8 Maj, 2022 - 4:30 pm
Ai ishte një prej figurave më të ndritura që ka njohur albanologjia. Lindi me 25 shkurt 1877 në Bzenec, apo siç njihet ndryshe Bisenz, në jug të Moravisë dhe vdiq në rrethana tragjike, në maj të vitit 1942. Përveçse si albanolog, ai pati një kontribut të çmuar edhe si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar i Universitetit të Vjenës.
Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Skiroit, Naimit dhe traditës bektashiane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.
Është meritë e tij që, qysh në vitin 1914, u kryen në Vjenë regjistrimet e para të zanoreve në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës. Ai njihet si autor i shumë studimeve që trajtojnë kryesisht probleme etimologjike dhe çështje letrare të gjuhës shqipe.
Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb.
Fundi i jetës së tij ishte tragjik. Ai u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij. Si datë e vdekjes së Norbert Jokl konsiderohet 6 maji i vitit 1942. / KultPlus.com