhe në liri!
Pikërisht, kjo liri e munguar në kohën e lirisë dhe mos themelimi i një vetëdije historike për përparim, nxisin autorin që të rrëfejë një të vërtetë të madhe, se komunizmin e përmbysi shembulli dhe jo vetëdija, ku të merrej ajo vetëdije?, nuk ekzistonte; e përmbysi historia dhe jo guximi, ku të merrej ai guxim?, nuk ekzistonte.
Në këtë rast, nga ironia kalohet në sarkazëm, në neveritje dhe përbuzje ndaj intelektualëve të cilët në vend që t’i shërbejë atdheut dhe popullit, iu nënshtruan diktaturës që e lartësonin në kupë të qiellit me lloj-lloj veprash artistike:
“…pushtetin e tij e kishin quajtur më të mirin në botë me këngë, me vepra muzikore, me piktura dhe skulptura, me vjersha e poema, me drama e me romane, me filma dokumentarë dhe me filma artistikë. Po.”38
Kësisoj, kur vjen fjala për këtë artileri “poetike” socio-realiste të intelektualëve – shërbyes ndaj diktaturës, autori nuk fshihet më mbrapa ironisë. Por, pohon haptazi, se nëse këto vepra do të përmblidheshin brenda ballinave të një libri, titullin do ta kishte “Turpi i Letërsisë Shqipe”, sepse titulli është monogram i përmbajtjes.
Andaj, nuk janë të pakta peizazhet, të cilat na përcjellin deri në faqet e fundit të romanit, tërë mllefin e autorit kundrejt këtyre intelektualëve, të cilët deri dje ishin puthadorësit më besnik kurse sot, bëhen disidentët më të sinqertë!
Dhe, me të drejtë, autori vë tërë barrën, për mos përparimin e kombit tonë krahas kombeve të tjera të botës, mbi supet e këtyre intelektualëve, të cilët nuk ngurrojnë të ndryshojnë identitetet, përkitazi të çdo pushteti.
Por, e vetmja gjë që ata nuk munden të ndryshojnë është shpirti, edhe tani shërbejnë si atëherë, por tani i shërbejnë Keopsit tjetër! Keopsit qesharak, karagjoz! Teprimet lajkatare në komunizëm, po ashtu edhe në demokraci, shpërfaqin pjesë ku ironia dhe serioziteti janë sikurse dy anë të medaljes.
Por, modusi ironik i rrëfimit, që zhvillon paralele epitetesh patriot – tradhtar – bastard, vazhdojnë të dëshmojnë dhe të e thellojnë të vërtetën e kohës së komunizmit përmes figurës së Tarik Saraçit.
Në kohën kur gjithçka i përkiste shtetit e çdo gjë bëhej për shtetin, shënon kohën kur jeta varje nga lajkat, nënshtrimi dhe përkulja. Mirëpo, Tarik Saraçi nuk do të bëhej anëtarë i kësaj Kështjelle gjakatare që lavdërohej nga çdo shkrimtar. Andaj, fati i jetës së tij, ironikisht, do të ngjasojë me fatin e shumë intelektualëve shqiptar, që përjetuan braktisjen nga atdheu dhe populli i tyre.
Paradigmat ironike do të shpalosin jetën e një njeriu e të një intelektuali me dije të gjerë të fushave të ndryshme shkencore e artistike, i cili akuzohet pa faj, dëbohet pa faj dhe vdes pa faj, si bir i askujt!
Fuqia intelektuale dhe përsiatjet, në vazhdimësi për nxënien e dijes, ndikuan në formimin e një karakteri këmbëngulës dhe atdhedashës. Mbi këto dy parime, lartësohet figura e Tarik Saraçit, i cili nuk u dorëzua asnjëherë para regjimit komunist edhe kur vihej në rrezik familja e jeta e tij. Sepse për të, ishte më e lehtë humbja e çdo gjëje sesa nënshtrimi, përkulja a lavdërimi i regjimit: “Shërbëtorësia ndaj diktaturave, përpos se e çmendur, është edhe e neveritshme. Pse e neveritshme? Sepse bëhej jo vetëm nga frika, por edhe për leverdi, çmime, dekorata, pozita!”39
Pra, Tarik Saraçi, nuk rreshti kurrë nga të thanit e të së vërtetës, karshi kësaj diktature, sepse ai nuk heshti edhe atëherë kur ishte duke u gjykuar me burgosje dhe internim në burgun e krimeve të rënda në Burrrel, në burgun më famëkeq të kësaj diktature.
Në mbrojtjen e vet, me rastin e gjykimit, ai përsëri do ta paraqes karakterin e tij prej rebeli, ku në mes tjerash pohoi: “Më vjen keq vetëm pse duhet të mbrohem prej gënjeshtrave zyrtare sepse lufta kundër gënjeshtrave zyrtare, zakonisht, është luftë e kotë.”40
Megjithëqë kjo gjë nuk e ndaloi Tarik Saraçin, për të luftuar kundër komunizmit, ndonëse e dinte që në fillim, se kjo luftë ishte e humbur.
Por, përkundrazi, veprimet e tij i takonin një intelektuali të lartë e të mirëfilltë, sepse ai me asnjë kusht, nuk do të pranojë që të bëhet servil i një pushteti gjakësor:
– sepse Tarik Saraçi, nuk ishte si të tjerët, brenda atdheut të tij:
“…. Tarik Saraçi do të duhej të po të mos ishte ai që ishte – intelektuali i teprimeve, i ironisë, dhe i cinizmit në dëmin e vetës, të çohej e të dilte jo vetëm një herë, jo vetëm dy herë, jo vetëm tri herë, por pa numër herë, para opinionit, me fjalime të përzishme në varrime, me ligjërata para të rinjve, me shkrime nëpër gazeta dhe të dënonte pasanikët, ata që hanin me dy lugë, që thithnin dy nëna!”41
– sepse Tarik Saraçi ishte si të tjerët, intelektual i arratisur, jashtë atdheut të tij:
“Çka bënte Dante në mërgim mbas arratisjes prej Firences, kur partia e tij e Guelfëve kishte pësuar disfatë prej partisë kundërshtare të Gibelinëve?
Shkruante Komedinë Hyjnore me të cilën u hakmerrej tmerrshëm përndjekësve dhe dëbuesve të tij, duke i futur, varësisht prej vuajtjeve që i kishin shkaktuar, në Ferr e në Purgator.”42
Mirëpo, duke qenë një intelektual i rrallë i kohës së vet, Tarik Saraçi, që shikon edhe mbas kodrës, ishte i vetëdijshëm se çfarë rrugëtimi e pret! Andaj, ende pa e përjetuar arratisjen, sikurse shumë intelektualë shqiptarë e botërorë, ai përkujdeset për hakmarrjen e tij!
