Noli dhe amaneti i Konicës

13 Korrik, 2022 - 2:10 pm

Në dhjetor të vitit 1942, Faik Konica do të mbyllte sytë. Pak kohë para vdekjes, i shkruante Nolit: “Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë… (shkruar nga dora e Konicës, kjo duket boll e çuditshme, sepse njihet përplasja që Konica e Noli kanë pasur gjatë gjithë jetës së tyre)… Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”.

Më pas, për këtë amanet Noli i drejtohet Enver Hoxhës (me të cilin, ka pasur një letërkëmbim të gjatë, në vitet 1945-1946):

“Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij, me nderimet përkatëse, si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”.

Por Enver Hoxha, nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje.

Më tej, ai i ka shkruar Sejfulla Malëshovës:

“Bëj përpjekje për të ndjerin Faik, se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”.

As Malëshova, nuk i ktheu përgjigje.

Noli do të ikte nga kjo botë, me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij.

Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe, vetëm në maj 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme