14 Shkurt, 2018 - 4:45 pm
Sarandë Selimi
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sivjet ka një buxhet prej 36,523,903.86€.
Ky buxhet sipas zyrtarëve të kësaj ministrie për vitin 2018-të, konsiderohet të ketë një rritje të konsiderueshme të tij në raport me buxhetin e vitit të kaluar. Kësisoj, tashmë është bërë edhe planifikimi i ndarjes së këtyre mjeteve për institucionet vartëse të MKRS-së.
Për KultPlus, shefi i kabinetit të Ministrisë së Kulturës Samir Hoxha, shpalosi buxhetin e këtyre institucioneve, për të cilat tha se, pasi që buxheti i aprovuar për vitin 2018-të ka shënuar rritje të dukshme, sipas tij, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës.
“Meqenëse buxheti i aprovuar për vitin 2018 ka shënuar një rritje të dukshme, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës, por rritje mund të bëhet vetëm me rishikim të buxhetit në përputhje me nevoja dhe kërkesa për buxhet shtesë nga institucionet vartëse të MKRS-së”, ka thënë Hoxha për KultPlus.
Në përputhje me politikat programore të institucioneve të kulturës të vitit 2018, në vijim sjellim të dhënat në lidhje me buxhetin e institucioneve vartëse të MKRS-së:
Teatri Kombëtar i Kosovës i janë ndarë gjithsej 370,000.00€, Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet në buxhetin e saj ka 765,995.00€, Ansambli Shota këtë vit merr 162,500.00€, Filharmonia e Kosovës në buxhet do të ketë 345,000.00€, Galeria Kombëtare e Kosovës do të ketë 163,500.00€, Baleti Kombëtar i Kosovës merr 240,000.00€, Galeria Qafa – 29,000.00€ dhe Kosova Filmi – 10,000.00 €.
Sipas raporteve te zyrës për buxhet dhe financa në MKRS, buxheti është nën-alokuar për periudhën Janar-Mars 2018 nëpër institucionet e kulturës menjëherë pasi që është bërë alokimi i buxhetit në nivel të MKRS-së. Siç dihet alokimi i buxhetit bëhet në baza tremujore, nënalokimi nëpër institucionet e kulturës është bërë duke u bazuar në Politikat Programore të institucioneve të kulturës./ KultPlus.com