20 Shtator, 2022 - 1:52 pm
Koncerti plot imagjinatë dhe momente eklektike muzikore origjinale të kompozuara nga Robert Bisha u mbajt në Kino Lumbardhi ndërsa u performua në mënyrë fantastike nga Filharmonia e Kosovës, përcjellë KultPlus.
Një bashkëdyzim shumë i rëndësishëm i talenteve, zhanreve dhe kapaciteteve shprehëse muzikore në rrafshin stilistik nga institucioni më i lartë i muzikës koncertale në Kosovë dhe një moment mjaft me rëndësi për qytetin e Prizrenit.
Robert Bisha thurri një kompozim jo të zakonshëm për orkestrën e Filharmonisë së Kosovës me një formacion njashtu të rrallë duke përfshirë orkestrën, pjesë të korit, solistë, 2 kitara elektrike performuar nga vëllezërit Elvis dhe Gjullian Bytyqi, piano dhe çifteli performuar nga vet Robert Bisha, incizim paraprak elektronik dhe me shumë lloje të efekteve tingullore të performuara nga i gjithë formacioni.
Kompozitori Bisha u rikthye në Prizren për një qëndrim artistik, ku edhe filloi procesin për hulumtim dhe kompozim, duke e parë nga afër dhe duke njohur historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të kësaj kinemaje.
Orkestra u përcoll dhe me imazhe video në projektor.
Vepra ka një narrativë në secilën nga tetë pjesët e saj dhe mundohet ta shohë në çdo këndvështrim Prizrenin. Ka qenë “Lumbardhi” vendi ku kompozitori mbajti të vetmin koncert gjatë vitit 2020 në kohën e pandemisë, kur në prani të 50 personave në bahçe kishte interpretuar “Home Neverland” për solo-piano.
Përpos hapjes së sezonit të ri të Filharmonisë, premiera e “Monade” ishte edhe kremte për 70-vjetorin e themelimit të kinemasë Lumbardhi.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe këshilltarët e ministrit Çeku, Nora Arapi Krasniqi dhe Liburn Jupolli. / KultPlus.com