Mes mërzisë, dashurisë dhe xhelozisë, letra e dashurisë e Dritëro Agollit drejtuar Sadijes

6 Tetor, 2022 - 3:18 pm

E dashur Sadije,

Donja të të shkruanja që mbrëmë, po e lashë për sot në mëngjez. Mëngjezi është kohë optimizmi. Pak njerëz ka që janë pesimistë mëngjezeve. Le të besojmë se kjo është edhe koha më e bukur për të shkruar letra dashurie. Letrën nuk ia shkruajmë njeriut për ta mërzitur, po për t’ia ngritur humorin e për ta bërë atë më jetëdashës. Ti mua, edhe kur ke qenë e zemëruar, më ke shkruar letra të mira, të ngrohta e plot dashuri. E duke bredhur me sy nëpër radhët e shkrimit tënd të afërt për mua, unë kam ndjerë se ti më do me tërë mënt. Unë i dua njerëzit që e thonë fjalën me zë të lartë e me plot gojën. Për herë të parë kam rilexuar kaq shumë një letrën tënde. E kam fjalën për letrën e fundit. Ajo më ka bërë të mendohem. Megjithëse në dukje ishte letër normale, atë e përshkonte një notë pak e ftohtë. Nuk dua të them që letrat artificialisht të dalin të ngrohta; ato duhet të shkruhen siç ndjehen. As kam kërkuar dhe as kërkoj që mezor nëpër dhëmbë të më betohen për dashurinë në çdo letër e frazë. Kurrë nuk kam qënë i përkëdhelur nga dashuriçkat dhe nuk kam dashur kurrë të përkëdhelem. Unë nuk jam si ca që fejohen e martohen vetëm për të fjetur me gruan, pasi ajo të ketë bërë punët e guzhinës. Për të patur një grua në krevat e për të ngrënë nga duart e saj një tas fasule apo çorbë, unë s’kam patur dhe s’kam kurrë nevojë.

Nejse, për ftohtësinë e letrës nuk të qortoj dhe s’dua me qortime t’u shëmbëllej meskinëve. Ti shkruaj si të duash dhe mendo si të duash për mua. Nuk dua vetëm që letrat të shkruhen sa për të kaluar radhën me sy gjysmë të mbyllur nga gjumi e me kokë të rënduar, as kur ke uri dhe e ke mëndjen atje. Natyrisht në këtë gjëndje nuk mund të dish si të përgjigjesh në ndonjë pyetje, e jo pyetje të dorës së dytë, po pyetjes kryesore të jetës.

Jeta ime këtej është e zakonshme . Është po ajo zyrë, po ai klub, po ajo shtëpi. Në dhomën time të mërzitshme janë po ato lule dhe peshq që ma kanë sjellë në majë të hundës. Do t’i nxjerr të gjitha jashtë- edhe lulet , edhe peshqit , edhe qilimin; do të mbaj vetëm librat dhe krevatin tim. Tani për tani nuk merrem me ndonjë punë të lodhëshme. Lexoj shumë dhe shkruaj pak. Megjithëse kam mjaft shokë dhe nga natyra jam optimist, e ndjej vehten çuditërisht të vetëmuar dhe me humor të keq. Dje kam pirë shumë konjak që në mëngjez dhe jam bërë tapë. U zura me njerëzit e shtëpisë dhe më thumboi një grerë në qafë. Aq më dhëmbi sa për pak më dolli pija. Tani që nuk të kam ty pranë nuk i vë rëndësi asgjëje: rri i parruar, i pahekurosur dhe me duar në xhepa. Kostumi s’ka ç’më duhet , e kam inat dhe nuk do ta qep .

Siç duket po fillon vjeshta. Në Tiranë është mirë nëpër kopshte. Të djelën mendoj të nisem vetëm në këmbë në mal të Dajtit, do fle në ndonjë fshat e do kthehem në mëngjez në Tiranë. Shtëpia më është mërzitur. Po të isha me lejë do të shkonja në ndonjë pyll në ndonjë kasolle rojtari. Sa keq që nuk mora sivjet lejë krijonjëse! Jam bërë pak qesharak apo jo ? Ti patjetër duhet të jesh e zemëruar me mua për ndonjë arësye. Edhe pse po i shkruaj këto radhë në mëngjez, kur njeriu është plot humor, letra ime më duket se ka dalë e rëndë. E kam grisur disa herë, po këtë radhë do të ta dërgoj. E prap së prapi kjo nuk ka të bëjë me kryesoren: ty unë vazhdoj të të dua më shumë e më thellë. Bile nga që të dua shumë kam filluar të bëhem xheloz. Të uroj ditëlindjen dhe të puth fort si më parë, bile akoma më fort .

Të shtunën më datën 19 shtator më prit  Nuk më durohet pa të parë.

Yti i mërzitëshmi  plangprishësi Dritëro

11.9. 64 / KultPlus.com

 

Të ngjajshme