10 Gusht, 2022 - 9:00 pm
Gjimnazi “Sami Frashëri”, ndër shkollat më të bukura midis 40 shkollave të reja që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në Tiranë, 12 prej të cilave hapin dyert këtë shtator, është pothuajse gati për të pritur nxënësit pasi u rindërtua pas tërmetit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi detajet e fundit në godinën moderne, me një kapacitet për 1500 nxënës, dhe u shpreh se shkolla e re, si infrastrukturë, përngjan me një hotel me 5 yje.
“Jam shumë i lumtur kur shoh se po marrin drejtim rifiniturat e fundit, po vendosen kangjellat, për të pasur një kufizim të territorit të shkollës, ku mund të bëjmë aktivitete në oborr etj. Kemi vendosur edhe kamerat, ka sistem kondicionimi; kjo shkollë nuk dallon fare nga një hotel me pesë yje, ku çdo gjë është e standardit të fundit. Është pa dyshim shkolla më e bukur në Shqipëri, por me gjasë është edhe më e bukura në rajon. Shpresoj shumë që bukurinë e vërtetë ta sjellin djemtë e vajzat që do vijnë e do popullojnë këto ambiente supermoderne në shtator”, tha ai.
Veliaj tha se është e rëndësishme të ruhet reputacioni i shkollës, jo vetëm si ndërtesë, por edhe në rezultate dhe aktivitete jashtëshkollore. Ai u shpreh se me këtë investim, sikurse edhe në 40 shkollat e tjera të reja në Tiranë, merr fund mësimi me dy turne, ndërsa pasdite godina e re do të shërbejë si qendër komunitare.
“Duam që shkolla të funksionojë edhe si qendër komunitare pasdite, ndaj mësimin do ta kalojmë paradite. Nuk do të ketë më mësim pasdite, por as bosh nuk do ta lëmë, sepse mund ta shfrytëzojmë për 21 klubet e ‘Samiut’, për t’i dhënë hapësirë kujtdo të organizojë aktivitete në këto ambiente. Do të kemi një vëmendje të shtuar te administratorët e shkollave, sidomos në këtë shkollë, e cila është si të menaxhosh një hotel kur vjen puna te sistemi i pompave, mirëmbajtja, kamerat e sigurisë, kondicionimi, apo sistemi antizjarr, kaldajat etj. Me këtë shkollë i kemi dhënë Tiranës një xhevahir të paprecedentë në cilësinë e një ndërtese arsimore, por kemi ngritur edhe stekën për shkollat e tjera që vijnë më pas”, u shpreh ai.
Në shkollën “Sami Frashëri” do të ndërtohet edhe një muze, për të gjithë ata që kanë kontribuuar ndër vite për emrin dhe brezat që kanë dalë prej saj.
“Dua të kemi edhe një pjesë muzeale, sepse ‘Samiu’ ka qenë ndoshta, vatra që ka prodhuar më shumë talente dhe njerëz që kanë dhënë një kontribut për vendin. Brezi ynë, i ‘Samiut’, ka bërë disa punë të mira, por ka bërë edhe disa punë të këqija, ndaj do doja shumë që brezi i ri i ‘Samiut’ të ishte një brez që bën vetëm të mira, që e bashkon vendin, që promovon vlerat tona më të mira dhe që mban lart emrin e “Sami Frashërit”. Kush mbjell arsim dhe kulturë investon tek e ardhmja; kush mbjell vetëm grurë edhe misër investon për stomakun e përditshëm, por jo për atë që është vizioni ynë, për Shqipërinë e të ardhmes”, përfundoi Veliaj. /ata.gov.al /KultPlus.com