29 Shtator, 2022 - 11:06 am
Më 29 shtator të vitit 1931, në Berat vdiq Kasëm Qafëzezi, një oficer i lartë ushtarak, luftëtar kundër kriminelëve andartë grekë në jug të Shqipërisë.
Lindi në Qafëzez të Kolonjës në vitin 1881. Mbaroi Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe nga 1899. Deri më 1910 shërbeu si ushtarak i Perandorisë Osmane.
Gjatë viteve 1908-1910 shërbeu si oficer në Janinë. Pas vitit 1912 u caktua në krye të një njësie xhandarësh për të luftuar andartët grekë në jugun e Shqipërisë nën urdhrat e qeverisë shqiptare. Më 1920 bën pjesë në shtabin ushtarak të “Mbrojtjes Kombëtare” në Vlorë.
Përgjatë viteve 1920-1924 shërbeu si oficer në Shqipëri. Në vitin 1922 u emërua komandant i trupave të kufirit jugor me seli në Përmet.
Qershorin e 1924 mobilizohet me Lëvizjen e organizuar nga elementët opozitarë, duke qenë komandant i garnizonit të Përmetit me gradën nënkolonel. Kryesoi marshimin drejt Tiranës të këtij garnizoni duke mundësuar një pjesë të suksesit të Lëvizjes, prej të cilës u emërua ministër i Luftës i kabinetit të Fan Nolit.
Me dështimin e kabinetit atë dhjetor dhe ardhjen në fuqi të Zogut, Qafëzezi u largua për Itali. Falë amnistisë të dhënë më 1928 kthehet në atdhe ku jetoi deri në vdekje./Micky Haxhiislami/ /KultPlus.com