25 Korrik, 2022 - 9:45 pm
Vdiq në moshën 84-vjeçare prof. dr. Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore e veçanërisht i artit fshatar të ndërtimit.
“Trashëgimia kulturore dhe kultura shqiptare në përgjithësi humbën një studiues të vyer, që ia dedikoi gjithë jetën hulumtimit dhe dokumentimit të së bukurës shqiptare”, shkruan ministrja Margariti për profesor Mukën, i cili do të lërë një vend bosh në radhët e studiuesve të palodhur.
Prof. dr. Ali Muka lindi më 10 dhjetor 1938 në Përmet. Pasi përfundoi shkollën e mesme profesionale (Teknikumin e Ndërtimit) në Tiranë me rezultate të larta, në shtator 1960 u dërgua për të studiuar në Universitetin e Bratislavës (Çekosllovaki), ku studioi vetëm një vit. Pas situatës së krijuar në vitet ’60, i vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Inxhinierisë (dega e Ndërtimit) nga shtatori i vitit 1961 deri në korrik 1966 dhe diplomohet si inxhinier për ndërtime qytetare.
Në vitin 1969 emërohet punonjës shkencor për studimin e kulturës materiale e veçanërisht të banesës tradicionale fshatare, pranë Institutit të Historisë e Gjuhësisë (IGJH), pjesë e Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që nga viti 1978 e derisa doli në pension në vitin 2008 ishte pjesë e Institutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në rolin e punonjësit shkencor.
Përgjatë veprimtarisë së tij shkencore për një periudhë gati 40-vjeçare, prof. Muka u shqua veçanërisht në fushën e gjurmimit, dokumentimit e studimit të arkitekturës popullore, me theks vendbanimet, ndërtimet dhe artin fshatar të ndërtimit. Bilanc i gjurmimeve mbi 30-vjeçare është materiali grafik, fotografik e përshkrimor, i depozituar në Arkivin Etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Falë kësaj veprimtarie të dendur në terren, duke filluar nga viti 1974 e në vazhdim, prof. Muka botoi mbi 140 artikuj në revistat periodike shkencore.
Në veprimtarinë e gjerë kërkimore shkencore dhe botuese të prof. Ali Mukës zënë vend të spikatur dy prej monografive më të rëndësishme në fushën e studimit të banesës tradicionale të zonave rurale shqiptare, siç është monografia (“Banesa fshatare dhe familja e madhe”, (2001) dhe “Ndërtimet tradicionale fshatare-monografi etnologjike” (2007).
Gjithashtu ai ka patur edhe një aktivitet pedagogjik si pedagog e lektor i jashtëm në universitetet shqiptare, duke i drejtuar studentët në ekspedita e praktika në terren apo edhe si udhëheqës i temave të tyre të diplomës. / KultPlus.com