Dialogimi në mes jetës reale dhe asaj letrare, shpërfaqin përftesat e kësaj hakmarrjeje të ashpër ndaj komunizmit. Derisa në jetën reale të Tarik Saraçit, mistifikohet koncepti i lumturisë, sepse ajo dhunohet nga pushteti. Ai kërkon ngushëllim te letërsia që është strehë e qetësisë dhe armëtore kundër shërbyesve të diktaturës. Prandaj, ai rroku armët e dijes e të letërsisë, për ta mbrojtur atdheun nga rrebeshet e komunizmit e në anën tjetër, për ta mbrojtur veten nga harrimi i kohës dhe paragjykimet e së ardhmes.
Përmes ligjëratave të mbushura me gjuhë ironike dhe therëse të botuara në gazeta të ndryshme të kohës, e të ligjëruara në tubime të shumta, Tarik Saraçi, do të thumbojë çdo padrejtësi të çdo sistemi diktatorial, i cili mundohet t’i rrënojë vlerat themelore të njeriut.
Njëra nga ligjëratat më të njohura të Tarik Saraçit, të cilën e kishte mbajtur para të rinjve të qytetit të tij, ishte “Murtaja, tërbimi dhe vampirizmi në trojet shqiptare prej shekullit XV deri në gjysmën e dytë të shekullit XX”. Njëherazi, kjo ligjëratë, por edhe shkrimet e tjera
letrare e shkencore, ishin arsyet e akuzimit ndaj Tarik Saraçit. Gjuha ironike dhe e koduar, përmes së cilës përbuzej sistemi komunist, ishte shqetësimi kryesor i agjentëve të Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë. Ata ishin të vëmendshëm ndaj tij, sepse e dinin rëndësinë dhe ndikimin që kishte Tarik Saraçi në mesin e njerëzve.
Nën petkun e gjuhës letrare, Tarik Saraçi, shtjellon utopinë e lirisë, brenda kështjellës komuniste. Ky fjalim që zgjatë 57-minuta, porse përfshinë një periudhë kohore që nga viti 1413 e deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
Kjo ligjëratë e fiksionalizuar, duke u nisur që nga titulli, i cili duhet interpretuar brenda lojës ironike të përmbajtjes, është një shkrim atipik i vënë përballë shkrimeve tipike të metodës së realizmit socialist.
Parametrat ironike zbërthehen përmes fjalëve murtajë dhe tërbim, që shënjojnë kuptimin për komunizmin, i cili krahasohet me sëmundjet ngjitëse. Andaj, sikurse sëmundjet edhe komunizmi ka arritur të përhapet shumë shpejt, duke përfshirë vende të ndryshme të botës. Si i tillë komunizmi, më shumë i gëzohet vdekjeve sesa jetës.
Kurse fjalët vampirizëm dhe shtrigëri, personifikojnë trashëgimin e së keqes, e cila në shumë raste nuk mundet të asgjësohet krejtësisht.
Në këtë kontekst, këto gjene i kanë trashëguar fillimisht, zotërinjtë dhe shërbyesit e komunizmit, sepse disa vampirë nuk shiheshin kurrë, por gjakun ua thithnin të tjerëve!; e pastaj edhe deputetët e demokracisë, sepse nuk duhet harruar se me gojën e tij gjithnjë flet Sulltani, kurse mbas fytyrës se tij fshihet Shejtani.
Ndërsa, në anën tjetër, vetë figurshmëria e kësaj ligjërate, tregon për vizionet përparimtare artistike të Tarik Saraçit, përballë krijuesve të kohës së vet. Ai me zgjuarsinë e tij hetonte dëmin që do të sillte implementimi i metodës teorike, artistike, shkencore të quajtur socrealizëm:
“ ….kisha menduar dhe do të mendoj kundër realizmit socialist, i bindur se doktrina e ashtuquajtur socrealiste, si e quajnë në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera komuniste, është doktrinë kundërkrijuese që e dëmton tmerrshëm krijimtarinë shpirtërore – artistike dhe shkencore.”43
Në këtë pikë përbashkohen mendimet e personazhit dhe autorit, apo thënë ndryshe personazhi është zëri i autorit. Shija e hollë e vetëdija e lartë artistike, që e karakterizon botëkuptimin e Tarik Saraçit, për krijimet letrare, padyshim që shpalos revoltën e Qosjes përballë metodës socrealiste.
Prandaj, ajo që e ndanë Tarik Saraçin, shëmbëlltyrë e autorit, nga kjo metodë është thelbi kritik që ironia e tij përmban, një ironi që synonte zgjimin e ndërgjegjes intelektuale dhe kombëtare.
Mirëpo, këtë zgjim nga robëria e komunizmit, Tarik Saraçi, nuk do ta gjejë as në Shqipëri e as në Kosovë. Kësisoj, rrëfimi vazhdon në ambiente të ndryshme, por realitet nuk kanë ndryshuar, prandaj vërejmë se ai tanimë kishte filluar ta humbiste konceptin moral për jetën dhe atdheun.
Derisa vazhdon jeta e rënduar e Tarik Saraçit, larg atdheut e larg familjes, në anën tjetër, loja ironike vazhdon punën e saj çmitizuese me tjetërsimin e subjektit në fjalë. Tashmë, Tarik Saraçi, e “pranon” realitetin e tij, i cili është i pakthyeshëm e i pamundur të ndërrohet. Andaj, intelektuali i zëshëm, dobësohet para sistemit, sepse kupton se zëri i tij nuk dëgjohet, porse ai dorëzohet edhe para ndjenjave, sepse dashuria mposht intelektin.
Kësisoj, Tarik Saraçi, nuk himnizohet dhe as nuk idealizohet, sepse ai vdes si diversant, kurse vdekja është simbolike, pasi trupi i tij ndahet nga mina dhe copat hedhen në të dyja anët e kufirit Shqipëri – Kosovë.
Por, në të njëjtën kohë, vdekja e tij është ironike ndaj materiales, përkatësisht mënyra se si Delina dhe Mirani, e mësojnë të vërtetën për vdekjen e tij, përmes spirtualitetit.
Andaj, vdekja e tij nuk është tragjedi, ajo është ironi, është liri e jetës që shtrihet në vdekje!
– Kohë e re, brez i vjetër
Premisat ironike që ngërthejnë në vete realitetin e përditshmërisë, në kohën e demokracisë, parashtrojnë hipoteza të shumta, që kanë të bëjnë me historinë, kombin, ideologjinë, atdhedashurinë e patriotizmin. Këto dilema janë pjesë e qëndrimit postmodern, sipas të cilit duhet kundërvënë paradokseve të paraqitjes së fiktives / historikes, të veçantës / të përgjithshmes, dhe të sotmes / të shkuarës.44
Ripërballja e kaluar / e tashme risjllë analizën në mes ngjashmërive e dallimeve ndërmjet dy kohëve dhe zgjon konfliktet ndërmjet brezave. Shprehjet sarkastike “demokracia e ish-komunistëve”, “patkonj dje, patkonj sot”, “rënia dhe ngritja e kurvave”, “zotërijtë e rinj dhe puthadorësit e vjetër”, “të keqin e kemi zëvendësuar edhe me më të keq”, “globi në shtëpi e në shpirt”, “komunizmi ka mbaruar, por shprehitë e tij do të vazhdojnë aq sa ka zgjatur komunizmi”, janë dëshmi se jemi duke folur për një kohë të re, por të përcjellë nga mentaliteti i vjetër.
Diskursi ironik riprodhon këtë kohë të re, e cila nuk ndryshon nga koha e vjetër, sepse që të dyja përbuzin vlerat. Në këto rrethana, ironia që herë-herë kalon në satirë, rrokë çdo fushë të jetës shoqërore e akademike, në Shqipëri e Kosovë dhe motivohet fuqishëm nga realiteti i kohës.
Prandaj, paragrafët ironikë që janë lojë e postmodernitetit, rrënojnë çdo kuptim himnizues për Shqipërinë e shqiptarin, patriotin e tradhtarin, dashurinë dhe mallkimin. Sepse çmitizimi i tyre është roli kryesor i ironisë.
Madje ky perceptim ironik i përditshmërisë, që si thelb ka aktivitetin kritikues ndaj dukurive negative, nuk anashkalon as snobizmin e vendeve evropiane dhe jo vetëm:
“Amerikanët nuk i durojnë aspak dhimbjet e veta, them unë.
Por nuk u shkaktojnë dhembje të tjerëve, thotë ai.
Nuk u shkaktojnë dhembje të tjerëve? pyes i çuditur. Kush po u shkakton dhembje palestinezëve? Irakianëve? Afganëve? Shumë arabëve? Kush u ka shkaktuar dhembje vietnamezëve? Dhe, koreanëve? Japonezëve? Me bombë atomike!”45
Pra, pena ironike e Qosjes vret dhe pret në të dy anët!
Derisa, Tarik Saraçi, ishte intelektuali që rrëfeu për jetën në komunizëm, Miran Bushati, është intelektuali amerikano-shqiptar që do të rrëfejë për jetën në kohën e demokracisë në vendet shqiptare. Ai do të udhëtojë drejt Shqipërisë, e më pas do ta vizitojë Kosovën, për të mbledhur informacione për jetën e protagonistit të tij.
Mirëpo, siç duket vizita e parë e tij, në atdheun e të parëve, do të jetë edhe vizita e fundit! Sepse që në momentet e para kur shkel në tokën shqiptare, ai përballet me situata kontradiktore e paradoksale. Një shqiptar-amerikan, i cili ishte lindur e rritur në Amerikë do të habitet tej mase, me mos zhvillimin ekonomik e kulturor të Shqipërisë.
Padyshim, që çudia e tij do të rritet edhe më shumë, kur kupton se koha e demokracisë ende determinohet nga morali i ideologjisë komuniste. Moral, me të cilin atakohet që me zbritjen nga avioni:
“Kur ma sheh pasaportën amerikane, doganieri, para dritares të të cilit ndalem, më dhuron shumë përzemërsi me fjalë dhe buzëqeshje, që nuk do të pushojnë derisa të ma kthejë pasaportën me vulën Republika e Shqipërisë.”46
Kësisoj, zakoni i përkuljes për leverdi dhe jo respekt, që shqiptarët e kishin mësuar aq mirë në komunizëm, ishte ende pjesë e karakterit të tyre. Pra, protagonisti i kohës së re, ballafaqohet me karakterin e kohës së vjetër.
Prandaj, prirja snobiste për të ndjekur një rrugë të gabuar, thellohet edhe më shumë me mallin nostalgjik ndaj ideologjisë komuniste, ndonëse kanë kaluar 15 vite nga rënia e saj.
Deklamimin e kësaj dashurie të zjarrtë do ta përjetojë Miran Bushati, pothuajse çdo ditë, herë nga shtresa e popullit e herë nga shtresa politike e artistike:
“Çfarë dobie do të kishte Shqipëria prej ngjalljes së Tij? Çfarë dobie do të kishe ti, vetë, prej ngjalljes së Tij?
Së pari do të çlirohej Shqipëria prej kriminelëve që po mashtrojnë popullin, po vjedhin dhe po plaçkitin pasurinë e përgjithshme. Së dyti, do të ndalej kjo rënie e tmerrshme shpirtërore dhe morale që ka përfshirë popullin.”47
Andaj, kohën e re, në çdo kohë, e ndjek brezi i vjetër, i cili shpërndan reflektimin e dritës dhe bën të mundur jehonën e hapave të vjetër. Por, mos të harrojmë, që edhe në kohën e demokracisë flitet për jetën në Kurrnajë e Vajazan, e cila ende përballet me një intelekt të dobët, kulturë të shthurur e identitet të prishur.
Sesa i thellë është ky degjenerim shoqëror tregojnë veset tona, që përgjithësisht i kemi si komb, të cilat kanë shkaktuar këtë mot të lig, në kohën kur dielli duhej të ishte verbues!
Kundrimi ironik i këtyre të metave përbashkon brezat, pasi ato janë cilësi trashëgimore, që përcaktojnë koherencën autentike shqiptare.
Në këtë kontekst, demokracia ka bartur demonin e gjakmarrjes me vete, të barutit e kanunit, prej të cilët nuk kanë hequr dorë as shqiptarët e amerikanizuar. Kështu do të shprehej Nushi në një bisedë me Miranin:
“E di se mendojnë në mënyrë të vjetër, shumë të vjetruar, si bajraktarët e dikurshëm. E di se nuk janë liruar dhe nuk mund të lirohen prej frazeologjisë së ashtuquajtur folklorike dhe fisnore. E di se nuk mund të shqiptojnë mendim pa e zatetur në barut…”48
“Për pesëmbëdhjetë vjet demokraci më shumë të vrarë prej njëri-tjetrit se të pushkatuar prej Enverit”49
Apo, atë qëndrimin këmbëngulës, edhe kur kemi marrë rrugën e gabuar: “Sikur të kishim ditur me kohë, të kthehemi prej gjysmës së rrugës së gabuar, do të ishim siç janë kinezët sot: fuqi botërore e në mos jo fuqi botërore, së paku, fuqi evropiane e në mos jo fuqi evropiane, së paku, fuqi ballkanike.”50
Ose, karakteri nënshtrues ndaj të huajit: “Përshëndetje e detyruar, domethënë e shtirë, për të huajin shumë më përkulshëm se për tëndin – ky është thelbi i kulturës sonë politike, ndoshta, i kulturës sonë në përgjithësi.”51
Apo heroizmin ndaj dyfytyrësisë, i cili është mjet dhe parim në jetën tonë, dhe ndaj xhelozisë, duke mos duruar suksesin e tjetrit, ajo sjellë shumë mosdurim, urrejtje dhe hakmarrje të ndryshme.
Një tjetër çështje që përvijohet në mënyrë ironike është komunikimi i mediave dhe kultura e debatit ndërmjet banalistëve dhe deputetëve shqiptar. Ajo që ndërlidh gjithë spektrin televiziv e politik është koncepti i mbisundimit ndaj tjetrit, qoftë atëherë kur lavdërojnë ose ofendojnë.
Prandaj, shprehjet e përdorura gjatë komunikimit në media në politikë e në përditshmëri, shpërfaqin mos kulturën e thellë gjatë debateve të ndryshme:
“Debati është shumë i ashpër. I vrazhdë. Ia marrin fjalën njëri-tjetrit. Dikur e fyejnë njëri-tjetrin. Më shumë përqeshje se qeshje. Më shumë supozime se fakte. Më shumë ndjenja se mendime.”52
Në këto sekuenca ironike, që përcaktojnë veprimtarinë e masmedias si tërësi, kulmon shpërfaqja e servilizmit ndaj politikës:
“Televizionet, radiot dhe gazetat më shumë merren me to, me partitë dhe prijësit e tyre se me gjithë jetën shoqërore, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore, bujqësore, shpirtërore të popullit.”53
Së këndejmi, korrektori ironik relativizon kufijtë në mes kategorive shoqërore duke goditur bashkëfajësinë e të gjithë politikanëve, intelektualëve dhe vetë shkrimtarëve për këtë mjerim ndërpopullorë në kohë të paqes e të zhvillimit teknologjik.
Andaj, ironia që është figura kryesore e rrëfimit, nuk hap çështje të panjohura për lexuesin, por shtron kërkesën e ndryshimit. Pra, ajo flet për atë çka duhet të dëgjojmë dhe jo për atë që dëgjomë!
Kësisoj, diskursi ironik përqendrohet në mendësinë e udhëheqjes demokratike, duke rikonceptualizuar mosvetëdijen e mospërgjegjësinë ndaj formimit të shtetit. Ndonëse janë numëruar 15 vjet demokraci nuk është arritur që të krijohet një sensibilitet i mirëfilltë politik, i cili do të mposhte sistemet paraprake, që si testament la vetëm shumëfytyrësinë!
Kjo kundërvënie ndaj prijësve politik në një kohë aktuale, tregon se ideologjia ka ndryshuar formë përveç se përmbajtja është e vjetër.
Shumë prej këtyre shërbëtorëve (lexo: politikan pa identitet) prapë e kanë marrë pushtetin, por tani duke pështyrë në ata të cilëve dje ua kanë puthur duart dhe këmbët, prandaj, nuk mund të ndodhë mundësia e ndryshimit brenda klasës politike, pa u ndryshuar përmbajtja.
Por, jo vetëm dyfytyrësia e servilizmi, nënshtrimi e mashtrimi, por edhe sundimi politik mbi jetën e individit zbërthen karakterin e të qenit Njëshi, më çdo kusht dhe rrugë! Kjo frymë politike e mbisundimit rrënon ëndrrat e të rinjve dhe ngjallë dëshirat e largimit, sepse si gjithmonë shpëtimin e gjejmë tek shpërnguljet!
“Partitë janë këtu çdo gjë! Duke qenë në to do të fitosh lavdi dhe mund të fitosh pasuri. Janë firma biznesi dhe institucione pushteti. Jashtë tyre nuk ke gjasën të sendërtosh dëshirat as të të dëgjohet zëri.”54
Andaj, kjo humbje e rrugës për të gjetur demokracinë në demokraci shtron çështjen e kërkimit në lashtësi që shkon përtej komunizmit e demokracisë. Ironia në garat e gojëtarëve të rinj trajton këtë domosdoshmëri kërkimi që ngërthen në vete filozofinë e rikthimit moral dhe qenësor të vlerave themelore të demokracisë së mirëfilltë.
Ndërsa në anën tjetër, kjo detyrë nuk u ngarkohet elitës politike, por disa të rinjve si Altin Kushari që bën thirrje për t’u ngritur e vepruar, sepse nuk është dobësi të rrëzohet, por të mbetesh i tillë.
Si Tigrana Tepja që shpalos idenë e të qenit ndryshe, andaj kërkon evolucion dhe jo revolucion apo si Nart Kamsi që shpreh mençuri e guxim për ndryshim, duke lexuar orën e vdekjes për çdo figurë dhe ideologji të vjetruar!
Mirëpo, ky retrospektivë në lashtësi luan lojë të kundërt kur vjen fjala për identitetin fetar për shqiptarët. Madje, ky rikthim në të kaluarën zbulon thirrjen më anakronike të fesë së krishtere ndaj shqiptarëve për t’iu kthyer rrënjëve. Patosi ironik nxjerr në pah debatin real, i cili figura kryesore kishte Qosjen dhe Kadarenë, kurse imzot Shtjefnin portretizon priftin shqiptar që vjen nga Detroiti, i cili pranoi ekzekutimin e kosovarëve nga serbët, pikërisht në bazë të përkatësisë fetare.
