11 Shkurt, 2018 - 10:02 pm
Videoja e dokumenton një këngë të një këngëtareje legjendare në Kosovë.
Shkurte Fejza, sidomos në vitet 80-të, u shndërrua në një simbol të rezistencës kombëtare. Kënga është një letër drejtuar Evropës, duke iu referuar ndarjes së Kosovës dhe Shqipërisë.
Videoinstalacioni “Hey You” nga Erzen Shkololli, punë e vitit 2002 me Shkurte Fejzën si figurën kryesore, do të jetë kësisoj pjesë e një ekspozite që hapet muajin mars.
Nga 14 marsi, ekspozita “Migrations of Energies” sjellë edhe artistë të tjerë në Gandy Gallery në Bratislavë, shkruan KultPlus.
https://www.youtube.com/watch?v=Dnbbd7XpfXA
Këngët e Shkurte Fejzës e inspiruan Shkolollin për një punë artistike. Madje, disa këngë të Fejzës u ndaluan nga viti 1981-83, nga regjimi komunist.
Teksti i këngës së saj vijon kështu:
“Moj Europe.
Moj Europe une po te shkruej leter
Si shqiptar i Shqipnise vjeter
Djemt e mi si jane me shnet
Mire e dine se i kam ne gyrbet
Moj Europe me flokte e thina
A i mban mend trojet e mia
A i mban ne mend shqipetaret me i voter
Hapi letrat moj qe i ke ne Londer….”
Danica Dakić, Mikhaïl Tolmachev, Women Painters of Hazaribagh, Bijoy Jain, Joseph Beuys janë disa prej artistëve që i bashkohen Shkolollit në këtë ekspozitë.
Ekspozita në fjalë vjen si vazhdimësi e projektit që nisi në vitin 2006, ndërsa katërmbëdhjetë artistë dhe grupe artistike do të vijnë në ekspozitë të fokusuar në çështjen e ekologjisë, si dhe në atë të migrimit.
Erzen Shkololli është artist i njohur dhe pjesëmarrës në disa ekspozita e bienale ndërkombëtare. Vlen të përmendet fryma që ai i dha Galerisë Kombëtare të Kosovës në pozitën e drejtorit. Këtë vit ai morri timonin e Galerisë së Arteve në Shqipëri, ndërsa është aktiv në ekspozita të ndryshme brenda e jashtë vendit. / KultPlus.com
Foto: Majlinda Hoxha