3 Shtator, 2022 - 2:00 pm
Thanas Jane ose siç e njohin të gjithë Nase Jani, e ka nisur jetën në Stegopul të Lunxhërisë, Gjirokastër, më 25 maj 1947. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj në Kuçovë e në Vlorë, ku mbaroi edhe parashkollën e mesme. Më pas vijoi studimet në Shkollën ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë, shkollën e lartë të Marinës në Vlorë dhe shkollën e lartë ushtarake të Oficerave në Tiranë. Përveç studimeve në shkollat ushtarake, z.Jani, ka studiuar për letërsi, dramë-regjisurë dhe filozofi.
Si shumë shqiptarë edhe “Nasen” viti 1997 e gjeti në Athinë. Jeta në një vend të ri në një realitet të ri, nuk e pengoi t’i përkushtohej pasionit të tij përhershëm të krijimtarisë letrare. Shtëpia, vendlindja, atdheu, janë pikënisja dhe pikëmbërritja në odisenë e jetës dhe krijimtarisë së tij.
Ai është autor i 35 librave, me poezi, tregime, romane, dramë, letërsi për fëmijë, publicistikë, kritika letrare. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe botuar, me vepra ose pjesërisht, në gjuhën greke, italiane, angleze (SHBA), rumune, frënge, suedeze, izraelite. Është autor i 5 Antologjive letrare. Ai është përfshirë në disa Antologji brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Vepra e tij letrare është vlerësuar me disa çmime konkursesh dhe çmime vjetorë. Veçojmë veprën “Duke pritur dashurinë”, monodramë për Lasgush Poradecin, fituese e Festivalit Ndërkombëtar të monodramave,
U shqua jo vetëm si një shkrimtar i brezit të parë të komunitetit shqiptar në Greqi, por edhe si një qytetar që ka kontribuar në jetën social-kulturore të tij. Ai është themelues dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita” dhe i revistës letrare–kulturore “Pelegrin” , themeluesi i shoqatës ‘Lunxhëria’ në Athinë. Klubi “Drita” dhe revista “Pelegrin”, në drejtimin e z. Nase Jani, krijuan “Bibloteka qytetare në natyrë” në qytetin e Vlorës, e para e këtij lloji në Shqipëri
Për gjithë atë çka i ka dhënë vendit Nase Jani është vlerësuar me disa tituj. Është dekoruar me medalien “Naim Frashëri”; Urdhërin “Ylli i kuq”; Urdhërin ‘Naim Frashëri i Artë’; “Diplomë Mirënjohje’ nga Lidhja e Botuesve të Shqipërisë; “Certifikatë Mirënjohje’ nga kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj; “Qytetar Nderi” i Kuçovës. Gjithashtu Klubi ‘Drita’, është dekoruar nga Presidenti i RSH-së, me ‘Medalia e mirënjohjes’ dhe Revista “Pelegrin” është vlerësuar: Revista më e mirë e vitit 2004, nga Klubi i ideve dhe UNESCO, Athinë.
Marrë nga profili i Ambasadës Shqiptare në Greqi. / KultPlus.com