“Jo, imzot Shtjefen, jo. Historia na mëson se feja e të parëve tanë nuk ishte krishterimi, po paganizmi – dikur dhe politeizmi – më vonë. Krishterimi ishte i vonë, kurse islamizmi edhe më i vonë në jetën e popullit shqiptar. A pajtoheni, imzot Shtjefen, që të kthehemi bashkë në atë fe të të parëve tanë: në besimin në disa zota?”55
Derisa rrëfimi ironik vazhdon rrugën, ai mbështjellët me nuancat e sarkazma, thumbon pa mëshirë, intelektualin servil, që vazhdon të jetë plagë e vjetër e autorit dhe shoqërisë.
Andaj, përmes syrit të Miranit, Qosja zhvesh lakuriq shpirtin e shkrimtarëve, intelektualëve e akademikëve që janë, apo thënë më mirë do të duhej të ishin zëri i popullit. Me tone ironike përshkruhet gjendja e mjerueshme e institucioneve akademike, por edhe e vetë “akademikëve”, të të dyja vendeve.
Mes tjerash, autori do të pohojë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e rrjedhimisht e Shqipërisë, kanë humbur qëllimin e lartë, që shënjohet nga titulli që ato bartin, pasi në to pranohen servilët dhe jo kritikët e saj.
Duke u nisur nga ky fakt, vërejmë se dija, në kohën tonë, është bërë zanat e biznes. Mjafton të paguash, të shërbesh, të nënshtrohesh, të buzëqeshësh ndaj atij që është në pushtet, dhe ti fare lehtë do të gradohesh me titullin Akademik.
Ja, dy pasues që shpërfaqin realitetin e vrazhdë në jetën akademike shqiptare:
“… për të dhënë provimet e për të mbrojtur studimin e shkruar dhe, ashtu, për të marrë magjistraturën në kohën e komunizmit duhej të punoje, kurse tani masterin edhe mund ta blesh prej tre mijë deri në pesë mijë dollarë. Nuk është shumë, shtoi, sepse për të regjistruar djalin
ose vajzën në fakultetin e mjekësisë, fjala vjen, ndodh të jesh i detyruar të japish dhjetë mijë mito.”
Ose: “AKADEMIK. Grada më e lartë shkencore a artistike. E fiton me punë shkencore dhe me punë artistike. Por, mund ta fitosh edhe pa ndonjë punë shkencore a artistike, më së shpeshti duke u bërë shërbime, më të mëdha e ma të vogla, anëtarëve të tjerë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, që janë bërë akademikë para teje”, – në të njëjtën mënyrë, pra me servilizëm!
Mirëpo, kësaj rreptësie ironike qosjane, nuk i shpëtojnë as shkrimtarët, që “veprojnë” në kohën tonë. Pra, veprojnë dhe nuk krijojnë vlera artistike!
Të gjithë ata artistë që nuk e përfillin artistiken e poetiken, madje të gjitha ata, që as nuk kanë njohuri për këtë shije, por mbahen si artistë, janë figurat e radhës që portretizohen e ironizohen deri në parodi.
Një kapitull i tërë, ai i fundit i veprës, ku kremtimi i Ditës së Krijuesit do të quhej Karnavali i dyfytyrësisë nga Delina Derti, shpalos neverinë autoriale kundrejt karakterit snobues.
Nën vijat ironike hetojmë shpotinë e Qosjes, e cila thumbon servilizmin e krijuesve ndaj pushtetit, sepse janë pikërisht këta që sot, shumë qyqarin po e bëjnë trim e tradhtarin atdhetar!
Në këtë mënyrë çmitizohet botëkuptimi i dikurshëm për poetin, i cili para personales ka vënë çështjet kombëtare! Sepse kohët e reja sjellin dhe kritere të reja vlerësuese. Andaj, dallimi mes shkrimtarit të popullarizuar, sot, dhe rrospies, sot, është gjithnjë e më i vogël!
Kësisoj, ironia e Qosjes ka çmitizuar figura të bashkëkohësisë, apo thjeshtë ka përshkruar karakterin e tyre, si të Esad Mekuli, Sali Berishës, Ibrahim Rugovës, Isamil Kadaresë, Adem Demaçit, Ardit Gjebresë, Medës etj.
Pranë të cilave, paralelisht, janë portretizuar herë me ironi e herë me seriozitet edhe figurat që bën historinë shqiptare, si Nëna Terezë, Skënderbeu, Gjergj Fishta, Arshi Pipa, Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Lumo Skendo, Anton Arapi etj.
Pra, synueshmëria autoriale është që përmes letërsisë, të gjejë plagët e dhimbjes dhe të shëroj sëmundjet e kombit. Por, mbi të tjera, vepra Bijtë e askujt edhe njëherë shpalos profilin e autorit, i cili nuk i vë pikë fundore kritikave të tij, vetëm pse atë e kërkon koha apo pushteti!
– Metaproza
Duke qenë vepër postmoderne, Bijtë e askujt, shkruhet nën rregullat e kësaj poetike, të cilat i hetojmë qoftë në kompozicionin e brendshëm apo të jashtëm të saj. Teoria postmoderne, sjell një sensibilitet të ri teorik, i cili pohon se letërsinë e tillë më shumë e nxit dhe provokon vetë bota letrare, sesa realiteti i jetës.
Prandaj, këtë pjesë e titulluam në këtë mënyrë, sepse kemi të bëjmë me stilin brikolar të veprës, i cili do të shpalos një artileri të madhe huazimesh nga tekste të ndryshme letrare dhe jo letrare.
Brikolazhi, që përmbysi kufijtë mes gjinive letrare, ngërthen në vete “burime” të llojllojshme, prej të cilave autori merr materiale për të përpunuar materien letrare e për të përforcuar individualitetin krijues.
Në këtë kontekst, një emërtim i tillë i kësaj pjese studimi, do të bartë kuptimin se Bijtë e askujt është roman mbi romanet, i cili qëndron në piedestal të letërsisë sonë, e njëkohësisht është shëmbëlltyrë e ndërthurjeve ndërtekstuale. Titulli metaproza, gjithashtu do të mund të përkthehej edhe si roman për romanet, pasi është model udhërrëfyes për veprat e reja!
Pra, brikolazhi përbrenda vetes përmban dy premisa të rëndësishme të artit postmodern përgjithësisht:
a) Individualitetin krijues, përkatësisht origjinalitetin e autorit, i cili zbulon mënyra të reja të krijimit letrar, dhe
b) Marrëdhëniet e tekstit letrar, me vetë sistemin që e krijon atë, por edhe me tekstet jashtë letrare.
