27 Maj, 2022 - 12:15 pm
Ambasada e Ukrainës në Beograd ka deklaruar se nuk i aprovojnë e as nuk i dënojnë deklaratat e kryetarit të Kievit Vladimir Klitschko për gazetën zvicerane Le Canton 27, ku ai tha se do të luftojnë për t’u çliruar nga Rusia sikur Kosova që është çliruar nga Serbia.
Ambasada ukrainase ka thënë se Klitschko sikur çdo qytetar ka të drejtën e tij të shprehet lirshëm por që s’paraqet pozicionin e politikës së jashtme të Ukrainës, raporton KosovoOnline, transmeton Gazeta Express.
“Klitschko, si çdo qytetar i Ukrainës, ka të drejtën e garantuar me Kushtetutën e Ukrainës për lirinë e mendimit dhe fjalës, për shprehjen e lirë të pikëpamjeve dhe besimeve të tij. Pozicioni parimor i Ukrainës për qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë dihet mirë”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.
Ambasada thekson se dëshiron të sigurojë miqtë e saj, të cilët mbështesin Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe që nuk e kanë harruar mbështetjen e popullit ukrainas në të gjitha momentet e vështira për Serbinë, të mos shqetësohen.
“Ambasada duhet të deklarojë gjithashtu se situata për fat të keq reflekton nivelin jashtëzakonisht të ulët të kontakteve mes qyteteve partnere të Kievit dhe Beogradit, që kemi sot. Nga ana jonë, ne duam të tërheqim edhe një herë vëmendjen e të gjithë atyre që kanë autoritet dhe kompetencë për të shitur bluzën me simbolin e agresionit rus ‘Z’, si dhe praninë e saj në shumë mure të ndërtesave të Beogradit, e cila për ukrainasit është simbol i agresionit rus dhe ka kuptimin ‘vras një ukrainas’”. , thuhet në deklaratën e ambasadës. / KultPlus.com