Me interpretimin e këngëve të viteve të 90-ta do të shënohet edicioni i nëntë nga Tony Drum Studio

5 Tetor, 2022 - 3:30 pm

Edhe këtë vit do të organizohet koncerti i 9-të i Albanian 90’s, i cili do të mbahet më 17 tetor në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili tashmë është bërë dhe traditë që po mbahet tash e 9 vjet në Kosovë është në përfundim të të gjitha përgatitjeve dhe është gati që të mbahet edhe këtë vit.

Organizatori i këtij koncerti, Faton Aliu tha për KultPlus se koncerti Albanian 90’s, i cili do të mbahet këtë vit, ka për qëllim promovimin e bateristëve të rinj të Tony Drum Studio dhe do të synojë të interpretojë muzikën e viteve ’90-ta.

Për KlutPlus Aliu tha se arsyeja pse kanë zgjedhur konkretisht muzikën e viteve 90 është se gjeneratat e reja nuk janë shumë të informuar me muzikën e këtyre viteve.

“Arsyeja pse tema e këtij koncerti është muzika shqiptare e viteve 90-ta është fakti që gjeneratat e reja nuk janë të informuar mirë. Po ashtu këngët do të rikthehen në versione më moderne, mirëpo duke e ruajtur origjinalitetin e tyre”, ka thënë Aliu.

Përpos që bateristi do ketë rolin kryesor ashtu si në koncertet e kaluara, këtë vit orkestra është shumë më e madhe, me dirigjenti Arbnor Gashi, orkestra nën udhëheqjen e Artan Elshanit, nën vokalet e Agim Gërguri, Bekim Hallaqi, Arbër Krasniqi, Vesa Kelmendi, Dafina Bytyqi, Erza Qerkini, Rita Hyseni dhe Labinot Reqica.

Koncerti do të nisë në orën 19:00 në teatrin Oda dhe nën moderimin e Vlora Merovcit, konceptin e Fion Aliut, kurse drejtues dhe producent gjeneral: Faton Aliu.

Ky koncert është mbështetë nga Komuna e Prishtinës dhe Radio Telvizioni i Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme