KMDLNj: Deputetët të kenë kujdes me fjalorin, Kodi Civil do votohet në një të ardhme të afërt pa asnjë dyshim

17 Mars, 2022 - 12:19 pm

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka dalë me një reagim lidhur gjuhën e përdorur në Kuvendin e Kosovës referuar çështjes së ligjit të Kodit Civil për martesat e së njëjtës gjini.

Mes tjerash KMDLNj po e kundërshton ashpër fjalorin fyes dhe përjashtues në Parlamentin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

”Në seancën e datës 16 mars 2022 të Kuvendit të Kosovës dështoi votimi i Kodit Civil shkaku se nga 61 deputetë sa kishin votuar 28 deputetë kishin votuar për, 29 kishin votuar kundër ndërsa 4 të tjerë kishin abstenuar.

Duket qartazi se Kodi Civil nuk ishte votuar për faktin se shumë deputetë janë frikësuar se me këtë Kod Civil i hapet rruga legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë e që e kanë bërë të ditur edhe në diskutimet e tyre para se të votohej ky Ligj. Disa prej tyre deklaruan se do të votojnë për këtë Kod Civil nëse hiqet neni përkatës që e lë këtë mundësi dhe për të cilin kanë kërkuar që të votohet pa asnjë ndryshim vendet e QUINT-it dhe BE –e.

Për KMDLNj –në është e padiskutueshme e drejta e deputetit që të votojë pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe të votojë në bazë të vullnetit të deputetit duke përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e votuesve që e kanë votuar por edhe votuesve të tjerë, të[ drejtat e qytetarit të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, besimeve fetare, moshës, gjinisë apo statusit në shoqëri e që në shumë raste nuk ka ndodhur për faktin se deputetët i janë nënshtruar presionit brutal të subjektit që i takon dhe bashkësisë ndërkombëtare siç ishte rasti me Demarkacionin apo themelimin e Gjykatës Speciale.

KMDLNj –ë është i shqetësuar për fjalorin e papërmbajtur, degradues, fyes dhe përjashtues që deputetët e Kuvendit të Kosovës e përdorin kryesisht në mungesë të fakteve dhe për qëllime politike.

Me rastin e diskutimeve për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës pati diskutime të papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti i mandatit të deputetit me ç’rast u fyen rëndë pjesëtarët e një komunitetit me orientim seksual ndryshe e që nuk do të duhej të tolerohej sikur që deputetët e tillë do të duhej të sanksionoheshin për këtë fjalor përjashtues, fyes, degradues, diskriminues dhe racist.

E drejta e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme e deputetit që të votojë në bazë të bindjeve që i ka, vullnetit dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni nuk nënkupton edhe të drejtën që të fyejë dhe diskriminojë të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me asgjë me përmbajtjen e ligjit të propozuar.

Mosvotimin e Kodit Civil KMDLNj –ë e konsideron më shumë si lojë politike, të pozitës dhe opozitës sepse, pa asnjë dyshim ky Kod Civil do të votohet në një të ardhme të afërt prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të përmbajtur për fjalorin që e përdorin.

KMDLNj e respekton, si të drejtë të njeriut edhe mospajtimin e disa deputetëve më këtë Kod Civil mirëpo nuk përkrah në asnjë mënyrë fjalorin fyes, diskriminues dhe degradues ndaj askujt e në rastin konkret të komunitetit me orientim seksual ndryshe”./ KultPlus.com

Të ngjajshme