Padyshim, që këto dy premisa janë në një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet vetes, sepse origjinaliteti i autorit përkon të kushtëzohet nga konstruksionet e reja ndërtekstuale e në anën tjetër, kjo përzierje tekstesh kushtëzohet nga përvoja e dija e autorit. Pra, në postmodernizëm i vetmi pushtet i Autorit është t’i përziej shkrimet, ashtu siç pohonte edhe Barti.
Por, dukuria e bashkëveprimit mes teksteve është vërejtur para postmodernizmit, megjithatë kjo poetikë letrare i vuri në përdorim të gjerë nocionet si intertek
intermedialitet dhe intratekstualitet. Kësisoj, romani Bijtë e askujt është një univers, që përbëhet nga një shumësi ndërthurjesh, e cila me të drejtë ia jep veprës epitetin e romanit erudit.
Pra, kjo mënyrë krijimi që përmbledh dromca tekstesh e që marrin kuptim nën ombrellën e brikolazhit, shfaqë dialogimin ndërmjet teksteve. Kështu, dialogu i një vepre me vepra e tjera zhvillohet në forma të ndryshme e të larmishme, përmes “imitimit”, perifrazimit, citimit, transformimit etj. Kësisoj, çdo vepër letrare rezulton të jetë variant i një tërësie tematikash, idesh, kodesh e konventash.56 Prandaj, për të zbuluar fijet e këtyre ndërthurjeve doemos duhet të përdoret metoda e dekonstruksionit, përmes së cilës bëhet çmontimi i strukturës polisemike në shtresa më të vogla tekstore.
Gjithashtu, në këtë amalgamë brikolare dialogojnë edhe kohët mes vete, në aspektin e trashëgimisë së mentalitetit nga njëra tek tjetra, të cilat përbëjnë kontekstin e veprës. Kontekst, i cili menjëherë të dërgon tek lidhja që teksti letrar ka vendosur me diskursin historik, sepse brenda veprës rrëfehen paralelisht dy kohë: komunizmi dhe demokracia.
Shikuar nga këndvështrimi ynë aktual, që të dy këto kohë tashmë i përkasin një periudhe historike, ndonëse njëra është e vendosur më larg në kohë, kurse tjetra është një histori e afërt, e cila rrëfen ngjarjet e vitit 2006.
Mirëpo, kjo lidhje letërsi – histori, tregon se autori si referencë historike ka marrë vetëm ideologjitë e kohës, sepse metafiksioni historiografik nuk e ka për synim riprodhimin e ngjarjeve po, në vend të kësaj, të na orientojnë nga faktet dhe kahet e reja të të menduarit për ngjarjet.57
Vetë titulli i romanit Bijtë e askujt, është ironik dhe paradoksal, sepse vë në shprehje mosndryshueshmërinë e kohëve, të cilat përcjellin parullën e njëjtë: ndërtimi i jetëve normale në kohë jo normale.
Prandaj, Bijtë, Tarik Saraçi dhe Miran Bushati, janë të askujt, përveç tjerash, do të thotë që nuk i përkasin asnjë ideologjie, qoftë ajo e vjetër apo e re.
Në vazhdimin e kësaj lidhjeje të diskurseve shpalosen edhe të dhëna faktike historike, të cilat konsiderohen reale. Me ç’rast do të kuptojmë për marrëdhëniet e vendeve komuniste, ku secili diktator luftonte për zgjerimin e pushtetit, për aksionin diversant që bëhej në Shqipëri, për pushtimet e ndryshme nga të cilat ka vuajtur populli ynë, për Betejën e Kosovës, në
përmendoren e së cilës do të mungojnë plotësisht ata që ishin gjithmonë në Kosovë, pra shqiptarët. Madje, këtë huazim të letërsisë nga historia e shpërfaqë dhe prania e figurave, që bartin premisa historike, të kohës së komunizmit e të demokracisë, si ndër më kryesoret do të përmenden Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Sali Berisha.
Ky bashkëveprim njëherësh shpalos se Qosja, i qëndron përkrah mendimit të Aristotelit, që letërsia është më e gjerë se historia. Por, ai i qëndron përkrah edhe mendimit postmodernist, sepse montimi edhe i teksteve letrare, edhe i teksteve historike në fiksion bëri që sot t’i kthehemi idesë për pronësinë e “përbashkët diskursive”, mirëpo ky kthim është problematizuar me ndihmën e pohimeve të hapura metafiksionale se historia dhe letërsia janë konstruksione të njeriut.58 Kësisoj bëhet çmitizimi i çdo kohe e i çdo të vërtete, qoftë kjo historike apo letrare.
Vargu i huazimeve mes diskurseve të shpie edhe tek ndërthurjet e letërsisë me filozofinë e psikologjinë. Sepse nuk mund të jesh vetvetja, në rrethana të cilat nuk të sigurojnë një jetë të lirë e të sigurt, pa pasur një synim të lartë filozofik e një karakter të vendosur psikologjik, për të thënë të vërtetën, atëherë kur çdo gjë është kundër teje.
“E papritura” kjo paradigmë filozofike, që përcjellë vetë jetën e njeriut, përcjellë edhe jetën e romanit.
Në këtë kuadër bashkëveprimi hyjnë pjesët e vendosura në fillim të veprës e në fillim të dy pjesëve të saj, për të cilat tekstet e cituara janë të njëjta, duke ruajtur kështu frymën filozofike se asgjë s’ka ndryshuar në botën shqiptare.
Prandaj, kemi shprehjet filozofike që bartin barrën e kuptimsisë së dyfishtë, siç janë “tymi mbulon qiellin”, “tymi i gënjeshtrave e ka mbuluar qiellin e të vërtetave” (Hegeli), “asgjë nuk është e humbur përgjithmonë në qoftë se nuk e ke humbur besimin”, “Shumica ikin prej vetvetes! Të tjerë mund ta gjejnë vetveten askund”, “Fol me të vdekurit për të kuptuar të gjallët”, “Terr në të gjitha anët. Terri na ka mbuluar të gjithëve”. Për të përfunduar me një pyetje të madhe filozofike, që ende pret përgjigje: Ç’është e vërteta?!
Ndërsa diskursi psikologjik i cili shpalos karakterin e protagonistëve, por edhe të kolektivitetit, temë për të cilën do të flasim në pjesën vijuese, do të pasurohet me ëndrrën e Tarik Saraçit, e cila mund të analizohet nën llupën e psikanalizës.
