21 Shtator, 2022 - 4:00 pm
Era Berisha
Një histori e pazakontë, krejtësisht e rrallë por e veçantë në llojin e vetë, ka qenë njëra ndër pikat kryesore që ka kulmuar mbrëmë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit kosovar, tashmë të suksesshëm “Vera andrron detin” nën regjinë e Kaltrina Krasniqit. ‘PriFest’ sivjet shënon edicionin e katërmbëdhjetë por për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit, Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti. Andaj, ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj, shkruan KultPlus.
Pak para se ora të shënonte 20:00, ishte pamja para objektit të Kino Armatës ajo që po tërhiqte vëmendjen e të gjithë atyre që kalonin pranë. Tapeti i kuq i shtruar, reflektorët në ngjyra të ndryshme që ngjasonin me ngjyrat e sivjetshme të festivalit, muzika live që buronte lehtazi nëpër atmoferë, ishin vetëm disa nga copëzat e shumta që kryeqytetit po i sjellin një frymë të shumëpritur. Artdashës të shumtë mbushën vendin dalëngadalë, teksa hapësira u mbush pothuajse qosh më qosh. Ndërkaq, premiera e filmit “Vera andrron detin” u bë e mundur që të shijohej në dy hapësira; në Kino Armatë dhe Kino ABC.
Pas shumë përqafimeve, buzëqeshjeve, shkrepjeve të fotografive në ambientin e jashtëm, kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë. Salla në Kino Armatë u mbush plot dhe të gjithë zunë vendin e tyre nëpër ulëse. Pas ca momenteve, në skenë doli aktori Armend Smjali i cili në rolin e moderatorit, bëri hapjen zyrtare të këtij edicioni. Ai nuk la pa e përmendur edhe lumturinë që e posedonte për prezencën e drejtoreshës së “Odesa Film Festival”, Anna Machukh, të cilën e përshëndeti dhe i tha në emër të popullit të Kosovës, që “ne qëndrojmë me Ukrainën, jemi me ta dhe njerëzit e tyre, si dhe jemi të lumtur që ajo sonte ndodhet me ne.”
Tutje, një performancë që zuri vend brenda hapësirës, qe pjesa më e ndjeshme që emocioni të pranishmit. Nga reflektorët e llojllojshëm që portretizonin ngjyrat e këtij edicioni të festivalit, dhe që mrekullueshëm binin direkt mbi personazhet në skenë, interpretimi i aktorit Armend Smajli, i cili shoqërohej këndshëm nga violinisti Visar Kuçi dhe kitaristja Tringa Sadiku, solli momente poetike që rezultoi në rrëqethjen e audiencës. Audiencë kjo që tashmë veçse ishte rrethuar me kujtimin për Vjosa Berishën, fotografitë e së cilës përshkonin muret në sallë, teksa buzëqeshja e saj plot rrezatim që ëmbëlsisht portretizohej, ngjalli ndjenja të panumërta. Kujtimi dhe nderimi për të, vazhdonte të rrjedhë njashtu si lumi në shtratin e tij të vrullshëm, plot mallëngjim por asnjëherë në mbarim.
Gjithashtu, një pikë tjetër e kësaj nate ishte edhe pjesëmarrja e korit të njohur “Siparantum” që me vokalin e gjithsecilit në skenë, pushtuan atmosferën me një vijë melodike që erdhi aq butësisht por në një mënyrë tejet të veçantë. Të veshur në të zeza, ata arritën që njëzëri të nderojnë figurën e Vjosa Berishës, e cila në ato momente padyshim që do të ishte krenare për punën e palodhshme të secilit pjesëmarrës.
Në anën tjetër, nuk kanë munguar as edhe fjalimet në nderim të saj por edhe në kuadër të hapjes së edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ka thënë se ‘Prishtina Film Festival’ e shndërron qytetin e Prishtinës në një parajsë të vërtetë.
