5 Gusht, 2022 - 11:00 pm
Shqipëria rezulton të jetë destinacioni i dytë me performancën më të mirë në Europë sa i përket rimëkëmbjes së turizmit pas pandemisë.
Kjo rezulton nga një studim i kryer nga “World Travel Market” që ka marrë në analizë fluturimet dhe udhëtimet në 100 qytete e destinacione e që analizon rikuperimin post-pandemik të destinacioneve turistike.
Referuar rezervimeve për udhëtime në periudhën korrik-gusht dhe shtator, pritshmëritë janë që Shqipëria të jetë në krye të vendeve europiane të preferuara si destinacion turistik.
Në vend të parë është Antalia në Turqi, e ndjekur nga Shqipëria që lë pas 6 destinacione turistike greke mes të cilave Mykonos, Rodos apo Selanik. Në listën me 10 vende, 6 destinacione me rikuperimin më të mirë i përkasin Greqisë, edhe për vetë faktin se Greqia ishte ndër të parat vende europiane që u hap pas pandemisë për udhëtime turistike.
Megjithatë, të 6 destinacionet greke lihen pas nga Tirana, që përbën portën ndërkombëtare të hyrjes së turistëve të huaj që kanë si destinacion plazhet shqiptare. Ndërkohë, në listën me 10 destinacionet turistike që po performojnë më mirë në aspektin e tërheqjes së turistëve janë edhe dy destinacione të tjera, njëri në Spanjë e tjetri në Portugali.
Raporti evidenton se destinacionet plazh dhe diell po preferohen më shumë sesa destinacionet urbane. Kjo, sipas raportit, është tregues i një hezitimi të udhëtareëve për të vizutuar qytetet e mëdha e të ngarkuara dhe një preferencë të shtuar për destinacionet e plazhit.
Heqja e kufizimeve të udhëtimit në shumë vende ka sjellë një pritshmëri positive për turizmin në Europë këtë verë. Gjithsesi, konflikti ushtarak në Ukrainë konsiderohet si një pengesë për rikuprimin e plotë të udhëtimeve në kontinent./ ScanTv/ KultPlus.com