15 Qershor, 2022 - 6:35 pm
Në mesin e shumë zhvillimeve që kanë ndodhur së fundmi në aspektin kulturor dhe politik në Kosovë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar se nuk janë ndërprerë kontaktet me organizatorët e festivalit “Sunny Hill”, shkruan KultPlus.
Pas ndarjes së çmimit kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”, ministri Çeku është deklaruar për media, ku mes tjerash ka treguar edhe prapaskenat e komunikimit mes MKRS-së dhe organizatorët e festivalit “Sunny Hill”.
“Unë kam thënë që në parim çështja e ndarjes së tokës për një periudhë kaq të gjatë, nuk duhet të bëhet në ngut ose të ndonjë lloj presioni vendimmarrje të bazuar, që në fund të matim dhe ta vlerësojmë në mënyrën e duhur interesin publik dhe aty ku ka interesa private në raste të caktuara. Ne kemi qenë në komunikim me organizatorët e festivalit të “Sunny Hill” dhe si MKRS ju kemi ofruar që të shërbejmë si pikë referente për të gjithë ministritë që ata kanë punë”, ka thënë Çeku.
I pari i Kulturës, ka thënë mes tejrash se kanë kërkuar që të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë.
“Nuk do të duhej të ishte shkas, as ndonjë arsyeje e mjaftueshme një çështje të cilën kemi thënë ta ri mendojmë, çështjen afatgjate të marrjes së asaj toke. Për ta bërë një lëvizje kaq të shpejtë, sepse vetëm para disa ditësh ne ishim duke diskutuar këtë çështje me ta. Dhe u duk se kishte një pranim për ta rimenduar për çështjen afatgjate të kontratës së kësaj toke. Dhe kaluan shumë pak ditë dhe ndodhi kjo që u paralajmërua dje”, ka deklaruar ai.
Çeku tutje, shprehu pakënaqësitë dhe zhgënjimin e tij se si emri i këngëtares Dua Lipa kanë marrë dimension të panevojshëm politik.
“Kontaktet nuk janë ndërprerë asnjëherë, ne jemi në komunikim dhe gjithsesi po vazhdojmë t’iu tregojmë që qëndrojmë pas gjitha zotimeve që i kemi ofruar nga fillimi. Unë besoj që një organizim i kësaj natyre është më i madh se të gjithë ne, sepse është për vendin tonë, për promovimin ndërkombëtar të vendit tonë. Nuk besoj që duhet të reduktohet në çështje të vogla ose të bëhet çështje e debateve politike. Jam thellësisht i zhgënjyer që po merr edhe një dimension politik të panevojshëm”, tha Çeku.
Më tej, tha se duhet të vazhdojnë të insistojnë si qeveri që ta mbrojnë imazhin e këngëtares Dua Lipa.
“Duhet të vazhdojnë të insistojmë si qeveri, si institucione, si shoqëri, si Kosovë që pikë së pari ta mbrojmë figurën e Dua Lipës. Një personaliteti të veçantë për vendin tonë që ka bërë shumë dhe ka kontribuar shumë për Kosovën. Ta shmangim çfarëdo politizimi ose të përfshirjes së emrit të saj në debatet politike dhe dua ta rikonfirmoj gatishmërinë edhe të ministrisë që drejtoj, por edhe për shkak të komunikimit me qeverinë, që jemi shumë të interesuar ta vazhdojmë bashkëpunimin me “Sunny Hill”. Jemi shumë të gatshëm, siç kemi qenë deri në minutë të fundit, që t’i qëndrojmë prapa zotimeve tona që t’iu plotësojmë të gjitha kërkesave”, ka përfunduar Çeku.
Ai tha se janë të gatshëm të diskutojnë më tej për çështjen e ndarjes së parcelës së nevojshme për organizimin e këtij festivali.
Nga ana tjetër, dje u njoftua zyrtarisht se “Sunnyhill” do të zhvendoset në Tiranë, për shkak të vonesave të shumta administrative për vendndodhjen. /KultPlus.com