4 Korrik, 2022 - 7:15 pm
Poezi nga Halil Matoshi
Burgu i Prishtinës. Zinxhirët -II-
Aty e mëson rrapullimën
e zinxhirëve deri në imtësi
përcakton shkallët e tonalitetit
nën presion dhe mprehtësinë e rrahjës së hekurit me hekur
Zinxhirët. Ata kur janë të shlirta lëshojnë zhurmërimë ma mbytëse
kur ngrehen zhag ose kur hidhen tingëllojnë ndryshe
Jo. Zinxhirët nuk tingëllojnë
ato zinzinkërojnë!
kur këputën hallkat dëgjohet
ni rënkim i shkurt si kërhatje
e kur janë të nxeta lëshojnë tinguj
mâ t’ashpër e në acar nihen mâ pak
si të xhamtë bâhen
Zinxhirët, ata të shohin
me sytë e gemtë dalun duç
si nga thelbi i ni planeti p’ej hekuri
se si lëshojnë ata tinguj që flasin
për vrazhdësinë e ni regjimi
si gjâmë kuajsh apokalipsi
se si dokën unaza t’thyeme dinosaurësh mekanizma primitivë që mbërThejnë
E âsht dashtë me u zhdukë
shumë para së me ardhë
epoka e hekurit
para 65 milionë vjetësh
në Cretaceous
T’burguemit nuk thyhen
lëmohen
Shina bâhen mbi të cilët kalojnë trenat e pushtuesit ngarkue me urrejtje
–
Fotografi e disa burrave të Kabashit që t’lidhun me zinxhirë u dërguen në pushkatim.
Dëshmitë flasin për 98 burra të Kabashit dhe Korishës, t’vramë nga xhandarët serbë te Kisha e Sh’markut më 19 mars, 1913, përkatësisht më 1 prill, 1913. / KultPlus.com