13 Shkurt, 2018 - 3:20 pm
Këngëtari shqiptar, Ermal Meta, i cili rrëmbeu çmimin e madh në festivalin e këngës në Itali ‘Sanremo’, iu ka përcjellë një mesazh të fortë gazetarëve shqiptarë.
Pas lajmeve që qarkulluan në shumë media për të atin e Ermal Metës, duke e cilësuar atë si ‘bastard’, këngëtari iu ka kërkuar gazetarëve të mos spekulojnë mbi jetën e tij, pasi nuk dinë asgjë.
Këngëtari sqaron se kur ka përdorur fjalën ‘bastard’ nuk ka përmendur asnjë emër, duke shtuar se gabojnë rëndë të gjithë ata që shtojnë këtë emër. Ndërsa shton se kënga që fitoi në ‘Sanremo’ është kundër terrorizmit dhe asgjë më shumë.
“Mesazh për të gjithë gazetarët shqiptarë: Mos spekuloni mbi jetën time, ju nuk dini asgjë nga jeta ime. Kur në atë intervistë përdora fjalën “bastard” nuk thash asnjë emër. Mos e shtoni ju atë emër sepse gaboni rëndë jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni. Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos te lexoj më gjëra të tilla. Faleminderit për vëmendjen”, shkruan Meta./ KultPlus.com