29 Qershor, 2022 - 9:23 pm
Shpëtim Selmani
*
(Xhevdës dhe Vjosës)
Këmbanat bien furishëm
Në Graz
Brenda meje kujtime
Të gjitha netët e gjata
Marrin fund dhe mëngjesi
Do të jetë aty
Të gjitha lumturitë marrin
Fund dhe vuajtja
Do të jetë aty
Është e pamundshme të
Qetësohesh derisa ditëlindjet
E secilit dridhen si
Lule të mjera nën
Pushtetin e viteve
Që nuk vonohen
Nuk ka asgjë të përjetshme
Zoti mprehë sëpatën
Ne shohim orën
Gjithë çfarë mbetet
Pas nesh janë
Shkëmbinjtë
Dhe pafytyrësia
E natyrës. / KultPlus.com