“Kënaqësi dhe moment shumë emocional me qenë sonte këtu pa Vjosën. Unë jam rrit me Vjosën, afër Vjosës dhe kam lind në një ndërtesë me të. Kam shumë momente që i kujtoj prej vegjëlisë. Vjosa, gruaja e jashtëzakonshme që krijoi e zhvilloi ‘PriFilmFest’, këtë festival të mrekullueshëm të filmit që na e nderon kryeqytetin tash e katërmbëdhjetë edicione. Përgjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pruar filmat më cilësorë nga vende të ndryshme si dhe kineastë, regjisorë e aktorë të famshëm nga vende si Amerika, Australia, Britania, e po ashtu edhe nga rajoni ynë”, thotë Rama.
Sipas tij, sivjet, me nismën e Vjosës, festivali ka shkuar edhe një hap tutje, në kuadër të ‘Odesa Film Festival’ që po e hap edicionin këtu në Prishtinë.
“Sonte jemi të nderuar nga prania e ukrainasve në këtë edicion të përbashkët. Si kryetar, mund të them që këto festivale të mahnitshme po ndihmojnë që të shfaqin imazhin tonë më së miri. Ajo që e bënë këtë festival kaq madhështor është që nuk kufizohet vetëm me projektimin e filmave por ofron edhe trajnime, ligjërata, punëtori. ‘PriFilmFest’ na e kthen qytetin në një parajsë të vërtetë për të gjithë adhuruesit e artit të shtatë”, përfundon ai.
Kurse, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është shprehur tejet i lumtur që festivali po nis rrëfimin e katërmbëdhjetë me radhë.
“U bënë plot katërmbëdhjetë vite me ‘PriFilmFest’ dhe tre muaj pa Vjosa Berishën. Është një prej festivaleve më të suksesshme nis rrëfimin e katërmbëdhjetë sonte pa personin që e bëri atë një nga ngjarjet më të mira kulturore në vend. ‘PriFest’ është tregimi për energjinë dhe punën e madhe të kineastëve tanë dhe takimin me botën. Është edhe tregimi për aktivisten e palodhshme kulturore. Në momente si këto, fjalët dinë të jenë të varfër andaj nuk do ta zgjasë. Po e mbylli një dedikim për Vjosën por këtë dua ta bëj duke e përgëzuar Fatosin që na mblodhi sonte këtu në hapjen e edicionit të 14-të. Kjo besoj është mënyra më e mirë për ta kujtuar e falënderuar Vjosën, për gjithë kontributin e saj për kulturën e vendit tonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Vjosa Berishës. Qoftë jetëgjatë ‘PriFest’”, ka thënë Çeku.
Figurën e Vjosa Berishës, e nderuan edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe drejtoresha ekzekutive e bankës ‘Raiffeisen’, Anita Kovacic.
Ndërkaq, fiks kur ora shënoi 21:18, nisi edhe premiera e filmit “Vera andrron detin”. Errësira mbizotëroi vendin, teksa pamja e parë gjeti vendin në ekran. Një peizazh që bashkon detin dhe qiellin në një horizont që duket i pakufishëm, përthekoi të pranishmit brenda një qetësie dhe ndjenjës së paqes.
Personazhi kryesor, Vera, (Teuta Ajdini-Jegeni) është një përkthyese e gjuhës së shenjave, burri i të cilës është një gjykatës i njohur. Ajo është një nënë e një vajze të vetme dhe një gjyshe e dashur për mbesën. Papritmas jeta e saj merr një kahje tjetër kur burri i saj, Fatmir Gashi (Xhevat Qorraj), bën vetëvrasje, akt ky që shoqërohet me pikëpyetje të vazhdueshme. Qysh në fillim, fshehja e veprimit të tillë synohet nga Basria (Refet Abazi), avokati i familjes si dhe mik i ngushtë i Fatmirit. Reputacioni i Fatmirit kësisoj mbetet i palëkundshëm.
Situata të padëshirueshme sa vijnë e shtohen, teksa misteret fusin kokën në sipërfaqe. Krejt çka Vera ka në vlerë tash është veç një shtëpi në fshat, pronësia e së cilës vihet në një pretendim. Familjarët e afërt, në veçanti Ahmeti (Astrit Kabashi) me doemos kërkon që ajo shtëpi të vihet në emër të tij, ngaqë sipas tij dhe gjithë burrave të fshatit, fjala e të ndjerit, Fatmir Gashit, ka qenë se shtëpia i takon Ahmetit dhe se ajo fjalë duhet të respektohet.
