Kurti: Pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifesta 14

23 Korrik, 2022 - 11:30 am

Kryeministri Albin Kurti ishte një ndër folësit në hapjen e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore të mbajtur ndonjëherë në Kosovë, “Manifesta 14”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti tha se Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës.

Postimi i plotë:

“Manifesta 14 Prishtina Sivjet, Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës. Të dy palët jemi edhe të lumtur edhe me fat. Ky përqafim i Manifesta-s dhe Prishtinës është pothuajse një “amor fati”: një nomad evropian udhëtues ndalon për të takuar popullin e pandalshëm të Kosovës. Vepra arti nga 103 artistë nga 30 vende, për plot 100 ditë, në 25 vende në Prishtinë, do të mund të vizitohen nga të gjithë qytetarët e vendit tonë pa pagesë. Ky është edicioni më i madh ndonjëherë i kësaj bienale të artit. Jemi të lumtur që si qeveri kemi besuar në të që nga dita e parë dhe kemi qëndruar prapa duke e përkrahur financiarisht këtë ngjarje të madhe kulturore. Pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifesta 14″, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme