31 Korrik, 2017 - 5:21 pm
KultPlus në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, organizon ciklin e rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, më datën 3 gusht.
Ky cikël i rrëfimeve sjellë për publikun shqipfolës, tregimet e artistëve në arritjen e asaj që tashmë janë e që padyshim kanë arritur famë ndërkombëtare.
Nisim kështu me Sislej Xhafën, artistin bashkëkohor i cili së fundmi përfaqësoi Republikën e Kosovës në Bienalen e Venedikut me instalacionin ‘Lost and Found’. Xhafa, përveç instilacioneve me të cilat bëri bujë nëpër medie vendore e ndërkombëtare, ai në vitin 2016-të është nderuar me titullin ‘Akademik i Nderit’ në Firencë, aty ku edhe pati hapur ekspozitë personale. Ai pushtoi galeritë më të njohura të Evropës dhe jo vetëm. Sislej Xhafa, është artisti i cili nis ciklin e rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’ të organizuar nga KultPlus.
KultPlus, me këtë cikël të rrëfimeve pretendon të prekë artin në të gjitha pikat kyçe. Kësisoj në ‘Ta zbardhi ftyrën’ vjen edhe aktori nga Kosova, i cili bëri një karrierë të suksesshme në Paris, Imer Kutllovci. Edhe për Imerin, kemi folur e dëgjuar mjaftë shumë. Ai është aktor i dhjetëra roleve në Paris, ndërsa është edhe aktor rezident në një nga teatrot e Parisit.
Imer Kutllovci bashkë me Sislej Xhafën, në ciklin e rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, do të tregojnë rrugëtimin e tyre deri tek hapja e dyerve të famës. Rrugëtimin e mundimshëm, që padyshim secili njeri ka kaluar nëpër atë, vetëm se përvojat janë të ndryshme.
Ejani më 3 gusht me fillim nga ora 20:00, në Hamam Bar Prishtina, për të dëgjuar, e pse jo edhe për t’u inspiruar që asnjëherë të mos hiqni dorë nga ëndrrat që keni. ‘Ta zbardhi ftyrën’ organizohet KultPlus, gazeta e parë dhe e vetme online për kulturë në rajon, projekt ky me mbështetje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com