Një analizë e tillë, tregon dëshirën e pavetëdijshme të protagonistit, për t’u kthyer në mitrën e nënës, atje ku do të ishte fillikat, një shqiponjë lakuriq, një qenie ende e paformuar. Ndërsa, përshkrimi i rrugës së kthimit të Tarik Saraçit apo shqiponjës, nëpër ato vende nga është nisur, simbolizon kthimin e tij në gjirin familjar. Pas disa faqesh kjo ëndërr bëhet realitet. Kthimi i Tarikut në vendlindje është i ngjashëm me kthimin e Odiseut në Itakë, të cilin e pret Argosi dhe gruaja e tij besnike, Jona. Kështu krijohet lidhja intertekstuale e një vepre postmoderne me një vepër të traditës së lashtë letrare, siç është vepra Odiseu i Homerit.
Në kuadër të intertekstualitetit hyjnë edhe tekste nga fushat e ndryshme, të cilat aq mirë i janë përshtatur tërësisë së rrëfimeve. Përmes një leximi të vëmendshëm ne do të hetojmë ndërlidhjen e letërsisë me arkitekturën, e cila si shumë disiplina të tjera, te ne është ndikuar e zhvilluar krah për krah stilit dhe estetikës së pushtuesve; e letërsisë me etnografinë, pasi bëhet studimi i kulturës shoqërore e intelektuale; e letërsisë me gazetarinë, intervistat që zhvillonin Mirani e Delina; e letërsisë me retorikën, kujto garat e gojëtarisë që mësonin se si duhej thënë gjërat; e letërsisë me jurisprudencën, pjesët e gjykimit dhe mbrojtja e Tarik Saraçit.
Mirëpo, një ndërlidhje e fuqishme për këtë vepër e për secilën vepër të Qosjes është lidhja e letërsisë me gjuhësinë. Sepse gjuha, për autorin, simbolizon vetë popullin.
Andaj, njëra nga çështjet më të rrahura brenda kësaj vepre, është pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, kurse përdorimi i gjuhës standarde dhe krijimi i neologjizmave në roman, është thirrja e heshtur e autorit që ia bën lexuesit!
Në anën tjetër, shpaloset dialogizmi i letërsisë me vetë sistemin që e krijon atë. Kësisoj, para nesh na shfaqen shumë udhëzime teorike, që kanë të bëjnë me krijimin e veprës letrare, fenomen që në poetiken e postmodernizmit e njohim me termin poioumenon.
Kurse pjesa e parë e veprës, përkatësisht prej faqes 7 deri në 44, ka rolin e një prologu dramatik. Pasi kjo pjesë shpjegon temën e veprës, shtjellon ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën e që do t’iu paraprijë kohës së ardhme, duke na prezantuar kështu me dy protagonistët e romanit në të njëjtën kohë. Por, përveç jehonës së shkrimit dramatik, në roman dallohet edhe ndërthurja mes shkrimit së prozës e poezisë, inkuadrimi i të cilave bëhet herë me tone ironike e herë për ta përforcuar stilin brikolar të veprës. Gjithashtu, hetojmë se komunikimi i letërsisë me vetë botën e saj zgjerohet përmes përdorimit të formave të ndryshme letrare, të cilat motivohen varësisht ngjarjeve që rrëfehen. Ndër këto forma mund të përmendim monologun, dialogun, përshkrimin, rrëfenjën, ditarin dhe formën epistolare etj.
Ndërkaq, natyra intertekstuale e romanit e dërgon narraterin gjithnjë e më shumë në një shumësi marrëdhëniesh të reja me tekstet paraprake. Një analizë intertekstuale pohon ndërvarësinë e një teksti letrar, me të gjitha tekstet e tjera që kanë ekzistuar para tij.
Mbi këtë parim postmodern bëhet ndërthurja e teksteve letrare, që herë janë nën funksionin e ironisë, herë përdoren si citate e nuk përmendet burimi i tekstit, herë-herë tema apo ngjarjet e rrëfyera dhe karakteri i protagonistëve, sjellin ndërmend një tekst paraprakisht të lexuar.
Pra, stili brikolar i shkon përshtati metafiksionit historiografik, sepse duke iu rikthyer teksteve të mëparshme, ai rikthehet në të kaluarën dhe riviziton jetën reale e letrare përmes vështrimit ironik.
Mirëpo, kjo rimarrje ironike, që ndonjëherë nuk është e tillë, ndaj letërsisë ka mundësuar shprishjen e kufijve mes artit elitar e artit popullor, apo artit të lartë e të ulët.
Të fillojmë këtë linjë intertekstuale me Bodlerin. Dy shkrimtarët, Qosja e Bodleri, frymëzohen prej së keqes, sepse për të dy arti është lule e së keqes: “Gjeniu i kobshëm, Bodleri, bukur e ka thënë me titullin e veprës së tij poetike, pa dyshim veprës më të bukur lirike në historinë e letërsisë botërore: arti lule e së keqes.”59
Pra, arti letrar është një dije e cila kultivon dhe rritë njerëzoren tek njeriu, pasi e mëson individin që të mospajtohet me të këqijtë e të këqijat, ndonëse ky mospajtim mund të sjellë shumë vuajtje. Brenda këtij konteksti duhet parë karakterin intertekstual me Gëten, “Dëgjojeni çka thotë Gëte: Nuk është dobësi të rrëzohesh, po të mbetesh i rrëzuar”; me Floberin, atëherë kur Tarik Saraçi, përballet me krizat shpirtërore e me mosdashurinë e atdheut; me Poenë, poema e të cilit i përshtatet territ të komunizmit; me Etjen de la Boesi dhe veprën e tij Trajtesë mbi robërinë vullnetare, prej së cilës huazohet një paragraf i tërë që thumbon servilët e pushtetit, pasi dëshira e tyre është të bëhen tiran të vegjël nën tiranin e madh; me Andrea Zhidin dhe veprën e tij Farkuesve të parave të rrejshme, të cilën shumë herë autori e citon, duke treguar edhe burimin e autorësisë së veprës; gjithashtu lidhje intertekstuale vërejmë edhe me veprën Zoti – jeta dhe vepra të Zhan d’Ormeson, prej së cilës huazon pjesë për t’i vënë në shërbim të ironisë, duke futur këtu edhe vetë titullin e veprës, i cili i ngjason me jetën dhe veprën e figurave komuniste: Enver Hoxha – jeta dhe vepra, apo Josip Broz Tito – jeta dhe
vepra; ndërkaq thirrjet komuniste e demokratike, që të gjithë janë të barabartë para ligjit, por kësaj drejtësie çdoherë i shpëtonin servilët e pushtetit, sjellin jehonë orwelliane përmes parullës paralele “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat” nga vepra Ferma e kafshëve.
