“E kujtoj mësuesin”, KultPlus bën bashkë Agim Vincën dhe djalin e mësuesit Sadik nga Turqia

29 Korrik, 2022 - 2:24 pm

Jeta Zymberi

I nderuar zoti Vinca,

Unë quhem Mustafa Akgöl dhe jetoj në Stamboll. Prindërit e mi janë shpërngulur nga ish-Jugosllavia në mesin e viteve 1950 (Babai im ishte nga Struga, nëna ime nga Ohri). Isha në Strugë dhe Ohër javën e kaluar, pas 45 vjetësh nga vizita ime e parë. Gjatë kësaj vizite jam informuar se keni shkruar një libër ku përmendni babain tim Sadikun, i cili ishte mësuesi juaj i parë në Veleshte. Gjithashtu ju keni shkruar një poezi për babain tim. E përktheva në turqisht (Nëpërmjet Google). Më la shumë përshtypje. Unë u përpoqa t’ju kontaktoj përmes adresës suaj të emailit që sot KultPlus.com më ka dhënë.

Mund të mbajmë kontakte dhe të ndajmë disa informacione.

Mustafa Akgöl

E shkruar në vitin 1971, vjersha “E kujtoj mësuesin” u bë shkak që poeti i saj Agim Vinca të pranoj në adresën e tij këtë letër shumë domethënëse nga Mustafa Akgöl, i biri i mësuesit të tij të parë, Sadik Mehmeti.

Një histori e tillë, sa emocionuese aq edhe domethënëse, ndodhe jo shpesh. Madje shkrimtari Agim Vinca, jam e bindur që nuk e ka menduar asnjëherë.

Kur mori emailin, padyshim që ju rikthyen kujtimet për mësuesin e tij të parë, por edhe kujtimet se qysh lindi kjo poezi e cila po vazhdon të emocionoj, kësaj radhe të birin e mësuesit i cili krejt rastësisht, pas kaq shumë vitesh kupton që dikur nga një ish nxënës, sot një prej poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë, babait të tij i janë thurur disa vargje që kanë marr jehonë për gjenerata me radhë.

“Vjershën “E kujtoj mësuesin” e kam shkruar 51 vjet më parë në vitin 1971. Në 70’tën unë diplomova, i përfundova studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe fillova punën në Gjimnazin e Gllogocit që ishte paralele e Gjimnazit të Prishtinës dhe unë banoja në konviktin numër 1 sepse vetëm ai ishte në atë kohë. Kam banuar me një Xhem… nga Istogu ai ishte burrë në atë kohë dhe studionte matematikën dhe me një tjetër që nuk më kujtohet, dhe kur nisa punën si mësues e ndjeva më shumë të qenit mësues dhe aty lindi poezia”, nis rrëfimin e tij për KultPlus shkrimtari Agim Vinca.

Letra dërguar nga Mustafa Akgol

Fakt është që mësuesit bëjnë një ndryshim në jetën tonë. Disa nga mësuesit na shtynë të bëjmë më të mirën dhe disa prej tyre janë mjaft të fuqishëm për të na bërë të besojmë se ne mund të bëjmë gjithçka. Mësuesi shpesh ka aftësi të bëjë të gjithë ndryshimin si në jetën tënde personale ashtu edhe në karrierën tënde në të ardhmen.  

Kur mësuesi arrin të shikojë nxënësin si një individ dhe jo si një numër, atëherë ai është në rrugën e duhur drejt misionit të tij/saj. Thuhet që në të kaluarën mësuesit e kryenin misionin e tyre me shumë më shumë përgjegjësi dhe dukja e tyre e identifikonte me kilometra larg.

I tillë ishte mësuesi i klasës së parë të shkrimtarit Agim Vinca, i cili iku me familje në Turqi në kohën e shpërnguljeve masive.

“Mësuesi im i parë të cilit i kam kushtuar poezinë, më ka dhënë mësim vetëm në klasën e parë në vendlindjen time në Veleshtë, Strugë, duhet të jetë viti shkollor 1954-1955, pastaj ai me familje iku në Turqi, ishte koha e shpërnguljeve masive. Mësuesi im e kishte emrin Sadik Mehmeti, sepse kur kanë shkuar shqiptarët në Turqi më së pari ju kanë ndërruar mbiemrin, kusht ka qenë. Ai ishte nga Struga por me origjinë nga një fshat buzë liqenit – Kalishtë”, rrëfen tutje Vinca i cili edhe sot e ka ruajtur të freskët figurën e mësuesit të cilin nuk e takoi kurrë më.

“Ishte një mësues shumë i mirë, e kam të freskët në kujtesë, i pashëm, vishej bukur me kostum me jaka të gjata, me krevat. Neve na dukej bukur atëherë, ne ishim fëmijë fshati, me kushte të vështira, mund ta imagjinoni. Mbi të gjitha ai sillej mirë me nxënësit, unë nuk kam pasur problem sepse isha nxënës i mirë, por në përgjithësi ai nuk i ndëshkonte nxënësit fizikisht, sepse atëherë arsimtarët ushtronin dhunë ndaj nxënësve, thuprën, vizoren e kishin gjithmonë në dorë. Dajaku ishte pjesë e procesit edukativ, fatkeqësisht. Ky jo, mësuesi Sadik ishte shumë i mirë, i pashëm, me tipare të rregullta, një ble flokësh e kishte…”, flet profesor Vinca plot mallëngjim për figurën e dashur të mësuesit e dukej sikur ai admirimi që kishte për të si fëmijë, kishte qëndruar diku i strukur brenda tij e sot vendosi të nxjerr kokën e të flasë.

Ikja e profesorit për Turqi e la një klasë të tërë, por ata ishin fëmijë dhe sigurisht ende nuk dinin t’i përkthenin ndjenjat e tyre në fjalë. Por kur diçka e tillë përjetohet pas disa vitesh, kur piqesh emocionalisht e mendërisht, atëherë fjalët gjejnë vendin e vet e përkthehen në një vjershë që lirisht mund të themi që ka mbetur himn për dashurinë e nxënësit për mësuesin.

“Kur iku, isha fëmijë unë. Mandej e përfundova 8 vjeçaren, pastaj gjimnazin në Strugë dhe erdha për studime. Kur e përfundova fakultetin, unë banoja në konvikt dhe aty më lindi ideja për këtë poezi, edhe sot e di dhomën, sa herë kaloj shikoj nga ajo dritare. Pasi e kam shkruar poezinë, ja dhashë ta lexonte për herë të parë arsimtarit të matematikës me të cilin banoja në konvikt, ai ishte burrë serioz, atëherë i kishte rreth 40 vjeç, ndërsa unë 23. Ai e lexoi dhe më tha shumë mirë. Në vitin 1972, 50 vjet më parë, unë e botova librin tim të parë, përmbledhjen me poezi “Feniksi” në Shkup atje edhe ku punoja në gjimnaz dhe aty është edhe vjersha “E kujtoj mësuesin” e cila u pëlqye shumë”, tregon Vinca.

Kjo poezi, është lexuar, komentuar e pëlqyer dhe është poezia më e popullarizuar e Vincës. Ajo është bërë pjesë e teksteve shkollore e revistave të ndryshme letrare e kulturore. Këtë poezi e dinë përmendësh shumë fëmijë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Poezia e shpreh dramën e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, por edhe dashurinë e nxënësit për mësuesin dhe figurën e mësuesit.

Se si djali i mësuesit arriti të gjejë kontaktin e shkrimtarit, tregon vetë Vinca.

“KultPlus e ka shpërndarë poezinë dhe një ditë Ardianë Pajaziti, (drejtoresha e KultPlus) më merr në telefon dhe më tha që kam një lajm interesant. Më tregoi që djali i mësuesit e ka parë poezinë në KultPlus dhe ka kërkuar një kontakt timin. Pastaj më ka dërguar email. Kur pranova emailin ishte vërtetë interesant! Edhe unë i kam shkruar, i dërgova letrën edhe në shqip sepse ai shqiptar është edhe pse sigurisht gjuhën e ka humbur. Gjithashtu ja dërgova edhe poezinë prej tekstit shkollorë me komente dhe fotografinë time, dhe do t’i kërkoj një fotografi të mësuesit sepse nuk kam. Kam të klasave tjera por jo të klasës së parë. Imazhin e tij e kam, e ruaj, ishte i pashëm dhe sillej mirë, por e dua ta kem edhe një fotografi”, thotë Vinca teksa unë prekem nga këto fjalë e nis e kujtoj mësuesen time të cilën dua të nisem e ta takoj qysh sot, ta përqafoj e të ndihem me fat që e kam këtë mundësi.

Krejt për fund, profesori Vinca tregon edhe pengun e tij.

“Unë u interesova edhe për mësuesin para disa viteve por nuk arrita ta takoj, kishte vdekur kur gjeta unë adresën klasike. Ai duhet të ketë qenë i lindur në vitin 1932-33”, përfundon kështu rrëfimi për të na rikthyer në një kohë të artë për të cilën të gjithë kanë nostalgji.

Letra nga shkrimtari Vinca dërguar djalit të mësuesit.

Prishtinë, 29 korrik 2022

I dashur Mustafa,

Isha në Strugë kur kryeredaktorja e portalit KultPlus më telefonoi dhe më pyeti se a mund t’jua jepte adresën time. I thashë, natyrisht, që po dhe pastaj erdhi letra jote. Unë jam profesor universiteti dhe shkrimtar. Jetoj në Prishtinë.  Poezinë për mësuesin e kam shkruar para pesëdhjetë vjetësh dhe e kam përfshirë në librin tim të parë me poezi, botuar në vitin 1972. Kjo vjershë është përfshirë edhe në tekstet shkollore në gjuhën shqipe dhe e dinë përmendsh pothuajse të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë. Ajo flet për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, por edhe për figurën e mësuesit në përgjithësi.

Edhe pse më ka dhënë mësim vetëm një vit, në klasë të parë fillore, mësuesin Sadik e ruaj në kujtesë për të mirë. Sillej shumë mirë me ne nxënësit e tij, që ishim fëmijë të varfër fshati.  Më vjen keq që nuk arrita ta takoj sa ishte gjallë, edhe pse qeshë interesuar, por më vjen mirë që po kontaktoj me të birin e tij.

Do të shikoj mundësinë e një përkthimi më të mirë në turqisht  të kësaj vjershe.

Ju uroj shëndet dhe gjithë të mirat, familjarisht!

Nga Prishtina – Prof. A. Vinca

Më poshtë po ju sjellim edhe poezinë.

E kujtoj mësuesin

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
E di ç’është mërgimi, ti Agim?

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.
/ KultPlus.com

Të ngjajshme