Ismail Kadare shkruan për terrorin në Kosovë

17 Shkurt, 2018 - 10:35 am

TERRORI NË KOSOVË

ISMAIL KADARE (Botoi Dielli, 16 prill 1982)

E hidhur Vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zes mbi të ia mbërritën
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg,me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku
Kështu mes jush shekullin ndani
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e Mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartholomeu.

Por koha kurrë s’vjen përgjysëm,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit Car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur iu griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e Botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët Ju si monument;
Ju që e prekët historinë
Dhe në Histori u kthyet vetë.

Ismail Kadare, Dhjetor 1981

Të ngjajshme