Por se çka fshihet pas sekreteve dhe deklaratave pa dëshmi, Vera është e vendosur që ta zbulojë. Një botë krimi është ajo që del nga fshehtësia dhe ndjek pas Verën, rrezikon jetën e vajzës së saj, Sarës, e njëkohësisht ndikon edhe në jetën e mbesës, Hanës. Fati i tyre bie në pëllëmbën e dorës së saj. E vetme dhe e frikësuar, Vera tash duhet të përballet me realitetin e vrazhdë ku pabarazia gjinore i ka futur thellë rrënjët në shoqëri.
Lufta për të siguruar pjesën e trashëgimisë që i takon vajzës së saj, qe e kotë. Duke u përballur me kufijtë e këtij fenomeni, ajo humb të drejtat e pronësisë. Është një histori që prek shumicën e historive të familjeve në shoqërinë tonë dhe besimi se gratë do të mbeten përjetësisht të varura ekonomikisht nga burrat, është tejet i dukshëm edhe në ditët e sotme. Regjisorja Kaltrina Krasniqi vë në pah rrëfimin e një karakteri që nuk shtypet lehtazi, nuk dorëzohet por mban kokën lart e lufton kundër shoqërisë së pasluftës. Një shoqëri ku gratë nuk kanë të drejtë mbi fjalën e burrit, nuk mund të kërkojnë të drejta për diçka që i përket atyre por mbi të gjitha, një shoqëri e cila gruan e sheh si një qenie që në përditshmëri ka vetëm ca detyra të caktuara brenda katër mureve të shtëpisë.
Nënshtrimi i Verës pason kur ajo zbulon se sa thellë ka futur duart korrupsioni dhe se sa e rëndë është pesha e patriarkatit shtypës dhe kërcënues mbi supet e saj. Fuqia e aktores Teuta Ajdini-Jegeni në një ndërlidhje me skenarin nga Doruntina Basha, thjesht është sa magjepsëse aq edhe reale. Midis modernitetit dhe traditës, filmi qëndron në këmbë dhe arrin të shpalos portretin e një gruaje që mundohet të gjejë balancën midis dy qosheve drastike.
Në anën tjetër, përgjatë gjithë situatave të tensionuara në film, meloditë e violinës nga Petrit Çeku janë të mahnitshme. Tingujt janë ato që të shpojnë në shpirt e të rrëmbejnë pas ekranit, si dhe të bëjnë që akoma më shumë të ndjesh sharrimin e Verës drejt një nënshtrimi të detyrueshëm. Ndërkohë, kuadrot e gjera, të ngrohta e herë të ftohta, në të shumtën e rasteve fiksojnë Verën dhe rrethanat e saj. Pavarësisht përballimeve të cilat ajo i has përgjatë rrugëtimit, ajo arrin që me zgjuarsi të zhvillojë një bisedë me avokatin e familjes, në një kafene ku prezentë janë vetëm personat e shurdhër, me ç’rast arrin t’i bëjë ballë gënjeshtrave të vazhdueshme, me vetëm një incizim në dorën e saj që ndërron komplet rrjedhën dhe na ofron një fund ndryshe nga e zakonshmja.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. E në mesin e tyre ishte edhe ekipi i filmit ‘Vera andrron detin’, anëtarët e të cilit ngadalë dolën në skenë.
“Ka qenë shumë bukur me pa që qyteti ku unë jam rritë, ka ardhur sonte. Unë jam çik e Prishtinës dhe e kam emrin Kaltrinë. Kjo është kinemaja ku unë e kam pa filmin e parë në jetën time kur isha gjashtë vjeç dhe më ka pruar shkolla ime në atë kohë. Më kujtohet që e kam parë një film rus të animuar dhe ka qenë shumë magjik. E sot i kam katërdhjetë vjet dhe po kthehem në këtë kinema prapë. “Vera andrron detin” e ka pas premierën tash e një vjet në festivalin e Venedikut, dhe jam shumë e lumtur që më në fund po e ndaj me publikun e qytetit tim. Natyrisht që jam shumë e emocionuar. Ne kemi udhëtuar në krejt botën dhe po vazhdojmë të udhëtojmë, por është shumë bukur që e ndaj sonte me ju”, thotë regjisorja Krasniqi.
