28 Gusht, 2022 - 8:00 pm
Enët e lashta prej qelqi të restauruara, të cilat u dëmtuan gjatë një shpërthimi në portin e Bejrutit në vitin 2020, do të shfaqen në Muzeun Britanik.
Tetë enë, nga periudha romake, bizantine dhe islame janë bashkuar me shumë kujdes nga ekspertët e ruajtjes së muzeut dhe do të shfaqen në Londër përpara se të kthehen në Liban në fund të vjeshtës.
Drejtori i Muzeut Britanik, Hartwig Fischer tha se objektet e ekspozuara në ngjarjen e quajtur “Shattered Glass Of Beirut” në “Asahi Shimbun Displays”, tregojnë historinë e shkatërrimit dhe rimëkëmbjes, të elasticitetit dhe bashkëpunimit.
“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me restaurimin e këtyre objekteve të lashta prej qelqi”, tha Hidde van Seggelen, presidenti i Fondacionit Evropian të Arteve të Bukura (TEFAF).
“Kthimi i këtyre pjesëve në formën e duhur përbën një simbol bindës të qëndrueshmërisë dhe ne jemi të nderuar që kemi qenë pjesë e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm”, shtoi ai.
Artefaktet janë ndër sendet e çmuara të ruajtura nga Muzeu i Universitetit Amerikan në Bejrut (AUB) i cili u dëmtua rëndë gjatë një shpërthimi në gusht 2020.
Enët ishin mes 74 artikujve nga periudha romake, bizantine dhe islame të cilat u dëmtuan nga vala goditëse e shpërthimit të portit, rreth tre kilometra larg.
Muzeu Britanik tha se enët që janë ruajtur në Londër janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi zbulojnë historinë e zhvillimit të teknologjisë së qelqit në Liban në shekullin e 1 para Krishtit, një periudhë që përjetoi revolucionarizimin e prodhimit të qelqit./ KultPlus.com