12 Prill, 2022 - 11:58 am
Sot, shënohet 100 vjetori i vdekjes së njërit prej mbledhësve më të shquar të folklorit, Spiro Risto Dine (1844-1922). Lindi në Vithkuq të Korçës dhe që fëmijë mësoi alfabetin e Veqilharxhit.
Ai emigroi në Egjipt më 1866, në moshën njëzet vjeç, rreth një vit pas Thimi Mitkos, të cilin e takoi atje dhe nisi të bashkëpunonte për përmbledhjen e Mitkos me këngë dhe përralla popullore shqiptare.
Ai ishte edhe anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Egjipt më 1881. Ndërkohë që ishte në “Shibîn el Kôm”, Spiro Dinia pati letërkëmbim me Jeronim De Radën dhe bashkëpunoi me gazetën “Fjamuri i Arbrit”.
Spiro Dine është një prej mbledhësve më të shquar të folklorit shqiptar. “Valët e detit” është përmbledhja e tij voluminoze botuar në Sofje më 1908. Kjo përmbledhje me rreth 865 faqe e folklorit dhe letërsisë shqiptare e botuar nga ”Mbrothësia” është një nga veprat më të rëndësishme të autorit. Konsideruar si një botim i rrallë, ende sot, shërben si burim i pashtershëm i llojit të vet. “Valët e detit” është e ndarë ne dy pjesë: 412 faqet e para përbëjnë poezi atdhetare të vetë autorit, si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Thoma Kreji, Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Loni Logori dhe Jani Vreto. Pjesa e dytë e veprës i kushtohet letërsisë folklorike, ku përfshihen këngë dashurie, këngë dasme, vaje, vargje humoristike e satirike, ndonjë vjershë fetare e didaktike, përralla dhe mitologji. / KultPlus.com