Ajo tregon se e pranishme në sallë është edhe nëna e saj, Vera, e cila filmin e ka parë për herë të parë.
“Gjëja më e bukur është që me mua është edhe ekipi që ka qenë me mua aq afër meje dhe aq të dashur për shtatë vjet sepse nuk është shumë e popullarizuar që të tregohet një tregim për një grua që i ka gjashtëdhjetë vjet por ata më besuan që ky tregim është shumë me rëndësi dhe më kanë shtyrë për shtatë vjet. Po ashtu, Vjosa Berisha i ka bërë disa gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme për skenën tonë. Ajo i ka themeluar disa themele që janë të vlefshme jo vetëm për filmin por për krejt skenën artistike, sepse Vjosa ka qenë gjithmonë një menaxhere shumë e mirë kulturore. Andaj, ne prej këtij viti e tutje ia kemi borxh Vjosës që ky festival të jetojë. Qyteti jonë e meriton me qenë në hartën e qyteteve më të bukura të kinemasë”, përfundon Krasniqi.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Vera andrron detin’, të pranishëm ishin regjisorja Kaltrina Krasniqi, aktorët Teuta Ajdini-Jegeni dhe Refet Abazi, si dhe producenti Shkumbin Istrefi.
“Ka qenë shumë me rëndësi për mua për të parë një rrëfim të treguar nga një person në të gjashtëdhjetat. Nuk është një perspektivë që është shqyrtuar nga shumë regjisorë, andaj dhe ka qenë një nga aspektet kryesore që më ka shtyrë e motivuar që unë të vazhdoj ta bëj.” – Kaltrina Krasniqi
“Ky udhëtim ka qenë sa i lehtë aq edhe i vështirë, dhe anasjelltas. Vera është një personazh nga i cili kam marrë shumë por unë si Teutë edhe Verës i kam dhënë aq njëjtë. Është një personazh e cila ka shumë të përbashkëta me shumë gra në të gjithë botën dhe mund të them se që në fillim kur mu nda roli, e ndjeva shumë të afërt dhe në shumë pjesë të skenarit, e gjeta edhe veten time. Prandaj them se vështirësi nuk kam pasur për ta përjetuar, thjesht e luajta ashtu siç e ndjeva dhe së bashku me Kaltrinën, e gjetëm një gjuhë të përbashkët.” – Teuta Ajdini-Jegeni
“Ky film, është një film i çikave. Ky film është një ndër përvojat më të mira të miat dhe unë jam ndjerë jashtëzakonisht bukur gjatë xhirimit, pikësëpari për arsye se ne aktorët dëshirojmë që të takojmë shpesh regjisorë që e dinë se çfarë kërkojnë dhe duan. Kaltrina është një nga regjisoret që nuk jep urdhra si zakonisht, ajo thjesht magjeps me mënyrën e tregimit që ajo dëshiron të rrëfejë. Ajo të bënë bashkautor në rrëfimin e saj dhe të respekton autonominë krijuese si aktor. Po ashtu, ka pasur edhe një energji të jashtëzakonshme përgjatë xhirimit.” – Refet Abazi
“Është shumë vështirë të prodhohet një film sepse rruga asnjëherë nuk përfundon në prodhimin e tij, por është në distribuimin nëpër shfaqje. Kemi pasur punë intensive në financimin, përgatitjen dhe xhirimin e këtij projekti. Projekti ka filluar në vitin 2014, në vitin 2015 jemi financuar nga QKK-ja, pjesërisht, dhe kam pasur fatin të gjejë ko-producent shumë të mirë që e kanë dashur projektin e kanë dhënë gjithçka nga vetja. Mirëpo, filmi nga momenti që pati premierën në Venedik, ka shëtitur në gjithë botën dhe kemi marrë shumë çmime e që na e japin një kënaqësi për gjithë këtë punë që e kemi bërë.” – Shkumbin Istrefi
Kujtojmë se ”Vera Andrron Detin” pati premierën botërore në Festivalin e Venedikut, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, me ç’rast ka rrëmbyer dy çmime.
Në film luajnë: Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, Ernest Malazogu, Selman Jusufi, Armend Baloku, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com