‘Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët, zëmrat s’do ndjejnë qetësi gjëkund’

24 Mars, 2022 - 9:00 pm

Poezi nga Genc Leka

5.

O ëmbëlsi e viteve rinore…
o pika lot, o drithma mallëngjimi
Pse ma tronditni botën shpirtërore
me brenga, mall e zbrazëti dyshimi?…

Në cilën zemër hytë si pranverë
dhe nuk i sollët zemrës lumturi?
Por kur derdh vjeshta fletët nëpër erë
pranverë na do zemra përsëri!…

Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët
Zëmrat s’do ndjejnë qetësi gjëkund`…
Lirika plot do lënë pas poetët…
Për mallin, helmin, gazin e pafund!

O ëmbëlsi e viteve rinore,
në cilën zemër hyre në fillim?
Si erdhe ti prej viseve qiellore
Si brengë, gaz apo si ngushëllim?. . .

Pranverë 1972 / KultPlus.com

Të ngjajshme