Në këtë botë intertekstuale shohim një ndikim të madh nga autori amerikan Kurt Vonnegut dhe veprës Thertorja pesë, prej së cilës Qosja ka huazuar, përveç lojës së poioumenonit, edhe diskursin ironik dhe parodizues të romanit në fjalë, i cili merret me ngjarjet nga Lufta e Dytë Botërore.
Pastaj vërejmë huazimin e teknikës së palimsestit, sepse edhe tek Vonnegu kemi protagonistin Billy Pilgrim që shkruan brenda romanit, sikurse Miran Bushati. Një lidhje ngjashmërie mes këtyre veprave krijon edhe fjala Dëgjoni, me të cilën diktatorët ideologjik, përmes kumtesave zyrtare klithnin për vëmendje.
Në anën tjetër, intertekstualiteti t’i sjell ndërmend edhe veprat e njohura të letërsisë botërore, siç janë Procesi nga F. Kafka, apo Kronikë e një vdekje të paralajmëruar të G. Markez, të cilat t’i rikujton jeta e T. Saraçit që akuzohet, e pastaj shtyhet drejt vdekjes pa faj; ose dramën Me dyer të mbyllura të Zhan P. Sartërit, sepse me të vërtetë ferr janë të tjerët, kurse lufta për pushtet në kohë komunizmit e demokracisë të shpërfaqë para vetes ambientin e mbushur përplot karrige në dramën e Joneskos të titulluar Karriget.
Ndërsa, momentet e fundit të jetës së Tarik Saraçit, kur është duke i pritur shokët për t’u bashkuar me ta, të rikujton pritjen e Vladimirit e të Estragonit, që pritnin ardhjen e Godosë. Ardhje që sillte shpresë për një jetë më të mirë, por Godoja nuk erdhi kurrë andaj shpresa u shua! Ky ankth i pritjes shfaqet edhe te Tarik Saraçi, ashtu siç ndodh në veprën e Becketit, Duke pritur Godonë.
“Në vendin ku duhet të takoheshim me Zefjanin dhe me Tefikun mbërrij në orën 10:30.
Zefi dhe Tefiku nuk ishin kthyer ende.
Do të kthehen.
Ora bëhet 23:00.
Zefjani dhe Tefiku nuk kthehen!
Do të kthehen.
Ora bëhet 23:15.
Zefjani dhe Tefiku nuk kthehen!
Do të kthehen”.60
Ndërkaq sa i përket letërsisë shqiptare, vërejmë ndërlidhje me misionin letrar të F. Konicës e F. Nolit, pasi Shqipëria është bërë, tani duhej bërë shqiptarët, me A. Pashkun e S. Hamitin, të cilët në dramat e tyre Gof e Futa përshkruajnë terrin e kohës komuniste. Kurse, përmes citateve krijohen ndërlidhjet me poezinë shqiptare, ku inkuadrohen vargje të N. Frashërit, Gj. Fishtës e A. Çajupit etj.
Mirëpo, trajtimi i mëtutjeshëm i stilit brikolar zbërthen edhe linjën intermediale dhe intramediale të romanit. Letërsia komunikon dhe ndanë përvojën e saj me artet e tjera, siç është arti filmik, zhanri kriminalistik, që hetohet në mesazhet e drejtuara Delinës nga ish-burri i saj, që shënohej me inicialet S. A.
Apo përdorimi i teknikës së prerjes (cut-up technique), që shfaqet në pjesën e Kumtimeve e të fjalëve të panjohura nga ana e Miranit; me botën mediatike, peizazhet ironike të komunikimit gjatë debateve televizive. Muzika, gjithashtu është një art tjetër, me të cilin ky roman krijon një urë-lidhëse. Por, këtu muzika nuk e ka karakterin argëtues, sepse ne si popull nuk kemi arsye për një gjë të tillë, prandaj ajo i përshtatet temës së romanit dhe merr karakterin e elegjisë. Romani përfundon me këngën e Ilir Shaqirit, “Baladë për nënën”.
Ndërkaq nocioni intramedial shënjon relacionet me veprat apo personazhet paraprake të të njëjtit autor. Intramedialiteti na risjell në kujtesë sytë e Danjollit të Sherkës e të Sylejman Akjanit, nga Vdekja më vjen prej syve të tillë e Një dashuri e shtatë faje.
Mes veprës “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe Bijtë e askujt, mund të tërheqim një paralelizëm mes Xhezairit të Gjikës e Tarik Saraçit, pasi që të dy jetuan dhe vuajtën nën thundrën e komunizmit. Nga ky roman, na rikthehet personazhi Siriu i Balës, kritiku letrar që dikur shkrimtarët i frikësoheshin si besimtarët Xhebrailit.
Kurse nga romani tjetër “Një dashuri e shtatë faje”, risjellet figura e Sylejman Akjani, që në romanin Bijtë e askujt, shënohej me inicialet S. A. dhe po nga i njëjti roman vjen personazhi i Arben Begejës, compilatori e botuesi i njohur.
Kësisoj, brikolazhi, si njëra nga kategoritë postmoderne manifeston një konglomerat stilesh e citimesh, jehonë veprash botërore e shqiptare, të cilat ndikuan që romani të ngrihet në metaprozë, kurse rrëfimi në metagjuhë, e komunikimi me lexuesin në metakumunikim.
Sepse më vështirë se të trillosh është të citosh. Trillimet të vijnë vetë, kurse citatet duhet t’i kërkosh kurrë i sigurt se ia ke qëlluar plotësisht: se i ke gjetur ata që duhen.61
Për fund të kësaj pjese do të citoja, jo pa ironi, ashtu siç veproi edhe Barti në një intervistë të tij:
“Nëse marrim përbazë studimet e teorizimet e pafundme të akademikëve tanë rreth Posmodernizimit në letërsi, duket sikur çdokush mund të bëhet shkrimtar postmodern. Mjafton të marrë fragmente testesh gjithandej, t’i bashkojë e t’i nakatosë si të mundet dhe ja: romani postmodern është gati. Kjo, ndoshta, shpjegon edhe pse janë shtuar kaq shumë të ashtuquajturit “autorë postmodernë” këto vitet e fundit, ndërsa vepra postmoderne kemi gjithnjë e më pak”.
Ndërkaq, Rexhep Qosja, me veprimtarinë e tij letrare, në të njëjtën kohë, na ka mësuar se ç’është autori dhe vepra postmoderne!/ KultPlus.com