Nga Tirana në Nju Jork, nis në 5 shtator Festivali Ndërkombëtar i Videoartit “Gjon Mili”

31 Gusht, 2022 - 9:30 pm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështeti klasat e fotografisë për të rinjtë, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Videoartit “Gjon Mili” dhe në bashkëpunim me Qendrën e Artit “Agora”.

Qendra e Artit “Agora” ndihmon në rigjallërimin e muzeumeve përmes edukimit artistik dhe duke angazhuar të rinjtë e talentuar shqiptarë në përvoja të rëndësishme arsimore.

Këta të rinj pjesëmarrës realizuan veprat e tyre të para videoartistike, të cilat do të udhëtojnë nga Tirana në Korçë dhe më pas në Nju Jork, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Videoartit “Gjon Mili”.

“Në datën 5 shtator, në orën 20:00, Qendra Kulturore Tulla në Tiranë do të mirëpresë aktivitetin e hapjes, me një kombinim të bukur të filmave me metrazh të shkurtër dhe muzikës xhaz e bluz, si dhe kontributit të artistit të famshëm shqiptaro-amerikan, Gjon Mili”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Shfaqje filmash nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë si dhe diskutime artistike do të jenë pjesë e festivalit, që do të mbahet nga 5 deri në 7 shtator, në Sallën e Koncerteve “Tonin Harapi”, Qendrën Kulturore Berk, Galerinë Kalo dhe Galerinë Tiranë.

Me thirrjen për të mos e humbur këtë përvojë të vërtetë kulturore, ambasada e SHBA-së informon se festivali do të zhvendoset në Korçë nga data 8 deri në 10 shtator./ KultPlus.com

Të ngjajshme