6 Mars, 2018 - 3:25 pm
Koreodrama “Lulet e Marsit” është premiera e Ansamblit “Shota”, me koreografi të Xhemali Berisha dhe me muzikë dhe orkestrim të Ylber Asllanaj, shkruan KultPlus.
Udhëheqësi Artistik i Ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj koreodramën “Lulet e Marsit” e ka konsideruar si një perlë të re në “Gjerdanin” e Ansamblit.
“Kjo premierë është punuar ekskluzivisht për nderë të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij”, thuhet në njoftim, i cili tutje sqaron se kjo koreodramë ka në qendër luftën dhe sakrificën e tre brezave të familjes Jashari.
Tematika fillon me prologun e Shaban dhe Zahide Jasharit, dhe bekimin që ata i japin Ademit për rezistencë. Tutje vazhdon me rezistencën e burrave dhe grave të familjes Jashari dhe përfundon simbolikisht me një homazh të 13 fëmijëve (numri i fëmijëve të vrarë të familjes Jashari në datat 5,6 dhe 7 Mars 1998), të cilët skenikisht paraqitën me nga një lule dhe një qiri. Në anën tjetër krye-personazhi, i luajtur nga solisti i Ansamblit Besnik Grajcevci, shndërrohet në lapidar. Kjo konform simbolikës tashmë të njohur “Ai është i gjallë”.
Premiera e kësaj shfaqjeje do të jetë në gala-koncertin që organizohet në Skenderaj, me datë 7 Mars ndërkaq sipas planit të punës së Ansamblit, parashihet edhe një premierë tjetër në Prishtinë, gjatë këtij muaji./ KultPlus.com