Tri këngët më të mira nga albumi i ri i Elvana Gjatës

12 Shkurt, 2018 - 4:10 pm

Elvana Gjata është këngëtarja më origjinale e estradës shqiptare momentalisht.

Ky është vetëm një prej komenteve në njërën prej këngëve që Elvana e lansoi këtyre ditëve. Ajo ka lansuar një album të tërë në Youtube, ndërsa secila këngë duket se godet më shumë se tjetra.

Me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov, Elvana heshti e më pas doli në pah me një album që ka emocionuar shumicën e fansave të saj. Një roman është shpalosur në këngë, të dhimbshme por të thella.

Këtu po i sjellim tri këngë që ndoshta dallohen nga pjesa tjetër e albumit.

ELVANA GJATA – MË FAL
Një tekst i këndshëm, i qartë, i dhimbshëm, i përjetuar. Elvana Gjata me shumë pak instrumente pas saj, dëgjohet tek e vuan këngën dhe përvojën. Këtë këngë e ka shkruar ajo vetë, ndërsa duket se mbetet kënga më e mirë në albumin e ri të Elvanës. Një këngë për të mos gjykuar, se ndoshta të njëjtin gabim e bëjmë dikur vetë ne.

ELVANA GJATA – GJËRAT KANË NDRYSHUAR
Një baladë e thellë, me Elvanën që shpërthen në fundin e saj. Në fakt, na kishin munguar të tilla balada nga Elvana, e cila për pak kohë doli në një zhanër më ritmik. Elvana asnjëherë nuk është një “Asgjë”, por gjithmonë një “Gjithçka”. Kënga të qetëson, e gjithmonë të lidhë me përvojën personale të hidhur që ti mund të kesh.

ELVANA GJATA – XHELOZ
Një prej këngëve më simpatike të albumit, ritmike dhe shumë melodike, “Xheloz” e sjellë Elvanën në stilin e saj unik. Fakti që ajo ka marrë pjesë në tekstin e këngës tregon se sa shumë është përkushtuar ajo, që ky projekt të jetë vula e saj personale e munguar prej kohësh. Elementet e tradicionales vërehen në këtë këngë dhe kjo e bën edhe më të pëlqyeshme. “Sa ndihet Pirro Çako në këtë këngë” shkruan një koment tek kënga, dhe është pikërisht kështu. / KultPlus.com

Të ngjajshme