17 Tetor, 2022 - 10:41 am
Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë e më shumë po tregon nivel të lartë të përgatitjes profesionale përmes suksese që po arrin në gara të ndryshme ndërkombëtare.
Së fundmi, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti të marrë medaljen e argjend në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë ‘Cambrian Patrol 22’ që u zhvillua në Britani të Madhe.
Në këtë garë pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes 48 orëshe në Malet e Zeza të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare.
Performanca e FSK-së është vlerësuar lartë edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përgëzuar ekipin duke u shprehur që Ushtria e Kosovës është krenaria jonë.
“Përgëzimet e mia për lidershipin e Gjeneral Jasharit, udhëheqësin e ekipit tonë, Toger Diar Statovci, si dhe mirënjohje e lartë për angazhimin e pakursyer të këshilltarit tonë ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter.
Ushtria e Kosovës, krenaria jonë!”, shkruan Mehaj. / KultPlus.com