15 Shkurt, 2018 - 3:49 pm
Erdhi në Kosovë, në vitin 2012-të dhe ardhja e saj në vendlindje krijoi një lloj fuqie të shtetit më të ri në botë që ishte Kosova., shkruan KultPlus.
“Shine ya light”, i dha shkëlqim Kosovës, më saktësisht Prishtinës, aty ku shqiptarja Rita Ora bashkë me vendasit e saj realizuan videoklipin e kësaj kënge e cila u bë zë i Kosovës për botën.
“I SAPOLINDURI/E SAPOLINDURA” apo “New Born”, ishte vendi që tregon çdo emocion të kosovarëve që kishin pak më shumë se një dekadë që kishin dalë nga lufta. Rita mbi këto shkronja përballë të së cilave ishin me mijëra njerëz që dolën ta dëgjonin e shihnin yllin shqiptar që ka mahnitur botën, u bënë pjesë e kësaj videoje duke ngritur duart lart bashkë me Ritën, e duke krijuar shqiponjën-simbolin e tokës së shqiponjave që në të përfshihen të gjitha trojet shqiptare.
Tash, pas plotë gjashtë viteve Rita Ora vjen përsëri në vendlindje.
Aty ky gjaku i dëshmorëve u shpërblye më datën 17 shkurt të vitit 2008-të, e pikërisht në këtë datë historike, jubile të Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora vjen me një koncert në qendër të kryeqytetit kosovar. Për këtë koncert, Rita nuk pranoi të paguhet. Ajo bëri edhe njëherë një vepër të madhe për shtetin në të cilin ka lindur, për datëlindjen e tij e për të gjithë këta qytetarë që po presin nga çasti në çast ardhjen e saj.
Rita, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, më 17 shkurt ngjitet në skenën e përgatitur te sheshi Skënderbeu. Një skenë që në çdo cep të saj ka simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës është përgatitur të pres me mijëra njerëz të shtunën mbrëma.
Ora 22:00 do të shënojë ngjitjen në skenë të Ritës. Ora 22:00 është caktuar, sepse Kosova po bënë 10 vite. E Rita, përveç të tjerash, mbrëmë edhe konfirmoi ardhjen e saj në Kosovë. Rita shkroi shqip, dhe tregoi edhe njëherë sa e lumtur është që po vjen në Kosovën që edhe tash, pas 10 viteve pavarësi vazhdon të ketë sfidat e saj.
Mediet shqiptare nuk u kursyen që siç thotë populli ‘të gjejnë të metat’ për ardhjen e Ritës. U morën me bluzat që ajo krijoi për këtë jubile e që do të jenë në shitje. Poashtu që nga fillimi i muajit u morën edhe me atë se ‘po vjen Rita apo jo’. Me tituj nga më të ndryshmit që bënë konfuz qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se dështuan. RITA ORA po vjen në KOSOVË. RITA ORA po këndon falas për 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS dhe RITA ORA edhe njëherë me zërin e saj po e bënë KOSOVËN kryelajm në TITUJT E GAZETAVE BOTËRORE./ KultPlus.com