Rexhep Ferri nderohet me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”

15 Qershor, 2022 - 5:00 pm

Flonja Haxhaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është ndarë Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore ‘Muslim Mulliqi’ e i cili këtë vit iu nda akademikut, Rexhep Ferri, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i pari foli vetë ministri, Hajrulla Çeku i cili shprehet i lumtur që ky çmim po i ndahet nga preh figurave më të shquara të artit.

“Jam shumë i nderuar që sot duke e kujtuar dhe respektuar Muslim Mulliqin, ne të njëjtën kohë respektojmë artistin tonë. Veçantia e ditës së sotme është Rexhep Ferri. Besoj që ky vlerësim, është më pakta që institucionet shtetërore mund të bëjnë për figurat e shquara të vendit”, u shpreh ministri Çeku.

Ndërkaq juria e cila shqyrtoi dhe vlerësoi nominimet e artit pamor këtë vit është përbërë nga juria profesionale e përbërë nga Mehmet Behluli, Lorik Sylejmani dhe Lorik Buliqi.

E në emër të jurisë foli profesori Behluli i cili theksoi se veprimtaria e Rexhep Ferrit shkon krah për krah me zhvillimin dhe rritjen e Kosovës.

“Ndihem i kënaqur që sot të jemi në këtë pozitë që të ndajmë çmimin për Veprimtari Jetësore e në konkurencë shumë të fuqishme, përzgjodhëm profesor akademik Rexhep Ferri, njëri ndër doajenët, themeluesit e të gjithë asaj që kemi sot në fushën e artit vizuel, njërit nga baballarët themelues pa të cilët vështirë të paramendohet jeta shumë e gjallë artistike dhe kulturore e vendit tonë”, tha Behluli i cili vazhdoi më tutje se pa Rexhep Ferrin gjithçka do të ishte më e zbehtë dhe më gjysmake.

Pas Behlulit, në skenë u ftua vetë akademik  Ferri, i cili pranoi çmimin për Veprimtari jetësore të cilin ia dorëzoi ministri Çeku.

Pasi mori çmimin, Ferri mbajti edhe një fjalim falënderues për institucionet dhe të pranishmit në këtë ceremoni.

“Është e vështirë të flasësh për veten kur fillon të mendojë njeriu që është bërë person publik. Krejt çka dua të them është e zbehtë në krahasim me atë çka ka qenë në mua, të cilën jam munduar në disa fusha ta shprehu dhe t’ua lë juve që jeni më të rinj se unë dhe fëmijëve e nipërve tanë”, tha Ferri i cili më tutje falënderoi edhe ministrin Çeku për shpërblimin e punës së tij të realizuar në një kohë që kishte më shumë vlerë se sot.

Ceremonia e organizuar për nder të Rexhep Ferrit u përmbyll me interpretimin e korit të Fakultetit të Pejës./ KultPlus.com

Të ngjajshme